` . Formula 1, Hamilton fiton garën e Japonisë, një hap para titullit të kampionit - TV-SHENJA

Formula 1, Hamilton fiton garën e Japonisë, një hap para titullit të kampionit

Piloti britanik me bolidin e Mercedesit, Lewis Hamilton fitoi garën e Formula 1 të mbajtur mëngjesin e sotëm në Garën e madhe të Japonisë në Suzuki, raporton AA.

Hamilton filloi garën nga pozicioni i parë i startimit dhe mbajti kryesimin deri në fund. Me fitorën e tetë të këtij sezoni dhe me gjithsej 61 fitore në karrierën e tij, Hamilton arriti një hap para titullit kampion, pasi rivali i tij më i madh, gjermani Sebastian Vettel, u tërhoq nga gara për shkak të një defekti në bolidin e Ferrarit.

Vendi i dytë sot i takoi pilotit holandez të Red Bull-it, Max Vestappen, dhe në vendin e tretë ishte kolegu i tij i ekipit, australiani Daniel Ricciardo.

Deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe katër gara, kurse Hamilton ka një përparësi prej 59 pikësh para Vettel dhe në rast të fitores në garën e ardhshme mund të sigurojë titullin e kampionit.

Në vendin e tretë në radhitjen e pilotëve është piloti i Mercedesit, Valtteri Bottas, i cili ka vetëm 13 pikë më pak se Vettel.

Ekipi i Mercedes-Benz me 540 pikë të fituara bindshëm udhëheq në radhitjen e konstruktorëve përpara Ferrarit, i cili ka 395 pikë.

Gara e radhës në Formula 1 është planifikuar për më 22 tetor dhe do të mbahet në pistën Austin të SHBA-së.

Postime të Ngjajshme