` . Formimi i Qeverisë së re, LVV dhe LDK arrijnë marrëveshje programore - TV-SHENJA

Formimi i Qeverisë së re, LVV dhe LDK arrijnë marrëveshje programore

Ka përfunduar takimi i gjashtë, njëherësh i fundit mes grupeve punuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizje Vetëvendosje, për arritjen e marrëveshjes për programimin qeverisës.

Takimi, sipas rotacionit, është mbajtur në selinë e LVV-së.

Avdullah Hoti nga LDK-ja ka thënë se me LVV-në janë pajtuar për të gjitha pikat programore.

“Ky është takimi i fundit për pjesën programore të marrëveshjes. E them me kënaqësi se kemi arritur të kemi marrëveshje për të gjitha çështjet programore. Për sa na përket neve si grupe punuese kemi arritur të përmbyllim diskutimet dhe pritet që shumë shpejt raportin ta dorëzojmë tek liderët e dy partive”, ka thënë Hoti para gazetarëve, me të përfunduar takimi.

Ai ka thënë se pas kësaj u mbetet liderëve të partive që të ulen menjëherë pas certifikimit të rezultateve për ta konkretizuar dhe për të formalizuar këtë marrëveshje.

“Besoj që kemi vendosur një standard të ri dhe një transparencë të plotë para qytetarëve pas këtyre takimeve. Për aq sa ne kemi qenë të mandatuar jemi dakorduar për strukturën e qeverisë dhe formën se si do të strukturohen institucionet. Tash i përket liderëve politikë të vendosin për formimin e qeverisë”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se ndonjëherë ka këndvështrime të ndryshme.

“Disa çështje me qëllim janë lënë anash që të diskutohen mes liderëve. Ne nuk kemi diskutuar asnjëherë për asnjë post”, ka thënë Hoti.