Forcat izraelite arrestojnë 31 palestinezë, përfshirë 2 fëmijë në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite arrestojnë 31 palestinezë, përfshirë 2 fëmijë në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite në bastisjet gjatë gjithë natës në Bregun Perëndimor të pushtuar, arrestuan 31 palestinezë, përfshirë 2 fëmijë, transmeton Anadolu.

Në deklaratën me shkrim nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë thuhet se forcat izraelite mbrëmë kanë kryer bastisje në shtëpitë e palestinezëve në Kuds dhe në qytetet Al-Khalil, Ramallah, Qalqilya, Jenin dhe Betlehem.

Në deklaratë thuhet se gjatë bastisjeve që kanë zgjatur gjatë gjithë natës janë arrestuar 31 palestinezë, mes të cilëve 2 fëmijë, si dhe është vërejtur se gjatë bastisjeve janë rrahur palestinezët duke përdorur forcë joproporcionale, të arrestuarit dhe familjet e tyre janë kërcënuar, shtëpitë dhe sendet janë dëmtuar dhe janë konfiskuar telefonat celularë.

Në deklaratë thuhet se Izraeli ka arrestuar më shumë se 2.570 palestinezë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori dhe se ky numër përfshin ndalime në shtëpi, në postblloqe ushtarake dhe ata që u detyruan të dorëzoheshin duke ushtruar presion ose duke mbajtur anëtarët e familjeve të tyre peng.

Gjithashtu thuhet se në këtë numër përfshihen ata që u liruan pas ndalimit dhe ata që janë ende të ndaluar.

Paralelisht me bombardimet e rënda të Rripit të Gazës të bllokuar për më shumë se një muaj, ushtria izraelite rrit gjithnjë e më shumë shkallën e shkeljeve dhe dhunës kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar me bastisje, operacione ndalimi dhe ndarje të qyteteve me postblloqe ushtarake.

Dhuna e kolonëve hebrenj kundër palestinezëve në qytete të ndryshme të Bregut Perëndimor nuk ndalet. Numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite dhe kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori ka arritur në 196.

MARKETING