` . Fryma e NDSH-së në krahinat veriore të Shqipërisë (1945 -1947) – TV-SHENJA

Fryma e NDSH-së në krahinat veriore të Shqipërisë (1945 -1947)

Misioni i parë ushtarak i pas-Luftës, i cili u vendos në Shqipëri, ishte ai anglez, i cili erdhi më 21 mars 1945. Atë e udhëhiqte gjenerali i brigadës Hodgson, nën udhëheqjen e të cilit ishin gjithsej 38 oficerë e nënoficerë, ndërsa në mesin e tyre ishte edhe udhëheqësi i mëparshëm, nënkoloneli Palmar, pastaj majori Shmit, majori Vatrus dhe majori Robinson. Gjatë muajit maj në Shqipëri erdhi edhe ekipi diplomatik i SHBA-së në krye me G. Jakobs-in, ndërsa në korrik u vendos edhe misioni ushtarak sovjetik në krye me kolonel Sokollov-in

 Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Ripushtimi i Kosovës dhe i trevave verilindore shqiptare nga ushtria komuniste jugosllave (nëntor 1944), si dhe vendosja e regjimit komunist pro-jugosllav në Shqipëri, shkaktoi përplasje të thelluara midis aleancës anglo-amerikane, në njërën anë, dhe asaj sovjetiko-jugosllave, në anën tjetër. Londra dhe Uashingtoni nuk ishin të gatshme ta pranojnë të ashtuquajturën “Qeveri Demokratike të Shqipërisë”, e shpallur në mënyrë të njëanshme më 22 tetor 1944 në Berat. Në mars të vitit 1945 ministri i Jashtëm, Eden, deklaroi para parlamentit se “…gjendja në Shqipëri nuk është aq e qartë, që të mund të arsyetohet pranimi i administratës së tanishme si qeveri”, duke shtuar se së shpejti në Shqipëri do të arrijë një “Mision ushtarak i Britanisë dhe do ta njoftojë Qeverinë e Britanisë”. Ndërkohë, edhe Sekretari Shtetëror i SHBA-ve, përfaqësuesve të shtypit u deklaroi se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar një përfaqësues diplomatik në Shqipëri për shkak informimit për gjendjen e atjeshme” dhe se “Ministria e Punëve të Jashtme dëshiron të ketë informata të detajuara për kushtet politike në Shqipëri para se të marrë vendim…”. Këto deklarata ishin përgjigje ndaj kërkesës së Enver Hoxhës, i cili në janar të atij viti, përmes një note, kërkonte nga këto dy superfuqi, si dhe nga BRSS-ja që ta pranojnë qeverinë e tij të vetëshpallur në plenumin e Beratit. Për dallim nga Londra dhe Uashingtoni, Moska zyrtare, përmes të ngarkuarit me punë të ambasadës në Beograd, i shkruante Enver Hoxhës me sa vijon: “Qeveria Sovjetike me një kujdes dhe simpati të madhe është njoftuar me notën e kryetarit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, kolonel Enver Hoxhës, dërguar kryetarit të Këshillit të Komisariatit Popullor të BRS Sovjetike, Mareshalit J.V. Stalin. Qeveria Sovjetike në këtë kohë përgatitet të dërgojë në Shqipëri misionin ushtarak sovjetik dhe shpreson në miratimin e qeverisë shqiptare për ta pranuar këtë mision…”.

Misioni i parë ushtarak i pas-Luftës, i cili u vendos në Shqipëri, ishte ai anglez, i cili erdhi më 21 mars 1945. Atë e udhëhiqte gjenerali i brigadës Hodgson, nën udhëheqjen e të cilit ishin gjithsej 38 oficerë e nënoficerë, ndërsa në mesin e tyre ishte edhe udhëheqësi i mëparshëm, nënkoloneli Palmar, pastaj majori Shmit, majori Vatrus dhe majori Robinson. Gjatë muajit maj në Shqipëri erdhi edhe ekipi diplomatik i SHBA-së në krye me G. Jakobs-in, ndërsa në korrik u vendos edhe misioni ushtarak sovjetik në krye me kolonel Sokollov-in.

Ndër detyrat kryesore të Hodgson-it dhe ekipit të tij ishte vendosja e kontakteve me krerët opozitarë shqiptarë, një pjesë e të cilëve – për shkak rrethanave të krijuara në atë kohë – ishin detyruar ta braktisin vendin, për t’u vendosur në Itali ose Greqi, ndërsa pjesa e ngelur vepronte në ilegalitet. Në kontaktet dhe bisedimet e zhvilluara jo vetëm me këta, por edhe me disa funksionarë të lartë të regjimit, vinin në dukje se: “Qeveria shqiptare nuk është përfaqësuese”, se e njëjta përbëhet kryesisht nga komunistët dhe nga njerëz të cilët janë shumë të afërt me komunistët, se në Shqipëri nuk ka liri për arsye se nuk ka shtyp të lirë, e as parti politike me organizim të lirë etj.

Çështje në vete për ta përbënte problemi i Kosovës, për çka merrnin opinionin e masave, duke filluar nga fshatari i painformuar e deri te strukturat më të larta udhëheqëse. Aktiviteti i misionit anglez përcillej në hap nga shërbimi sekret jugosllav (OZN), që asaj kohe kishte hapur zyrën e saj në Shkodër, nga ku Beogradi informohej për çdo ditë për aktivitetin e misionit në fjalë. Në raportet konfidenciale, që udhëheqësi i kësaj zyre me pseudonimin “Borac” (Luftëtari) vinte në dukje për një fushatë të hapur e të gjerë të Hodgson-it dhe bashkëpunëtorëve të tij lidhur me problemin e Kosovës thuhej: “…Të gjithë oficerët anglezë  kanë interesim të njëjtë për Kosovën. U intereson shumë se çfarë mendojnë shqiptarët për Kosovën, nga fshatari e deri te kryetari i kuvendit dhe i qeverisë dhe për këtë kryejnë hulumtime të pareshtura. Gjenerali Hodgson shpreh habi përse qeveria shqiptare deri më sot nuk ka dalë me asnjë deklaratë rreth qëndrimit të qeverisë së Shqipërisë ndaj Kosovës e Metohisë, që, sipas mendimit të tij, pikërisht kjo është arsyeja që masat shqiptare, madje edhe nëpunësit shqiptarë, nuk kanë njohuri se në duart e kujt është Kosova, e as që u është e qartë se si kjo çështje do të zgjidhet…. Për sa më sipër mund të gjykohet se anglezët në Shqipëri, me punën e tyre, përpiqen që çështjen e Kosovës ta ngrenë para masave dhe këtë çështje masat ta shtrojnë si kërkesë dhe, në këtë mënyrë, të cenohet miqësia dhe marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë…”.

Duhet theksuar se, përkundër vendosjes së regjimit ushtarako-policor, në shumë krahina veriore e verilindore, udhëheqja komuniste shqiptare jo që nuk arriti ta shuajë rezistencën antikomuniste, por madje ajo nuk kishte mundësi të krijojë as struktura partiake. I deleguari i rinisë komuniste jugosllave, Raif Dizdareviq, në një raport të tij, ndër të tjera, shkruante: “…Unë që herën e kaluar u pata shkruar se një ndër mangësitë më të mëdha të lëvizjes në Shqipëri është ajo se në pjesën veriore, Peshkopi, Mat, Krujë, Lumë, Pukë, Lurë, Mirditë, Shkodër etj., nuk ka kurrfarë organizate, madje as rinore, përveçse në zonat ku vjen ushtria dhe vendos këshilla… Bajraktarët, të cilët në ato zona gëzojnë autoritet para syve të popullit, në masë të madhe janë kundër partizanëve ose janë pasivë. Populli i Lumës, ku ndikim të madh ka Muharrem Bajraktari, populli i Mirditës, i cili është i lidhur ngushtë me kapitenin e Mirditës Mark Gjon Markun etj….”.

Përveç Muharrem Bajraktarit dhe Mark Gjonin, si figura të shquara të cilët asaj kohe vepronin ilegalisht, në ato krahina duhet veçuar edhe: Fiqiri Dinen, Hysni Demën, Shemsi Hatipin, Sabri Maqellaren, Murat Labënishtin, Cen Elezin, Dan Kaloshin, Osman e Zenel Litën, Dostan Rexhepin etj., fushëveprimi i të cilëve shtrihej në krahinat: Dibër, Lumë e Gollobordë, nga ku ata mbanin lidhje të përhershme, si me komitetin e NDSH-së në Dibër të Madhe, ashtu edhe me Muharrem Bajraktarin, i cili vepronte në krahinën e Lumës.

Për veprimtarinë ilegale në krahinat veriore e verilindore, Zyra e OZN-ës në Shkodër raportonte me sa vijon: “Në Shqipëri sot ka rreth 650 të arratisur. Nga ky numër 400 janë të organizuar në grupe, ndërsa të tjerët veprojnë individualisht, shumica e të cilëve janë dezertorë të ushtrisë shqiptare. Grupet ilegale më së shumti qëndrojnë në Shqipërinë e Veriore, ku ndikimi i Frontit ka qenë më i dobët jo vetëm gjatë LNÇ-së, por edhe sot. Prandaj në Shqipërinë Veriore kanë arritur të qëndrojnë udhëheqës të shquar të atyre grupeve, siç janë: Muharrem Bajraktari, Mark Gjon Marku, Fiqiri Dine, Hysni Dema etj. Gjithashtu grupe të tilla qëndrojnë edhe në Shqipërinë e Mesme, në mënyrë të veçantë në prefekturën e Elbasanit, ku deri para pak kohësh fshihej mëkëmbësi i mbretit Lef Nosi. Në kohë të fundit përfaqësues të atyre grupeve, Muharrem Bajraktari, Mark Gjon Marku, Fiqiri Dine dhe Hysni Dema, kanë pasur disa mbledhje. Muajt e parë pas çlirimit grupet kanë lëvizur në numër nga 50-70 njerëz të armatosur, shpeshherë në mënyrë të hapur dhe ishin shumë aktivë. Sot lëvizin në grupe më të vogla nga 5-15 njerëz….”. Më pas Zyra ndalet në aktivitetin e grupeve sipas prefekturave, përkatësisht qarqeve, me një biografi të shkurtër, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Muharrem Bajraktarit, Fiqiri Dines dhe Hysni Demës, të cilët OZN-a i vlerësonte si udhëheqësit kryesorë të krahinave veriore, të cilët mbanin lidhje të përhershme me veprimtarët shqiptarë në tokat shqiptare të ripushtuara nga ushtria komuniste jugosllave. Në pjesën ku përshkruhej aktiviteti i armatosur ilegal në prefekturën e Kukësit (kjo prefekturë përfshinte krahinat Lumë, Has dhe Tropojë) thuhej shprehimisht: “…Në këtë prefekturë ka rreth 150 të arratisur. Prej tyre 90 janë të organizuar në grupe. Grupi më i fuqishëm është i Muharrem Bajraktarit, i cili numëron 70-80 vetë, mirëpo ai lëviz në grup prej më shumti 28 njerëzve. Pjesa tjetër e grupit të tij është shpërndarë në grupe më të vogla, nga 7-12 vetë. Muharrem Bajraktari është nga Uimishti, rrethi Bicaj, dhe ka rreth 55 vjet. Ka qenë kolonel në ushtrinë e Zogut dhe njëri ndër zogistët më të dalluar e luftëtar i partisë Legaliteti në vitin 1924. Ka qenë udhëheqës i operacionit kundër antizogistëve në Dukagjin. Në vitin 1935 u bë adjutant i Zogut. Është shumë ambicioz dhe popullor. Në vitin 1935 hyri në konflikt me Zogun dhe atëherë u arratis në Jugosllavi dhe nga aty kali në Francë. Në vend u kthye gjatë kohës së pushtimit italian. Në krahinën e Lumës e organizoi çetën e vet dhe, kohë pas kohe, konfrontohej me pushtuesin italian. Nuk ka qenë në LNÇ, mirëpo luftëtarët e tij patën marrëdhënie miqësore me partizanët. Mirëpo, Muharremi nuk ishte në Front, por ishte i rezervuar dhe deshi të udhëheqë aksione të pavarura, kur dhe ku të dëshironte vetë ai. Ndaj tij janë bërë gabime, sepse bëhej përpjekje të futet me forcë në Front. Disa udhëheqës të LNÇ-së filluan ta diskreditojnë që në kohën kur bashkëpunonte me partizanët. Gjatë përpjekjes për ta vrarë në pritë ai u arratis dhe tërë krahina shkoi pas Muharremit, sepse fshatarësia tek ai shihnin luftëtarin e vërtetë për të drejtat e tyre. Nga ky moment filloi bashkëpunimi i tij me gjermanët, fillimisht për shkak vetëmbrojtjes, ndërsa më vonë e filloi luftën represive kundër LNÇ-së. Të gjitha përpjekjet e mëvonshme që të tërhiqet në LNÇ-ja ngelën pa sukses. Tërë kohën ishte në lidhje të ngushtë me Gani bej Kryeziun dhe me të takohej në krahinën e Hasit. Mban lidhje me të gjithë opozitarët e Shqipërisë Veriore. Vjeshtën e kaluar (1944 – Q. L.) pati mbledhje me majorin anglez Shmit. Me misionin anglez në Shqipëri mban lidhje përmes Mehdi Ndreut nga Luma (Mehdi Ndreu është nga fshati Sllovë i krahinës së Dibrës – Q. L.). Nga anglezët kërkon ndihmë në oficerë e armatim. Për të pasur një ilustrim më të qartë rreth lidhjes së tij me anglezët, si shtojcë po ua dorëzoj letrën të cilën Muharrem Bajraktari në gusht të k. v. ia dërgoi misionit anglez dhe personalisht gjeneral Hodgsonit (letrën po e publikojmë më poshtë – Q.L.). Në kohë të fundit Muharrem Bajraktari dhe Mark Gjon Marku janë aktivizuar politikisht. Kërcënohen me sulme kundër institucioneve shtetërore, flasin për mbajtjen e mbledhjeve të ndryshme në të cilat është marrë vendimi për fillimin e aksionit më të gjerë…”.

Krahas Kukësit, si prefekturë tjetër ku veprimtaria ilegale kishte shtrirje më të gjerë, “Borac” e përmend prefekturën e Dibrës, numri i të cilëve arrinte shifrën prej 140 vetëve, prej të cilëve 65 ishin të organizuar në grupe, ndërsa veprimtaria ilegale e të tjerëve ishte individuale. Si udhëheqës kryesorë në këtë krahinë përmenden Fiqiri Dine, Hysni Dema dhe Sabri bej Maqellara. Në vazhdim OZN-a, ngjashëm si për Muharrem Bajraktarin, bën një përshkrim të shkurtër biografik edhe për Fiqiri Dinen dhe Hysni Demën. Këtë pjesë të dokumentit e pamë të arsyeshme ta paraqesim të plotë:

“…Fiqiri Dine është djali i Dine bej Maqellarës. Ka lindur në Maqellarë në vitin 1897. Karrierën ushtarake e ka filluar në vitet e para të qeverisjes së Zogut me gradën toger. Para pushtimit të Shqipërisë pati gradën e kolonelit dhe e mbante funksionin e inspektorit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Akademinë ushtarake e ka kryer në Itali. Në prag të pushtimit u arratis në Greqi së bashku me Zogun, mirëpo pas disa ditëve u kthye në vend. Me ardhjen e Gjermanisë hyri në bashkëpunim me ta dhe e pranoi detyrën e kryetarët të Këshillit të Ministrave. Grupi i tij tash numëron 5-6 vetë…”.

“…Hysni Dema – njeri i Zogut që nga viti 1924. Për nga karriera është ushtarak. Deri në vitin 1935 e pati gradën e kolonelit dhe e kryente detyrën e komandantit të përgjithshëm të Xhandarmërisë Shqiptare. Pas vitit 1939 u arratis në Jugosllavi, mirëpo u kthye së shpejti. Atëherë u internua në Itali, mirëpo u lidh shumë mirë me italianët dhe ishte i paguar mirë. Në vitin 1943 mori pozitën e komandantit të përgjithshëm të Xhandarmërisë dhe shërbeu si lidhja e fshehtë e Gestapo-s. Është udhëheqës i operacionit në jug në muajin korrik të vitit 1944 kundër LNÇ-së shqiptare. Ka ndikim në zonën e Homeshit /Zerqanit/. Grupi i tij tash numëron 6-7 njerëz…”.

Është me rëndësi të theksohet se e tërë veprimtaria ushtarake e politike e parisë atdhetare e antikomuniste në krahinat e Dibrës e të Lumës lidhej ngushtë me programin politik të hartuar nga udhëheqja e Organizatës së NDSH-së, e themeluar në janar të vitit 1945 në Shkup, të cilës i prinin mësuesit dhe atdhetarët e shquar shqiptarë: Azem Marana, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli etj. Ndër pikat kryesore të programit të NDSH-së ishte lidhja dhe bashkëpunimi me organizatat simotra në Kosovë dhe në shtetin shqiptar. Nisur nga ky konstatim, në maj të vitit 1945 Mahmut Dumani pati një vizitë disaditore në krahinat e Dibrës e të Lumës. Fillimisht, Dumani ndalet në Dibër të Madhe, me ç’rast takohet me Dr. Qerim Zllatkun dhe Osman Camin, dy figura të shquara të NDSH-së, ndërsa më pas udhëtoi për në Sllovë, për t’u takuar me prijësin e familjes Ndreu, Cen Elezin, si dhe me figura tjera dibrane. Cen Elezi shprehu vullnetin e parisë nacionaliste dibrane, e cila u tregua e gatshme për veprim. Ai mori përsipër që, sa i përket organizimit në Dibër, ta bëjë bashkë me shokët dhe miqtë e tij. Për një lidhje sa më të ngushtë midis NDSH-së dhe çetave të armatosura të Dibrës e Lumës, Cen Elezi e caktoi vëllain e tij, Mehdi Ndreun, i cili njëkohësisht ishte lidhja e vetme midis këtyre çetave me misionin ushtarak britanik. Pas kësaj, Mahmut Dumani u hodh në Kala të Dodës, në shtëpinë e Osman dhe Zenel Litës. Osman Lita ia dha besën se forcat e tij, në koordinim me forcat e Cen Elezit dhe të Muharrem Bajraktarit, do të jenë të gatshme të flijohen për shqiptari. Meqë Muharremi qëndronte thellë në Malet e Lumës, Zenel Lita mori përsipër që ta vinte në dijeni atë për vizitën e Mahmut Dumanit, si dhe për ekzistencën e ONDSH-së në Shkup, për qëllimet e saja, që përputheshin me qëllimet e gueriljes shqiptare në Lumë etj..

Vizita që bëri Mahmut Dumani në Dibër dhe në Lumë pati jehonë të madhe në trevat shqiptare. Shqiptarët, me të madhe, flisnin për ndryshimin e shpejtë në Shqipëri. Lidhur me këtë, Qemal Sejfulla-Orak, nga Dibra, i raportonte KQ të PKM-së për parullat që lëshoheshin në këtë qytet. Në raportin e tij thuhej: “Kohëve të fundit është ngjallë së tepërmi reaksioni shqiptaromadh. Kështu, në rrethin e Dibrës nuk lëshohen vetëm parulla shqiptaromëdha, por edhe përpiqen t’i organizojnë shqiptarët. Për shembull, njëfarë oficeri i një aradhe shqiptare nga Shqipëria e Vjetër-Peshkopi ka ardhur në Dibër dhe i ka treguar një shoku të tij të shkollës, i cili është anëtar partie, duke i thënë: ‘Unë e di se ti je anëtar i Partisë Komuniste, por ti je i ri në parti, ti je i mashtruar, a nuk e sheh se u ka ardhur fundi atyre komunistëve?’, – duke theksuar më pas – ‘ne në Shqipërinë e Vjetër kemi organizatë zogiste, edhe këtu do ta organizojmë atë organizatë, për dy tri javë do të bëjmë kthesë në Shqipëri. Për këtë jam marrë vesh me anglezët, të cilët do të na ndihmojnë…’”.

Aktivitete të bujshme në atë kohë pati edhe Muharrem Bajraktari, i cili në korrik të vitit 1945 i shkruante një letër Mefail Zajazit, me të cilën e njoftontе atë për themelimin e NDSH-së dhe, njëkohësisht, kërkonte nga ai që: “të rregulloni fuqinë e të pritni një urdhër të dytë me të cilin do t’ju kërkojmë të kaloni kufirin ose të filloni veprimet në vendin tuaj..”. Paraprakisht, M. Bajraktari, përmes Mehdi Ndreut, i kishte dërguar një letër gjeneral Hodgso-it, nga i cili kishte kërkuar mbështetje politike e ushtarake.

“Komandës të trupave Anglo-Amerikane në Shqipëri” – thuhej në ballinë të letrës së Bajraktarit. “Ekselencë, fillimisht Jua uroj fitoren në luftë, duke Ju dëshiruar mirëseardhjen në tokën shqiptare. Ekselencë, kombi shqiptar, e sidomos nacionalistët shqiptarë, shpresojnë në ndihmën anglo-amerikane, shpresë të cilën besojmë se nuk do ta tradhtoni asnjëherë. Edhe sot e kemi në memorien tonë gjestin e paharruar, të kryer më 21 janar 1921 në Kongresin e Lushnjës, në dobi të përforcimit të pavarësisë shqiptare, nga ana e kolegut Tuaj, Ekselencës Gjeneral Filips. Sot shkelen të drejtat e kombit shqiptar dhe me të sundon në mënyrë barbare klika komunisto-terroriste me një dashuri të plotë pansllaviste. Prandaj Ju drejtohemi miqve dhe mbrojtësve për shpëtim dhe ndihmë në mbrojtje të interesave kombëtare e tradicionale. Duke shpresuar në Ekselencën Tuaj, Ju lus të pranoni respektin dhe përkushtimin tim. Lumë, 27. VII. viti 1945, Kolonel Muharrem Bajraktari”.

Krahun politik, përkatësisht komitetin e NDSH-së në Lumë, e përfaqësonin mësuesit shqiptarë, si: Quf Agjahu, Xhafer Korbi, Vehap Mrija dhe Ramadan Mehmeti. Ngjashëm si në Lumë, edhe në Dibër të Madhe ekzistonte komiteti i NDSH-së në krye me Dr. Rexhep Zllatkun, Osman Camin dhe Medat Tërshanën. Detyra e këtyre komiteteve shtrihej në shumë fusha, në radhë të parë në furnizimin me ushqim dhe me armatim të çetave, si dhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare te popullsia shqiptare.

Krahas nacionalistëve të përmendur më lart, rol të veçantë në zgjerimin e ndjenjës anglo-amerikane, sipas OZN-ës jugosllave, pati edhe inteligjenca shqiptare brenda strukturave udhëheqëse komuniste shqiptare. Ndër ta shërbimi jugosllav e veçon Sejfulla Maleshovën, për të cilin në një dokument të hartuar gjatë vitit 1947 thuhej: “…Njëri ndër përfaqësuesit e politikës kapitulluese ndaj aleatëve perëndimorë ka qenë Sejfulla Maleshova, ish kryetari i Këshillit Ekonomik, Sekretar i Përgjithshëm i Frontit Demokratik dhe ministër i deritanishëm i Arsimit. Ai ishte bartësi i politikës së bashkëpunimit me çdo kusht me Anglinë dhe Amerikën dhe kundër lidhjes dhe bashkëpunimit të ngushtë me Jugosllavinë. Ai e kundërshtoi zbatimin e reformës agrare, nacionalizimit, ndërtimit të sektorit shtetëror në ekonomi dhe arritjes së kushteve materiale të domosdoshme për ekzistencën e pushtetit popullor…. Kjo linjë oportuniste, e linjës së rezistencës së demokratizimit të plotë të Shqipërisë, mori grusht dhe pësoi disfatë me ndërrimin e Malishovës nga pozita e tij. Me këtë kursi i politikës qeveritare fitoi kuptimin më të qartë e më të sigurt…”.

Përveç Maleshovës, përmenden edhe figura të tjera intelektuale shqiptare, të cilët deri në vitin 1945 kishin qenë përkrahës të LNÇSH-së, mirëpo për shkak politikës vasale të Hoxhës dhe klikës së tij ndaj jugosllavëve, në mënyrë publike u distancuan nga ajo politikë, të cilën ata e quanin shkatërrimtare për kombin shqiptar në përgjithësi. Ndër ta veçohen: Gjergj Kokoshi, Mirash Ivanaj dhe Suad Asllani. Lidhur me veprimtarinë e këtij të fundit, OZN-a jugosllave shprehet: “…Suad Asllani është një personalitet bukur mirë i komprometuar, për arsye se është njeri i anglezëve dhe ndikimi i tij shtrihet kryesisht te një pjesë e inteligjencës, e cila është me orientim anglofil ose është në shërbimin e drejtpërdrejtë të Anglisë. Sot grupi i tij nuk ngre kurrfarë peshe e rëndësie, mirëpo në rast se do të përforcohej lëvizja opozitare, atëherë ky grup do ta përforconte ndikimin e vet dhe do të ishte më i rrezikshëm. Suad Asllani punon si avokat… Pas ardhjes së italianëve qe internuar në Itali. Në Shqipëri u kthye së bashku me Mehdi Frashërin… Në Kongresin e Frontit Demokratik më 5 gusht k.v., Suad Asllani doli kundër listës së propozuar për Këshillin e Përgjithshëm të Frontit si dhe kundër mënyrës së zgjedhjes së Këshillit. Kërkoi të mos përfshihet në këshillin e Frontit… Gjithsesi, se anglezët përmes Suad Asllanit përpiqen ta fillojnë procesin e diferencimit në Front…”.

Më pas OZN-a ndalet edhe në qëndrimin e inteligjencës shqiptare ndaj Jugosllavisë, e cila siç thuhet “ka disponim opozitar ndaj pushtetit popullor”, ku ndër të tjerave thuhet: “…Në veprimtarinë e tyre të përditshme propaganduese vënë në pah se mbështetja tek Jugosllavia e vështirëson pozitën e Shqipërisë para aleatëve…. Ata, për këtë arsye, vlerësojnë se është në interesin e demokracisë së Shqipërisë dhe pavarësisë, që fatin e saj të mos e kërkojnë në bashkësi me Jugosllavinë, për arsye se nëse shpërbëhet Jugosllavia, atëherë do të shpërbëhet edhe Shqipëria. Gjithashtu, ata në mënyrë shumë perfide e shtrojnë çështjen e Kosovës dhe bëjnë përpjekje ta përforcojnë interesimin tek masat popullore dhe këtë e shohin si pikë të dobët të qeverisë shqiptare dhe të LNÇ-së ndaj masave. Çështjen e Kosovës e shtrojnë në këtë mënyrë: mund të kuptohet dhe të pajtohemi me fatin që Kosova dhe Metohia të mos kërkohet nga Jugosllavia para Konferencës së Paqes, mirëpo kërkojnë që qeveria shqiptare të deklarohet se me çfarë programi dhe qëndrimi ndaj Kosovës do të dalë para Konferencës së Paqes. Gjithashtu e shtrojnë edhe çështjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe përpiqen që para masave të dalin me qëndrimin se shqiptarët në Maqedoni nuk janë të barabartë sikurse kombet tjera… Parullat me të cilat ky reaksion sot del janë të gjithanshme, që të mund të përfshijnë masa me vlerësime sa më të gjëra për të gjitha situatat. Sipas të gjitha gjasave, ky aksion është i inspiruar nga jashtë, nga anglezët dhe mbështetet nga ana e elementeve të pakomprometuara jashtë Frontit, të cilët gjenden në vend ose në botën e jashtme e në të cilët anglezët gjithashtu llogarisin për krijimin e rezistencës së bashkuar ndaj Frontit….”.

Menjëherë pas zbulimit të organizatës së NDSH-së në Shkup (22 korrik 1946) dhe arrestimit të kreut më të lartë nga ana e OZN-ës jugosllave, një fushatë e egër u fillua edhe nga ana e njësive ushtarako-policore shqiptare. I besuari i OZN-ës në Shkodër, i njohur me nofkën “Borac”, më 9 gusht 1946 raportonte për një operacion të gjerë, të kryer midis datës 26-30 korrik 1946, nga ana e njësive ushtarake e të Mbrojtjes Popullore Shqiptare në Shkodër, Dibër, Mirditë e Lumë, me ç’rast u vranë një numër i madh i nacionalistëve, ndërsa një numër tjetër u arrestuan.

“Në Kala të Dodës – thuhej në raport – më datë 29 korrik 1946 qenë rrethuar dhe vrarë: reaksionari i njohur Osman Lita dhe tre shokët e tij. Nga grupi i Cen Elezit dhe Xhelal Ndreut janë kapur 18 vetë. Nga këta 15 janë dorëzuar, 2 janë vrarë, ndërsa reaksionari Cen Elezi arriti të arratiset. Muharrem Bajraktari tash gjendet midis Kukësit dhe Biceve. Pas vrasjes së djalit të tij…, ai ka ngelë i vetmuar…”.

Në vazhdim raporti e përshkruante situatën në Shkodër e Ulqin, ku siç bëhej me dije në këto dy krahina vepronin çetat e armatosura të Jusuf Bej Ulqinakut dhe të Hafiz Halil Tahirit: “…Cuf bej Ulqinaku – thuhej në raport – ish mëkëmbësi mbretëror shqiptar, armik i përbetuar i popullsisë sllave në Ulqin, tash gjendet në mal, ku ka formuar një çetë të madhe. Flitet se është në lidhje me reaksionin ndërkombëtar dhe nuk dihet vendi i tij i strehimit. Gjithashtu edhe Hafiz Halil Tahiri – hoxhë nga Shkodra, është në ilegalitet dhe ka formuar çetë të madhe…”.

Pikërisht këto operacione të korrikut 1946, të filluara nga njësitë ushtarako-policore jugosllave kundër udhëheqësve politik e ushtarak të NDSH-së në Kosovë e në trevat verilindore shqiptare, të cilat u pasuan edhe nga ato shqiptare në krahinat e Shkodrës, Dibrës e Lumës, përbënin fundin e rezistencës antikomuniste shqiptare, në ballë të së cilës qëndronte KQ i NDSH-së në Shkup. Pas kësaj, grupi i Muharrem Bajraktarit, i përbërë prej 55 vetave, arriti të arratiset në Greqi, ku në kufirin afër Manastirit u përlesh me njësitë partizane jugosllave dhe pati disa të vrarë, ndërsa vëllai i tij, Bajram Bajraktari, u zu rob dhe u dërgua në burgun e Shkupit. Cen Elezi me disa bashkëveprimtarë qëndroi në ilegalitet deri në korrik të vitit 1948, kur u arrestua nga njësitë ushtarake jugosllave dhe vdiq në burgun e Kalasë së Shkupit gjatë vitit 1949 së bashku me Dan Kaloshin dhe dy bashkëveprimtarë të tij të devotshëm. Vdekja e tyre ishte rrjedhojë e dhunës dhe terrorit të kryer nga ana e oficerëve të UDB-së jugosllave. Duhet theksuar se gjatë vitit 1947 njësitë e Mbrojtjes Popullore Shqiptare vranë edhe dy figurat tjera të nacionalizmës shqiptare: Shemsi Hatipin dhe Murat Labënishtin, të cilët qëndronin në ilegalitet në krahinën e Dibrës e të Gollobordës.

Krejt në fund duhet theksuar se duke filluar nga korriku i vitit 1946, regjimi komunist shqiptar, nën diktatin e vazhdueshëm të Beogradit, bëri pastrimin e të gjithë atyre personaliteteve, për të cilët mendohej se e kundërshtonin vasalitetin e udhëheqjes komuniste shqiptare ndaj Titos dhe klikës së tij, përkatësisht se ishin përkrahës të politikës anglo-amerikane. Kjo dëshmohet nga proceset e shumta të zhvilluara gjatë viteve 1946-1947. Me këtë rast e pamë të arsyeshme të japim një pjesë të fjalimit përmbyllës të Prokurorit Publik të RP të Shqipërisë, Josif Pashku, dhënë në procesin gjyqësor të mbajtur gjatë muajit shtator 1947 në Tiranë, kundër Sheqet Belës, Riza Alizotit, Sul Klosit dhe 21 bashkëveprimtarëve të tyre, të cilët akuzoheshin si “spiunë” të misioneve ushtarake anglo-amerikane në Shqipëri: “Ky proces – shprehet prokurori – dëshmoi qartë se anglezët dhe amerikanët janë përpjekë ta rrënojnë pushtetin tonë popullor, pasi kanë parë se i njëjti nuk i mbron interesat e tyre imperialiste dhe se në Shqipëri e kanë humbur terrenin me të cilin do të mund ta fillonin luftën për arritjen e pushtetit dominues ndaj pjesës tjetër të Ballkanit. Nga ky proces del qartazi se misionet zyrtare anglo-amerikane nga dita e parë e çlirimit kanë zbatuar urrejtje ndaj pushtetit tonë popullor duke tubuar rreth vetes të gjithë spiunët e huaj, veçmas amerikanët, në krye me Fulcin (). Në këtë proces janë zbardhur fakte të shumta, të cilat dëshmojnë për qëndrimin armiqësor të qeverive anglo-amerikane ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë dhe dëshmojnë se misionet zyrtare anglo-amerikane, duke e organizuar reaksionin për vepra terroriste dhe sabotime kundër pushtetit popullor, janë përzier drejtpërdrejti në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Imperialistët anglo-amerikanë, e sidomos amerikanët, një kohë të gjatë kanë punuar në organizimin e elementeve të tilla, përmes të cilëve në Shqipëri do të mund t’i realizonin qëllimet e tyre imperialiste. Ky proces dëshmon qartë se misionet zyrtare e jozyrtare anglo-amerikane në Shqipëri e kanë ndihmuar moralisht dhe materialisht reaksionin e brendshëm në luftë kundër popullit dhe se kanë financuar spiunë e saboterë me qëllim të rrënimit të ekonomisë sonë popullore. Ky qëndrim armiqësor i misioneve zyrtare anglo-amerikane lidhet edhe me qëndrimin armiqësor të qeverive të Londrës e Uashingtonit ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë. Qeveria e Anglisë dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kanë penguar pranimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe ndaj nesh kanë marrë qëndrim armiqësor në Këshillin e Sigurimit”.

Rrjedhimisht, Gjyqi vendosi që tre vetë: Shefqet Bela, Riza Alizoti e Sul Klosi, të dënohen me vdekje – varje, 15 të tjerë me dënim me vdekje – ekzekutim, 4 me burg të përjetshëm, ndërsa 2 me dënim prej 20 vjet robëri.