` . Fotografia me zyrtarin e lartë amerikan - TV-SHENJA

Fotografia me zyrtarin e lartë amerikan

Shkruan: Çelo Hoxha

Më 14 shkurt 2016 Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, John Kerry, bëri një vizitë katërorëshe në Tiranë, bëri dy takime, me Kryeministrin dhe kryetarin e opozitës, dhe u largua duke e lënë politikën shqiptare në qerthullin e vet të vulgaritetit që kishte nisur disa ditë para ardhjes së zyrtarit të lartë amerikan.

Në ditët para vizitës mediat shqiptare theksuan në mënyrë frekuente faktin që në vizitën e Kerry-t nuk ishte parashikuar takim me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Fakti që agjenda e Kerry-t nuk parashikonte takim as me presidentin e Republikës nuk i bëri kujt përshtypje. Arsyeja është kjo: Presidenti Bujar Nishani është jashtë lojës politike që po zhvillohet në Tiranë, takohej apo jo me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve – e parë nga këndvështrimi politikës lokale – kjo as i prishte e as i rregullonte punë kujt, madje as vetë Nishanit. Në Tiranë, më shumë se brendia e vizitës, vlerësohet shumë fakti se kush do bëjë fotografi me zyrtarin e lartë që vjen, kush do t’i japë dorën ose me kë do të takohet, që publiku “ta kuptojë” se cili është i preferuari i amerikanëve. Kjo logjikë servilizmi është aplikuar prej shumë dekadash në Shqipëri. Pas lufte, një vizitë e krerëve komunistë shqiptarë në Beograd u shoqërua me tension mes tyre, sepse në një darkë Tito kishte mbajtur në krah Koçi Xoxen dhe jo Enver Hoxhën, i cili ishte kryetari i delegacionit shqiptar. Ky mesazh ishte i rëndësishëm atë kohë që Shqipëria ishte në tutelën jugosllave. Në një rast tjetër, për të treguar “dashurinë” e Stalinit për Hoxhën, në Shqipëri u botua një foto e tyre krah njëri-tjetrit në tribunë, në Moskë, dhe kjo foto qarkulloi gjatë gjithë diktaturës komuniste, madje ishte dhe në kopertinën e librit të Hoxhës “Me Stalinin”. E vërteta ishte ndryshe, në foton origjinale me Stalinin, në qendër, dhe Enver Hoxhën në të majtë të tij, kishte qenë dikush tjetër, që në versionin shqiptar të fotos ishte hequr.

Mostakimi me sekretarin Kerry në këtë kohë nuk është një gjë e mirë për Ilir Metën ose, të paktën, ky ishte kumti i lajmeve, të cilat ishin, sipas mediave, të nxitura nga Kryeministri Rama. Meta ka kaluar një vit të vështirë, duke filluar që me akuzat e një deputeti se ai kishte planifikuar vrasjen – me pagesë – të akuzuesit dhe një deputeti tjetër. Çështja shkoi në prokurori, u bë telenovelë në media, dhe i vendosi një njollë të madhe imazhit të aleatit kryesor në qeverisje. Meta vetë e quajti normale, i pyetur në një intervistë, mostakimin e tij me sekretarin e shtetit, nuk do të takohej me të “sepse ai nuk ishte kryetar i Kongresit”, që do të thotë nuk ishte homologu i tij. Kjo në fakt nuk është normë. Hillary Clinton, për shembull, kur vizitoi Shqipërinë si Sekretare Shteti, mbajti dhe një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, por ka pasur dhe raste kur Sekretari i Shtetit nuk ka shkuar në Kuvend. Kjo loja e imazhit të shtrëngimit të duarve është kthyer në një makth për Metën, sepse një herë mediat njoftuan që kancelarja gjermane Angela Merkel anuloi një vizitë në Shqipëri, ngaqë s’donte të takohej me Metën.

John Kerry erdhi, takoi Presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe u largua brenda ditës. Pas takimit me Kryeministrin, u dha një konferencë e përbashkët për shtyp, ku palët falënderuan njëra-tjetrën me shprehjet thuajse standarde për miqësinë e të dy vendeve. Për mediat shqiptare, para vizitës, flitej se dy do të ishin çështjet kryesore të vizitës: reforma në drejtësim që po debatohet prej muajsh në Shqipërim dhe krijimi i një Byroje Hetimit, e cila do të merret me luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Në lidhje me këto çështje Kerry tha se Shqipëria ecën në rrugën “e duhur”, se i kishte bërë përshtypje miratimi i ligjit për dekriminalizmin e politikës (miratuar në dhjetor) dhe u shpreh optimist, “madje shumë”, nga paketa për reformën në drejtësi, që po diskutohet në Tiranë. Sigurisht, këto ishin deklarime të përgjithshme, që duken sikur e lavdërojnë punën e qeverisë, por duke ditur shkakun kryesor të vizitës së tij në Tiranë, këto nuk ishin prioriteti i tij. Në takimin me liderin e opozitës, Lulzim Basha, pasi ky i shprehu qëndrimin e tij, Kerry i sugjeroi – dhe këtë e di nga burime të sigurta – që opozita të ndiqte sugjerimet e Komisionit të Venecias. Kjo do të thotë që të bjerë varianti i Qeverisë, e cila ka përgatitur një paketë ligjore të vetën, të ndryshuar, sipas opozitës, nga varianti paraprak i miratuar nga Komisionit i Venecias, në dhjetorin e kaluar.

Me largimin e Kerry-it nga Shqipëria, politika u zhyt në luftën e saj lokale të interesave të ngushta, për t’i “shpjeguar” publikut vizitën dhe mesazhet e saj. Kryeministri foli me ironi, në një intervistë për televizionin Vizion Plus, për pritjen që Presidenti Nishani i bëri Kerry-t në aeroport dhe që, veç shtrëngimit të duarve në çastin e zbritjes, ata nuk patën një takim tjetër. “Për hir të së vërtetës nuk do të doja që Presidentin tim ta shikoja duke bërë shefin e protokollit të shtetit në aeroportin e Rinasit.”, u shpreh Rama. Presidenca reagoi, duke shpjeguar se pritja ishte bërë me kërkesë të Sekretarit Kerry, përmes Ambasadës, dhe kërkoi që Rama t’i tërhiqte fjalët e tij, kurse ky i fundit u shpreh se ishte keqkuptuar dhe kështu kjo histori u mbyll. Daljen e Presidentit te avioni, për të pritur një ministër të punëve të jashtme, e quajti si të pazakontë, “nga pikëpamja protokollare”, dhe “Zëri i Amerikës”.

Pak ditë pas largimit të Kerry-t nga Tirana, opozita bëri disa deklarata shtypi për çështje të ndryshme, në të cilat kritikonte Qeverinë, Kryeministrin ose ministra të veçantë, duke përdorur shprehje të tilla, si: “nuk po zbaton porositë e lëna nga sekretari Kerry” etj. Ndërkaq Qeveria përdorte formulime të tilla në kahun e kundërt. Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, në Kuvend (18 shkurt) ministri i Ekonomisë tha, mes të tjerave, se puna e mirë e Qeverisë vërtetohej nga fakti që John Kerry tha se “jeni në rrugën e duhur.”

Dhe, në seancën e parë parlamentare pas vizitës së Kerry-t, më 18 shkurt, opozita e kritikoi ashpër Qeverinë për mungesën e transparencës në lidhje me vizitën e Sekretarit të Shtetit. Sipas opozitës, Qeveria nuk e kishte përmendur fare qëllimin kryesor të kësaj vizite, për të cilën opozita dhe publiku shqiptar, sipas kritikëve, u informuan nga Kerry. Dhe, opozita kishte të drejtë. Pas largimit të Kerry-t nga Tirana, “Zëri i Amerikës” dha lajmin, duke cituar një zyrtar të Departamentit të Shtetit, që Shqipëria kishte pranuar të strehonte rreth tre mijë anëtarë të opozitës iraniane (muxhahedinë) që jetonin prej shumë vitesh në Irak. “Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, ka qenë në Shqipëri për të falënderuar qeverinë shqiptare për strehimin e anëtarëve të grupit opozitar iranian të njohur ndryshe si muxhahedinë,” shkruante VOA në faqen elektronike, duke cituar zyrtarin e DASH-it. Ky fakt nuk u përmend në konferencën e përbashkët të Sekretarit të Shtetit me Kryeministrin Shqiptar dhe shpjegimin për këtë sërish shqiptarët e mësuan nga VOA. “Zyrtari i DASH tha se Kerry para se të niste vizitën në Tiranë ra dakord që të mos fliste publikisht për zhvendosjen e muxhahedinëve, pasi mbetet një çështje e ndjeshme.”, shkruante VOA.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Shqipëria ka strehuar muxhahedinë. Qeveria e mëparshme e Sali Berishës priti rreth 1.000 mijë të tillë, të cilët janë ende në Shqipëri, por jo në mënyrë sekretive si kësaj radhe. Dhe, njëri nga deputetët që e kritikoi ashpër Qeverinë për mostransparencë ishte vetë Berisha.

Sidoqoftë, vizita e një zyrtari të lartë amerikan të këtij niveli është shndërruar përherë gati në një festë në Shqipëri, në shenjë mirënjohje ndaj shtetit amerikan për ndihmën që ka dhënë për çështjen shqiptare gjatë historisë dhe, veçanërisht, për Kosovën. Presidenti amerikan George Bush zgjodhi Shqipërinë, në një datë të shënuar të saj, 10 qershor 2007, përvjetori i Lidhjes së Shqiptarëve, për të deklaruar se Kosova do të jetë shtet i pavarur. Një premtim që u bë realitet tetë muaj më vonë. Kjo ishte vizita e pestë e një Sekretari Amerikan në Shqipëri që nga rënia e regjimit komunist.

Postime të Ngjajshme