` . Fotografi nga Xhamia e të Dërguarit nga rrezet e para të diellit në Medine (FOTO) - TV-SHENJA

Fotografi nga Xhamia e të Dërguarit nga rrezet e para të diellit në Medine (FOTO)

Haxhinjtë nga të gjitha viset e botës, pas përfundimit të riteve të Haxhit në Mekë, këto ditë mbërrijnë në Medine, që edhe njëherë ta vizitojnë xhaminë dhe varrin e të Dërguarit të fundit të Zotit Muhamed a.s, si dhe vende tjera të rëndësishme në këtë qytet. Xhamia e të Dërguarit sigurisht është diçka që i jep bukuri të veçantë Medinës, shkruan AA.

Fotoreporteri i AA-së regjistroi disa fotografi nga Xhamia e të Dërguarit me rrezet e para të diellit. Brenda dhe jashtë xhamisë ka shumë haxhinjë që pas lutjes së mëngjesit mbetën në oborrin e xhamisë dhe pritën daljen e Diellit.

Medina është qyteti i dytë më i shenjtë tek muslimanët, pas Mekës. Ky është destinacioni i të dërguarit Muhamed a.s pas hixhretit të tij nga Meka, dhe është qytet në të cilin gjendet xhamia dhe varri i të Dërguarit të fundit.

Ndonëse nga Meka arrijnë haxhinjtë e parë, në xhami tashmë vërehen një numër i madh i vizitorëve.

Haxhinjtë kanë mundësi që ta vizitojnë edhe Revdan, një nga karakteristikat e kësaj xhamie, por edhe Medinën në përgjithësi. Er-Revda el-Mutahara, siç quhet më saktë, paraqet hapësirën mes varrit të të Dërguarit dhe minberit të tij, për të cilin në një hadith thuhet se është një nga kopshtet e xhenetit. Në këtë hapësirë i dërguari ka kaluar çdo ditë nga shtëpia e tij derisa vinte për namaz. Këtu i vinte edhe shpallja nga Allahu xh.sh.

Krahas Revada-s dhe varrit të të Dërguarit Muhamed a.s, haxhinjtë kanë mundësi që të vizitojnë edhe dy mesxhide të njohura në Medine: Mesxhidin Kuba, xhaminë e parë, duke mos i konsideruar dy xhamitë në Mekë dhe Kuds, si dhe xhaminë Kibletejn, ku ka ardhur deri te ndryshimi i kiblës (drejtimit gjatë namazit) nga Bejt-l-Makdis në Kuds drejt Qabes në Mekë.