` . Fuqia e identitetit - TV-SHENJA

Fuqia e identitetit

Lëvizja Vetëvendosje! u shfaq botërisht përmes aksioneve simbolike dhe protestave kundër negociatave të elitës politike së Kosovës me Serbinë për përcaktimin e statusit të Kosovës. Në vitet e para dukej donkishoteske ecja e saj kundër rrymës. Të tjerët ishin për negociata dhe mbështeteshin nga faktorët ndërkombëtarë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje! e akuzonte UNMIK-un për kolonializëm dhe arbitraritet

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Lëvizja Vetëvendosje! është subjekti politik që e projekton kombin shqiptar në zhvillimet e sotme botërore. Lëvizja Vetëvendosje! mund të quhet ngjarja politike shqiptare në shekullin tonë, edhe për faktin se po e ridimensionon identitetin kombëtar dhe po e zhvillon mendimin strategjik, që u nevojitet shqiptarëve për t’u zhvilluar dhe orientuar në situatat e pasigurta që po krijohen në politikën ndërkombëtare. Për ta shpjeguar më mirë atë që duam të themi, na vjen në ndihmë vepra The Power of Identity (Fuqia/pushteti i identitetit) e sociologut Manuel Kastels [Manuel Castells], e cila është pjesë e trilogjisë The Information Age (Epoka e informacionit). Kastelsi, në kohën e sotme, i dallon tri lloje të identiteteve që janë domethënëse politikisht: legjitimuese, qëndrestare dhe projektuese. Identiteti legjitimues krijohet nga elita sunduese e një shteti për ta arsyetuar dhe legjitimuar sundimin e saj. Koncepti i shoqërisë civile ndodhet në qendër të identitetit legjitimues, sepse ai ndërlidh aspektet shtrënguese të shtetit (ligji, taksat etj.) me ato të pjesëmarrjes politike (partitë, mediat, shoqatat etj.). Identitetet qëndrestare formohen prej reagimeve të grupeve të dominuara ose të anashkaluar në shtetet ekzistuese. Logjika e identitetit qendrestar në erën globale është ngritja e bashkësive (komuniteteve) që shërbejnë si strehë ndaj zhvendosjeve sociale dhe kulturore të globalizimit. Ato janë të lidhura me tradita historike dhe me territore dhe reagojnë ndaj atyre elitave që e shohin veten si “qytetarë të botës”. Në këtë aspekt, identitetet qëndrestare janë deri diku përjashtuese ndaj personave që nuk i përkasin grupit. Ekziston mundësia që prej identiteteve qëndrestare të lindin identitete projektuese. Kjo ndodh kur aktorë socialë, bazuar në ato materiale kulturore që zotërojnë, përpiqen të ndërtojnë një identitet të ri që e ripërcakton pozitën e grupit të tyre në një shoqëri të shndërruar sipas një vizioni përfshirës, i cili apelon te grupet ose shtresat e tjera shoqërore. Për ta ilustruar, brenda lëvizjes politike të zezakëve në SHBA-së ka pasur rryma qëndrestare që mendonin se racizmi institucional është i pakapërcyeshëm, prandaj kërkonin krijimin e një kombi zezak dhe të një shteti të ndarë enkas për zezakët amerikanë, si edhe rryma projektuese, që synonin drejt një shoqërie pasracore amerikane, vizion që simbolizohet nga fjalimi i Martin Luter Kingut “I have a dream” (Unë kam një ëndërr) në Marshimin e Uashingtonit më 1963.

Përkatësia dhe traditat kombëtare përpunohen për krijimin e identiteteve legjitimuese, qëndrestare dhe projektuese. Rendi i sotëm botëror përbëhet nga shtete që legjitimohen në emër të kombeve, edhe në ato raste kur ata realisht përmbajnë disa kombe ose etni. Sipas Kastelsit, dominimi global i neoliberalizmit në dhjetëvjeçarët e fundit dhe krijimi i organizatave ndërshtetërore i ka shndërruar shtetet në aktorë strategjikë të rrjeteve globale të pushtetit dhe ekonomisë. Por, ata nuk do të zhduken në të ardhmen e parashikueshme pikërisht prej solidaritetit të brendshëm të kombeve, që i shohin shtetet si një strehë mbrojtëse prej rrjedhave globale. Kjo do të thotë se shtetet kombëtare gjenden para një dileme të rëndësishme: sa më shumë që e theksojnë partikularizmin e kombit ose kombeve të tyre, aq më pak të efektshëm janë si agjentë të sistemit global të bashkëndarjes së pushtetit. Sa më shumë që ata veprojnë pikësëpari si agjentë globalë, aq më pak e përfaqësojnë kombin ose komunitetet brenda tyre dhe, në këtë mënyrë, e humbasin legjitimitetin e brendshëm. Dilema vihet re pikësëpari te politikat e shtetit më të fuqishëm të botës. Zgjedhja e presidentit Tramp erdhi si reagim i shtresave të shoqërisë amerikane, që gjykonin se qeverisja amerikane po merrej më shumë me problemet globale dhe po e humbiste lidhjen me popullin e saj dhe po ndiqte politika globale. Për rrjedhojë, politika amerikanë në vitet e fundit po ndjek një linjë proteksioniste dhe po “braktis” interesat e përbashkëta strategjike të sistemit ndërkombëtar të shteteve, në qendër të të cilit ndodhet vetë Amerika.

Rrjetet ndërkombëtare të shteteve dhe të organizatave ndërkombëtare joqeveritare e kanë dobësuar aspektin identitar të qytetarisë dhe shoqërisë civile. Elitat politike gjithnjë e më shumë shihen si të korruptuara dhe të shkëputura nga interesat e njerëzve të thjeshtë. Organizatat joqeveritare në vendet në zhvillim janë të varura nga dhuruesit/donatorët e huaj dhe janë të lidhura pashmagshmërisht me agjendat e këtyre. Në Evropën e sotme kanë marrë hov lëvizje dhe parti identitare/komunitare që po përdorin kritere biologjike, etnike, fetare ose kulturore për t’i dalluar “vendasit” prej “jo-vendasve”. Identiteti kombëtar i riartikuluar nga këto parti e lëvizje është qëndrestar ndaj globalizimit, burokracisë së Bashkimit Evropian (Brukselit) dhe imigrantëve dhe, ndonjëherë, edhe kundër shtetit kombëtar në emër të një identiteti rajonal ose të një “kombi pa shtet”. Brexit-i tregon se institucionet e BE-së nuk ia kanë dalë të krijojnë një identitet evropian që të rivalizojë me “thellësinë” e identiteteve kombëtare. Brexit-i, në fakt, e shfaq më së miri efektin politik të identiteteve qëndrestare: shumë britanikë votuan për të dalë nga BE-ja në shenjë proteste për gjendjen socio-ekonomike, por pa pasur një plan alternativ për vendin e tyre. Për Kastelsin, identitetet qëndrestare nuk janë një dukuri kalimtare; ato do të jenë qendrore për politikën, sepse ato janë reagime vendore ndaj karakterit të pakohë e zhvendosës të kapitalizmit global. Çështja është nëse prej tyre mund të lindin identitete projektuese, që nuk mbeten pengje të nostalgjisë dhe të iluzioneve se rrota e historisë mund të ndalet ose të prapakthehet.

Kastelsi na kujton se kombet, historikisht dhe analitikisht, janë të pavarur nga shteti. Nacionalizmi është ideologji që e mbron lirinë dhe mirëqenien e kombit, jo ekzistencën per se të shtetit, sepse shteti duhet t’i shërbejë kombit dhe jo anasjellas. Nga shpërndarja e kombit shqiptar në disa shtete ballkanike identiteti kombëtar nuk ka qenë i përputhur me atë shtetëror. Gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri u bënë përpjekje që emri “Shqipëri” dhe epitetet “shqiptar” dhe “kombëtar” të shenjonin gjeografinë shtetërore të kufizuar “nga Vermoshi në Konispol” dhe njeriun e ri socialist shqiptar, me synimin për të legjitimuar shtetin dhe regjimin. Mirëpo, nuk mund të eliminohej krejt “tepria” kuptimore e termave, që u referohej shqiptarëve jashtë republikës. I njëjti ligjërim enverist, i ndjekur fshehurazi nga shqiptarët e ish-Jugosllavisë, prodhoi tek ta irredentizëm të veshur me frazeologjinë marksiste-leniniste. Në vitin 1981 edhe regjimi komunist në Tiranë u kap gafil nga protestat masive të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe u detyrua të pranonte se parulla “Kosova Republikë” ishte e drejtë. Në këtë mënyrë, regjimi komunist i Tiranës pranoi mundësinë e një republike tjetër shqiptare, e cila do të mund të ofronte një alternativë zhvillimore për kombin shqiptar, të ndryshme nga modeli i RPSSH-së. Brenda Shqipërisë regjimi komunist gjithnjë e më shumë po shihej si kundërkombëtar. Kështu, për një pjesë të mirë të shqiptarëve gjatë shek. XX identiteti kombëtar ka qenë i shkëputur nga shteti dhe qëndrestar ndaj shteteve e regjimeve ekzistuese.

Nga fundi i viteve 1990-të dhe fillimi i mijëvjeçarit të ri, luftërat çlirimtare i dhanë një hov identitetit kombëtar, mirëpo nuk u arrit që energjia e çliruar të kanalizohej drejt projekteve afatgjata kombëtare për zhvillim e bashkim. Bashkësitë shqiptare vepruan të ndara nga njëra-tjetra dhe pranuan identitete legjitimuese të imponuara nga jashtë: në Rambuje u hoq dorë nga republika, kurse me Planin Ahtisari u pranua Kosova e komuniteteve etnike; me Marrëveshjen e Ohrit u pranua statusi i një autonomie të gjerë të shqiptarëve në shtetin kombëtar të sllavomaqedonasve. Elita politike në Republikën e Shqipërisë, mosangazhimin e saj për çështjen kombëtare e justifikonte me parullën “do të bashkohemi në Bruksel”. Sigurisht që shqiptarët si komb fituan liri më të mëdha veprimi dhe mundësi vetorganizimi se sa më parë, mirëpo tani po duket më qartë se mungesa e një projekti ose e projekteve konkurruese të zhvillimit kombëtar te elitat shqiptare po e kufizon zhvillimin e tyre. Shqipëria, Kosova, komunat shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Lugina e Preshevës dhe krahinat shqiptare në Mal të Zi janë pjesa më e varfër dhe e prapambetur Ballkanit Perëndimor, kjo sipas shumë standardeve ekonomike, sociale dhe ndërkombëtare. Panorama është e njëjtë thuajse kudo ku shqiptarët kanë shkallë të ndryshme të vetëqeverisjes: kapja mafioze e institucioneve shtetërore, privatizimi i egër e korruptiv i pronës publike, i kombinuar me receta neoliberale, shfrytëzimi pa kriter i pasurive natyrore (p.sh. HEC-et që si kuçedra e përrallës po zënë burimet ujore, duke dëmtuar edhe më bujqësisë e prapambetur), shifrat e larta të papunësisë, shtimi i analfabetëve funksionalë me diploma pasuniversitare, denigrimi i shëndetësisë publike, përhapja e sëmundjeve fatale të lidhura me ndotjen mjedisore, rritja e emigracionit në përmasa të njëjta me refugjatët e vendeve në luftë civile, rritja e borxhit publik etj. është panorama e njëjtë thuajse kudo ku shqiptarët vetëveqeverisen. Tregues i pagabueshëm se gjërat nuk po shkojnë aspak mirë është demografia: deri para pak kohësh shqiptarët ishin populli me rritjen më të lartë në Evropë, kurse sot me rënien demografike nga më të lartat në botë. Kudo shqiptarët po e ndjejnë se gjërat duhet të ndryshojnë, mirëpo ende ngurrojnë që ndryshimin ta bëjnë së bashku.

Që një epokë të mbyllet, duhet të nisë një e re. Kosova tani e ka shansin ta krijojë një alternativë për kombin.

“Pranvera shqiptare fillon nga Kosova”: Kështu titullohet nisma e Qendrës në Shqipëri të Lëvizjes Vetëvendosje! për të afruar vullnetarë dhe mbështetje për fushatën e Lëvizjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen së shpejti në Kosovë. Pjesë e kësaj fushate janë videot e aktivistëve nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, të cilët japin arsyet pse fitorja e Lëvizjes në Kosovë është e mirëpritur për shqiptarët e Shqipërisë. Te programi i Lëvizjes Vetëvendosje! ata gjejnë plot pika që do të donin të zbatoheshin edhe në Shqipëri, si vëmendja ndaj sipërmarrjeve prodhuese, siguria e punëtorëve, ndihma për shtresat në nevojë, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, arsimi falas, programet e njëjta arsimore dhe projektet e përbashkëta shkencore, bashkimi i tregjeve, vota për diasporën, masa për parandalimin e diskriminimit gjinor etj. Nuk është se disa prej këtyre pikave nuk ekzistojnë në programet e partive të tjera, madje ka edhe ligje në të dyja shtetet që në pamje të parë duket se i garantojnë disa nga këto të drejta, por aktivistët e dinë se janë të pamjaftueshme dhe se shpesh nuk zbatohen. Sikurse nuk janë zbatuar shumë prej marrëveshjeve të nënshkruara midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Aktivistët nga Shqipëria i janë bashkuar Lëvizjes, sepse besojnë te serioziteti i saj mbi shtetin zhvillimor dhe sepse e dinë se të gjitha këto pika lidhen me të tjera dhe janë pjesë e projektit që e ka Lëvizja për rimëkëmbjen e shtetit të Kosovës dhe për një rilindje të re të kombit.

Lëvizja Vetëvendosje! u shfaq botërisht përmes aksioneve simbolike dhe protestave kundër negociatave të elitës politike së Kosovës me Serbinë për përcaktimin e statusit të Kosovës. Në vitet e para dukej donkishoteske ecja e saj kundër rrymës. Të tjerët ishin për negociata dhe mbështeteshin nga faktorët ndërkombëtarë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje! e akuzonte UNMIK-un për kolonializëm dhe arbitraritet. Lëvizja Vetëvendosje! i bënte thirrje traditës qëndrestare të shqiptarëve ndaj pushtuesve për ta krijuar komunitetin “e njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen”. Por, njëkohësisht, ajo angazhohej për “ndryshime radikale shoqërore e politike, që do të mundësonin respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtave civile dhe drejtësisë sociale për të gjithë dhe për secilin në Kosovë pa kurrfarë diskriminimi”. Ky qëndrim i drejtë e parimor i saj e hapte perspektivën e bashkëpunimeve me aktorë e faktorë të tjerë për zhvillimin dhe emancipimin shoqëror, përfshirë edhe pakicat etnike të Kosovës. Gjithashtu, Lëvizja Vetëvendosje! sovranitetin e Republikës së Kosovës nuk e pa të shkëputur prej pjesës tjetër të kombit shqiptar. Duke pasur në program referendumin popullor mbi bashkimin me Shqipërinë, patjetër që Lëvizja Vetëvendosje! do të kërkonte edhe shtrirjen e vizionit së saj në këtë shtet dhe në hapësirën tjetër të trojeve etnike. Ajo u bë bashkë-themeluese e Rrjetit të Organizatave Shqiptare (RROSH), i cili përfshiu për herë të parë organizata të shoqërisë civile nga Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe komuniteti çam në tryeza diskutimi, deklarata publike dhe veprimtari të përbashkëta. RROSH-i tregoi qartë se Lëvizja Vetëvendosje! bashkimin kombëtar nuk e shihte të shkëputur nga çështje, si demokratizimi, të drejtat e njeriut, ruajtja e mjedisit, barazia gjinore, liria e medias etj., që zakonisht shihen si fusha të shoqërisë civile.

Edhe sot Lëvizja Vetëvendosje! rreshtohet përkrah forcave politike dhe lëvizjeve kombëtare e emancipuese. Së fundi, ajo ka përshëndetur fitoren shqiptare në Komunën e Tuzit, ka përkrahur kandidaturën e Blerim Rekës për president të Maqedonisë së Veriut dhe protestat e studentëve të Shqipërisë për arsim falas dhe cilësor. Brenda Kosovës, Lëvizja ka bashkëpunuar me sindikatat kundër privatizimeve të dëmshme dhe për të drejtat e punëtorëve, me shoqatat e grave kundër diskriminimit gjinor, me shoqatat e nënave të të pagjeturve të luftës, me shoqatat e veteranëve, me ato për ruajtjen e mjedisit etj. Hapja e qendrës në Shqipëri dhe e qendrave të Lëvizjes në diasporë nuk është konceptuar si mbështetje “e jashtme” për organizatën në Kosovë, sepse ato janë vënë në funksion të rrjetëzimit dhe bashkërendimit të veprimtarive për çështjen kombëtare dhe për çdo çështje tjetër që ka interes publik për shqiptarët kudo ku ndodhen.

Në aspektin gjeopolik, Lëvizja Vetëvendosje! I projekton aleancat strategjike të shqiptarëve. Ajo nuk e mbron veç interesat e kombit shqiptar, por edhe perspektivën e paqes dhe të integrimeve euro-atlantike në Ballkanin Perëndimor. Ajo vazhdimisht e ka theksuar rolin destabilizues të Serbinë dhe Republika Sërpskas në Ballkanin Perëndimor, të cilin mund të përballojë fare mirë njëaleancë e qëndrueshme dhe properëndimore midis Zagrebit, Sarajevës, Tiranës, Prishtinës e Sofjes, së cilës i bashkëngjiten Podgorica e Shkupi. Në këtë aleancë rolin ngjizës duhet të luajë kombi shqiptar, i cili është më i rrezikuari nga hegjemonia serbe në rajon. Qëndrueshmëria e kësaj aleance sigurohet nga rrjetet e bashkëpunimit ekonomik, të sigurisë, kulturës e fushave të tjera midis këtyre vendeve.

Kastelsi shkruan se identitetet projektuese kanë nevojë për mobilizues simbolikë, që krijojnë kode kulturore dhe u japin zë ideve dhe vlerave, rreth të cilëve organizohen rrjetet e përkrahësve të këtyre ideve dhe vlerave. Persona të tillë ai i quan “profetë”. Me vendosjen e fjalës midis thonjëzave, Kastelsi tërheq vëmendjen se nuk bëhet fjalë për modelin klasik të profetit karizmatik, që shqipton shpalljen hyjnore. “Profetët” e shoqërive të sotme janë ata që me fjalët dhe veprimet e tyre kthehen në personalitete simbolike, si fytyra të identiteteve politike dhe pika referime për lëvizje, që shpeshherë nuk kanë një qendër të vetme dhe varen nga komunikimi mediatik për t’u sinkronizuar. Në këtë kuptim, Albin Kurti është “profeti” i shqiptarisë moderne, njeriu simbol për ata që, të shpërndarë në shtete e vende të ndryshme, mendojnë për të përbashkëtën shqiptare. Këtë ndjesi e shprehu më së miri politikani Ziadin Sela në Maqedoninë e Veriut kur tha: “Faleminderit Albin që je kaq shqiptar i madh, që punon për të gjithë, pavarësisht se fati na ka ndarë”. Emrit të Albinit i referohet studentit që kërkon një model për ta ndjekur; veterani gjatë përkujtimit të luftës çlirimtare; punëtori, që ngrihet kundër abuzimit; sipërmarrësi, që i është sosur durimi nga korrupsioni i zyrtarëve; qytetari në rrugë kur shtrëngon dorën me të; gazetari në kërkim të mendimtarit në veprim etj. Atij do t’i referohet edhe votuesi në Kosovë, që kërkon një politikan të pakorruptueshëm e vizionar.