` . Gara absurde për primatin e autoritetit – TV-SHENJA

Gara absurde për primatin e autoritetit

Në Kosovë, Presidenti zgjidhet në Kuvend. Mirëpo, duhet pasur një gjë të qartë: ai nuk bart përgjegjësi politike karshi Kuvendit. Kjo do të thotë se organi ligjvënës nuk mund të iniciojë shkarkimin e tij në rast se ai merr një vendim politik të gabuar. Këtu fle arsyeja që kreut të shtetit nuk i janë dhënë kompetenca të gjera ekzekutive

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Shtet i së drejtës cilësohet shteti në të cilin njerëzit nuk detyrohen t’i nënshtrohen njëri-tjetrit, por rregullave që do të buronin nga vullneti i tyre i lirë dhe në të cilin palë respektuese të rregullave do të jenë vetë shteti, me një anë, dhe shtetasit, në anën tjetër. Kështu krijohet një rend juridik dhe qytetarët ndjehen të sigurt për liritë dhe të drejtat e tyre.

Për të garantuar më tej mbarëvajtjen e rendit shoqëror, hartohet një kushtetutë. Kjo nuk paraqet vetëm një akt normativ (madje, më të lartin në hierarkinë normative), por, në esencë, shëmbëllim të vullnetit të popullit, i cili në demokraci konsiderohet sovran.

Natyra e sistemit qeverisës në Kosovë

Trajta e pushtetit qeverisës në Republikën e Kosovës është dizajnuar sipas sistemit parlamentar të qeverisjes. Parlamentarizmi vendos organin ligjvënës në qendër të sistemit. Pushteti legjislativ, që ushtron ky organ, nuk mund të tjetërsohet e të delegohet, përveç nëse dispozitat pozitive nuk parashohin diç të tillë.

Në margjinat e këtij sistemi, Presidentit nuk i rezervohet gamë kompetencash aktive në vendimmarrje, qoftë në rrafshin legjislativ ose në atë ekzekutiv. Kjo nuk domethënë se ai është i zhveshur tërësisht nga të qenët faktor në jetën institucionale, por se e ruan pozitën e një balancuesi mes pushtetesh dhe një mediatori institucionesh në kuptim të qëllimit për funksionimin e rregullt kushtetues.

Në Kosovë, Presidenti zgjidhet në Kuvend. Mirëpo, duhet pasur një gjë të qartë: ai nuk bart përgjegjësi politike karshi Kuvendit. Kjo do të thotë se organi ligjvënës nuk mund të iniciojë shkarkimin e tij në rast se ai merr një vendim politik të gabuar. Këtu fle arsyeja që kreut të shtetit nuk i janë dhënë kompetenca të gjera ekzekutive. Mekanizmi i vetëm i Kuvendit është peticioni në Gjykatën Kushtetuese me arsyet e nevojës për shkarkim ose, siç mund të quhet, edhe padi presidenciale (në rastet e theksuara në nenin 91 të Kushtetutës), por që nuk mund ta supozojë oportunitetin e vendimeve të Presidentit.

Baza juridike për marrëveshjet ndërkombëtare

Kushtetuta e Republikës së Kosovës (neni 18/1) e ka përcaktuar qartazi se marrëveshjet ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake ratifikohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me shumicë të cilësuar, gjë e cila vë në pah seriozitetin dhe ndjeshmërinë e çështjeve të lartpërmendura.

Krahas kësaj, duke qenë se për këto marrëveshje nuk përcaktohet kriteri i nënshkrimit paraprak të tyre nga ana e Presidentit (neni 18/2), nënkupton se në këtë ecuri nuk lipset diskrecioni i tij. Pra, negocimi dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, që janë të llojit nga fushat e lartcekura, nuk bëhen nën autorizimin e shefit të shtetit.

Në këtë kontekst, hartuesit e Kushtetutës duket se e kanë vënë theksin te nevoja për një konsensus të gjerë politik, që do të shpërfaqet në Kuvend përmes minimumit prej 2/3 e deputetëve dhe parandalimit të personalizimit të një procesi delikat, që do të prodhonte reperkusione për mbarë vendin.

Nismat individuale në emër të shtetit mund të bëhen vetëm duke u bazuar në kushtetutë. Në të kundërtën, cenohet rendi juridik dhe humbet arsyeja e supremacisë kushtetuese. Në teori të së drejtës gjen frymë parimi se kompetencat interpretohen në mënyrë restriktive (potestas stricte interpretatur). Nga kjo mund të përfundojmë se në rast se një kushtetutë nuk e njeh shprehimisht një kompetencë të caktuar për një organ shtetëror, ky i fundit prezumohet se është jokompetent për atë çështje.

Ndër parimet themelore të interpretimit është edhe ai që udhëzon të mos bëhet interpretimi i normave që janë të qarta (in clarisnon fit interpretatio). Vlen të theksohet se secila kushtetutë ka strukturën e vet që paraqet konceptin ideor mbi të cilin ndërtohen segmentet e përgjithshme në një shtet. Pozita e presidentit është vetëm njëra ndër to. Leximi dhe zbulimi i kuptimeve të teksteve kushtetuese duhet bërë në mënyrë sistematike, pa u nxjerrë nga konteksti definimet e caktuara. Në qoftë se nuk bëhet ndërlidhja e duhur mes dispozitave dhe nëse ato nuk zbërthehen në prizmin e tërësisë së tekstit, do të shfaqen fragmente të vagullta dhe, për më tepër, mundësi për t’iu bishtnuar përgjegjësive dhe për t’i shpërdorur të drejtat e kompetencat. E kundërta e kësaj do të rezultonte me nëpërkëmbje të pushtetit konstituiv origjinar, që skematizoi në këtë formë rendin kushtetues.

Në këtë kontekst, do të ishte lajthitje të mendohet se Presidenti mund të veprojë si të dojë në diplomaci vetëm se shkronja e Kushtetutës thotë se ai udhëheq politikën e jashtme të vendit (neni 84/10). Ky përkufizim dëfton për prezencën e të parit të shtetit në përcaktimin e qëllimeve të politikave të jashtme dhe përfaqësimit formal të vendit, ndërkaq zbatimi (qeverisja) i politikës së jashtme i takon Qeverisë, e cila kontrollohet nga ana e Kuvendit. Kjo është logjika e funksionimit të sistemit parlamentar; kontrolli dhe llogaridhënia për të rritur transparencën. Prandaj, kishte të drejtë juristi Durim Berisha kur kishte potencuar në mënyrë të argumentuar, në një analizë të tij, nevojën e demitizimit të pozicionit kushtetues të Presidentit në politikën e jashtme.

Bisedimet e Brukselit

Po qe se bisedimet që zhvillohen në Bruksel synojnë arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë lidhur me territorin e shtetit, paqen mes dy shteteve ose ndonjë çështje tjetër politike, Presidenti jo vetëm se nuk ka tagër ta anashkalojë Kuvendin, por ai as që mund të jetë faktor në bisedime pa e marrë autorizimin e Kuvendit, i cili rezervon mandat kushtetues për këtë.

Po ashtu, e stisur nga pyetjet e Zyrës së Presidentit nën siglën e “çështjeve kushtetuese”, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat t’ia njohë presidentit një të drejtë që nuk i është njohur nga ana e Kushtetutës. Kjo do të binte në kundërshtim me parimin e së drejtës “kompetencat nuk krijohen përmes interpretimit” dhe gjithashtu do të përbënte shkelje flagrante të parimit të ndarjes së pushteteve meqë Gjykata do ta merrte përsipër funksion ligjvënës e mandatues.

Përpos kësaj, në vitin 2013 Kosova e kishte përjetuar edhe procesin e Marrëveshjes së Parë të Normalizimit të Marrëdhënieve me Serbinë (e njohur si Marrëveshja e Prillit). Kjo marrëveshje ishte votuar në Kuvend me shumicë të cilësuar. Kur disa deputetë e kishin referuar atë në Gjykatën Kushtetuese (rasti KO 95/13), kjo e fundit kishte vlerësuar se, në aspektin procedural, miratimi kishte qenë në pajtim me Kushtetutën. Andaj, është non sens që për natyrën e njëjtë sot të nxirret vendim ndryshe.

Tek “Traktati i Dytë për Qeverisjen” John Locke thotë se cilado qoftë forma e shtetit, pushteti në fuqi duhet të qeverisë nëpërmjet ligjeve të shpallura dhe të pranuara dhe jo nëpërmjet diktateve të improvizuara e vendimeve të papërcaktuara.

Salus Populi Suprema Lex

Kjo maksimë e njohur latine, që ka kuptimin “e mira e popullit është ligji më i lartë”, do të ishte mirë të gdhendet në perceptimin tonë. Mbase do të bëhej shkas që me gjithë mend ta stisim idenë e fuqizimit të rendit dhe konsolidimit të kulturës politike. Pra, diçka përtej orvatjeve për pikë individuale në marketingun medial.

Gjersa ne nuk tregojmë gatishmëri të flakjes së tendencave për krijimin e kultit të individit dhe domosdoshmërinë për intensifikimin e një fryme bashkëpunuese në spektrin politik, de facto tronditet edhe vetë raison d’être e institucioneve të larta të shtetit. Rezultati i mundshëm do të jetë dështim i brendshëm që, me shumë gjasë, do të përkthehet edhe në dështim të jashtëm për Republikën tonë.