` . Fondacioni Dauti në 5 vjetorin e themelimit transformohet në Fondacioni Albis – TV-SHENJA

Fondacioni Dauti në 5 vjetorin e themelimit transformohet në Fondacioni Albis

Në prezencë të një numri të madh të përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, përfaqësuesve të korit diplomatik, profesorëve, studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme, sonte u shënua 5 vjetori i themelimit të Fondacionit Dauti. Nën moton ‘5 vjetë me ju, për të mirën e shoqërisë’, para të pranishmëve u shfaqën të arriturat e Fondacionit Dauti dhe projektet e realizuara, si dhe u shpallën fituesit e bursave për studentë dhe për nxënësit e shkolave të mesme.

Themeluesi i Fondacionit Dauti, Xhemail Dauti, në fjalën e tij paralajmëroi ndryshime të mëdha brenda fondacionit, të cilat sipas tij, do të përforcojnë lojalitetin e fondacionit.

“Me ndryshimet e reja, Fondacioni nuk do të ketë Këshill Mbikëqyrës, por do të ketë Këshill të Donatorëve. Gjithashtu, me ndryshimet juridike që i kemi bërë, themelues të fondacionit nuk janë vetëm pronarët e kompanisë Dauti Komerc, por janë të gjithë donatorët. Prej këtij momenti, emir i Fondacionit Dauti shkon në histori, fondacioni mban emrin e ri, Fondacioni Albis”, tha Xhemail Dauti.

Ai tha, ky do të jetë fondacion i të gjithë kompanive, në mënyrë që të gjithë t’i realizojnë idetë e tyre filantropike dhe të kenë më shumë mundësi për të realizuar përgjegjësinë shoqërore. /SHENJA/