` . Fonetizimi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe - TV-SHENJA

Fonetizimi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe

Pavarësisht faktit se alfabeti i zgjedhur i Stambollit kishte diagrame, kjo nuk prishte punë, meqenëse secili diagram paraqiste një shkronjë që shënonte gjithmonë një vlerë tingullore, me të cilën realizohej një fonemë. Këtë qëndrim të rilindësve e përkrahën edhe pjesëtarët e Komisisë Letrare (1916), duke u deklaruar për një kodifikim të drejtshkrimit që në bazë kishte parimin fonetik.

Shkruan: Haki Ymeri – Bina

Kërkesa për fonetizim të mundshëm të fjalëve të shqipes së sotme, që kanë shqiptim të lehtë, mund të mbështetet me përcaktimet e shprehura lidhur me zbatimin e parimit fonetik në drejtshkrimin e gjuhës shqipe:

Ata që morën pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të cilët me referatet e tyre u përcaktuan për zbatimin parimit fonetik, të gjithë këta i kishin parasysh qëndrimet e:

  1. a) Pjesëtarëve të Rilindjes Kombëtare; b) pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit (1908); c) pjesëmarrësve të Komisisë Letrare të Shkodrës (1916-1918); ç) shumicës së autorëve të fonetikave të gjuhës shqipe, …si dhe të pikës nr. 2 të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ku thuhet: ”Parimi themelor i rregullave të drejtshkrimit të shqipes të jetë parimi fonetik”. (Me siguri në rezolutë mendohet për zbatimin e parimit fonetik në një tekst të shkruar në gjuhën standarde, e jo në fjalë-artikuj të fjalësit të fjalorit, ashtu siç e bëri profesor Androkli Kostallari).

Sa i takon parimit fonetik, aty thuhet se ky parim duhet zbatuar në të gjitha rastet kur shqiptimi letrar paraqitet i njësuar. Në këtë mënyrë do të vendoset një lidhje e ngushtë midis formës së shkruar dhe formës së folur të gjuhës letrare. Kur në shqiptimin letrar ka variante normative, drejtshkrimi do të mbështetet tek ajo trajtë që është më e përgjithshme dhe që pajtohet me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të gjuhës letrare”.

Kjo pikë me rëndësi të veçantë e Rezolutës së Kongresit, që paraqitet si pikë e dytë e Parimeve të përgjithshme në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe” në f. 35, ku thuhet se “thelbi i parimit fonetik i drejtshkrimit të shqipes mbështetet në sistemin grafik ku ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis shkronjës dhe tingullit-fonemës, domethënë në përdorimin social të tingujve të gjuhës…”, është një parim që u përkrah nga të gjithë pjesëmarrësit e KDGJSH-së dhe, si i tillë, u përcaktua si parim themelor në drejtshkrimin e shqipes, ndërsa parimi morfologjik u përcaktua si parim përcjellës i parimit fonetik. (Disa pjesëmarrës të KDGJSH-së provuan zbatimin e parimeve drejtshkrimore ta shprehin përpjesëtimisht. Kështu profesor Androkli Kostallari na e jep këtë raport: në 17.847 ose 76,7% të fjalëve të fjalësit të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të vitit 1954 është zbatuar parimi fonetik, ndërsa në 5.419 ose 23,2% të fjalëve në të cilat janë zbatuar parime të tjera. Këto rezultate, që i nxori prof. Kostallari, nuk mund të merren të sakta, sepse në fjalët e fjalësit të cilitdo fjalor zbatimi i parimit morfologjik mbizotëron).

Siç dihet, rilindësit,: “duke përdorur alfabete të ndryshme, trashëguan diçka nga të parët e tyre për të zbatuar, po ashtu, parimin drejtshkrimor fonetik në gjuhën e tyre letrare kombëtare, duke lënë anash atë traditë të paktë shkrimore të së kaluarës”. Këtu në rend të parë mendojmë në qëndrimin e Sami Frashërit, i cili me plot të drejtë e preferoi parimin fonetik “një tingull një shkronjë dhe një shkronjë për një tingull”, mendim i cili ishte parim vendimtar për pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit. Pavarësisht faktit se alfabeti i zgjedhur i Stambollit kishte diagrame, kjo nuk prishte punë, meqenëse secili diagram paraqiste një shkronjë që shënonte gjithmonë një vlerë tingullore, me të cilën realizohej një fonemë. Këtë qëndrim të rilindësve e përkrahën edhe pjesëtarët e Komisisë Letrare (1916), duke u deklaruar për një kodifikim të drejtshkrimit që në bazë kishte parimin fonetik. Ata thoshin: “Ortografia, do të jetë fonetike, të shkruhet ashtu si flitet sot prej popullit”. Ky ishte një mendim i drejtë dhe më i mundshmi që mund të merrej. Prandaj gjuhëtari i shquar Aleksandër Xhuvani ishte i qartë: “Asht njigja e pamundun që të kthehemi në të vjetrat, me pranue një mënyrë shkrimi të bazuem mbi etimologjinë”. Mendoj se ky mendim i Xhuvanit kishte ndikim edhe te prof. Çabej, i cili shprehte një shqetësim për atë se ç’po ndodh me drejtshkrimin e shqipes (Këtë mendim, si duket, në kohë të punës së KDGJSH-së, e përmbajti edhe Eqrem Çabej, heshtazi duke thënë: “kam frikë se do të bëjmë një gjuhë të letrës”. Sot askush nuk po pyet se ç’frikë kishte ky plak mendjendritur dhe ç’do thoshte ajo ”të bësh gjuhë të letrës”). Një qëndrim i këtillë i rilindësve u dha ndihmë të madhe më parë përpiluesve të abc-së në vitin 1908, e më vonë, pas 64 viteve, në vitin 1972, edhe anëtarëve të komisionit për kodifikimin e gjuhës standarde shqipe.

Përveç rilindësve, është me rëndësi edhe qëndrimi i profesor Anastas Dodi në punimin: “Drejtshkrimi dhe shqiptimi letrar” në KDGJSH; (botimi i Prishtinës) 1972; f. 143, po edhe në Fonetikat e tij, ku thuhet: “Parimi themelor i drejtshkrimit të gjuhës sonë është parimi fonetik. Sipas këtij parimi fjalët dhe morfemat e tyre të shkruhen ashtu siç shqiptohen. Zbatimi i këtij parimi është bërë i mundshëm, për shkak të tipareve themelore të sistemit fonematik të shqipes letrare… Për shkak asaj se përbërja fonematike e dy varianteve që mbështeteshin në to ishte e afërt , kështu që njësimi i drejtshkrimit mund të realizohej mbi bazën e këtij parimi. Këtë e ka ndihmuar edhe alfabeti i Stambollit i vitit 1879, i cili hapi rrugë të re në sistemin grafik të shqipes, i cili me gjithë ndryshimet që pësoi mori trajtë përfundimtare me caktimin e alfabetit të sotëm në Kongresin e Manastirit….”

Në këtë drejtim duhet sjellë edhe qëndrimin e profesorit Mahir Domi, i cili në punimin e tij: “Parimi fonetik dhe zbatimi i tij në drejtshkrimin e gjuhës shqipe”, referat i botuar në KDGJSH, f. 111, thotë: “Kur një gjuhë gjatë zhvillimit historik ka pësuar ndryshime të mëdha sidomos në fonetikë, po drejtshkrimit të saj s`i janë bërë nga koha në kohë rivlerësime për ta afruar, aq sa është e mundur, me sistemin fonetik të gjallë, krijohet një hon i vërtetë midis aspekteve të shkruar dhe të folur të gjuhës letrare, duke e bërë shumë të vështirë përvetësimin e rregullave drejtshkrimore…në ç’rast përhapen pengesa për përhapjen sa më gjerë të fjalës së shkruar në masat popullore…”

Këtu po e ndërmendim edhe qëndrimin e dikurshëm të profesorit Emil Lafe, tani një partizan për mosprekjen e drejtshkrimit, i cili në “Diskutimet rreth parashtresave në komisionet e seksioneve” të KDGJSH-së (botimi i Prishtinës, 1972, f. 79), thotë: “Seksioni A i punimeve të Kongresit ka tërhequr më tepër nga ata që janë për zgjidhje sa më të përgjithshme në bazë të parimit fonetik, ndërsa Sesioni B paska kërkuar të zgjerohet edhe fusha e parimit morfologjik”. Mirëpo diskutimet publike të zhvilluara gjatë pesë viteve (prej 1967 e deri në vitin 1972 me intelektualë, veçmas me njerëz të arsimit) kanë shprehur mendimin për një ngushtim të vendit të parimit morfologjik. Ky mendim që e mbështet fonetizimin e drejtshkrimit të gjuhës standarde shqipe shihet mirëfilli në tekstin vijues të prof. Emil Lafes:”Vija e zhvillimit tregon se kemi kaluar nga shtegëtar; shqipëtar; kupëtoj; cakëtoj… tek trajtat e sotme pa [ë]. E njëjta gjë do të vlente për punëtor; pjesëtoj, të cilat pa [ë] do të ishin më të lehta për t`u përvetësuar… Shumica siç duket janë për të ecur në rrugën e heqjes të [ë]-ve të tepërta. Fatkeqësisht, ajo kërkesë e zgjerimit të fushës së parimit morfologjik tani është “fetishizuar” jashtë mase, për ta harruar amanetin e të parëve tanë (të hershëm dhe të atyre të 1972-shit), se cilin parim drejtshkrimor duhet ta ketë drejtshkrimi i gjuhës standarde shqipe.

Në fund po e sjellim edhe qëndrimin e profesorit Memushaj (Memushaj, Rami; në Fonetika…, 2010, f. 190), lidhur me parimet e drejtshkrimit dhe me nevojën e zbatimit të parimit fonetik, i cili thotë: “Shqiptimi do të ecë përpara më shpejtë, ndërsa drejtshkrimi do të mbetet prapa.Kjo do ta bëjë të nevojshme rishikimin e drejtshkrimit të shqipes dhe reformën e tij, me qëllim për ta afruar me shqiptimin. Nevoja për rishikimin e drejtshkrimit është bërë e ndjeshme në ditët tona… Shkrimi asnjëherë nuk mund të shkojë paralel me shqiptimin pasi shkrimi është më konservator”. Ai mbetet edhe me shekuj e mileniume i paprekur, nëse nuk ka njerëz për ta ndryshuar. Paramendoni çfarë fati kishte shkrimi thumbor i gjuhës hetite të karakterit CENTUM (perëndimor), e cila mbeti e pandryshuar, në territor të gjuhëve të karakterit SATEM (lindor).