` . Fitorja e NATO-s dhe vendosja e paqes në Kosovë - TV-SHENJA

Fitorja e NATO-s dhe vendosja e paqes në Kosovë

Fushata ajrore kishte tre javë që vazhdonte e ndërprerë ose e kufizuar, herë pas here e ndikuar nga kushtet atmosferike. Amerikanët këmbëngulnin që mund t’i ndalonin bombardimet vetëm kur Millosheviqi t’i përmbushte kushtet e vëna nga SHBA-të dhe aleatët…

Shkruan: Urim TUSKU, Tiranë

Forcat e NATO-s e nisën sulmin mbi Serbi për t’i dhënë sa më shpejt fund luftës në Kosovë. Por, amerikanët ishin gabuar mbi këtë parashikim, pasi Millosheviqi e njihte vetëm gjuhën e forcës dhe ishte i vendosur t’u qëndronte ballë bombardimit të forcave të NATO-s. Millosheviqi dukej se kishte vendosur katër qëllime bazë: 1) Ta shkatërronte UÇK-në; 2) Ta ndryshonte përgjithmonë ekuilibrin etnik në Kosovë; 3) T’i trembte shqiptarët që kishin mbetur në Kosovë dhe 4) Të krijonte një krize humanitare dhe destabilizuese që do të shqetësonte komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi për shqiptarët ishte i qartë “Duhej të largoheni dhe nuk do t’ju lëmë të ktheheni përsëri”.

Në mënyrë që t’i jepej sa më shpejt fund luftës, gjenerali Uesli Klark (Uesley Clark) kërkoi të shtohej numri i aeroplanëve dhe të shtohej lista e objektivave që duheshin goditur. Kishte dhe zëra në Pentagon, që theksonin se nisma që kishin ndërmarrë SHBA-të, do të dështonte keqas. Lufta krijoi shumë trauma për shqiptarët, por gjithashtu u dha shpresa për një të ardhme të lirë nga sundimi i egër i Millosheviqit. Presidenti Bill Klinton dhe Sekretarja e Shtetit M. Ollbrajt ishin të vendosur të provonin se Millosheviqi ishte ai që kishte vepruar gabimisht. SHBA-të dolën fituese në konfliktin e Kosovës. Gjatë 10 ditëve të para të prillit administrata amerikane në këtë periudhë ishte e mendimit ta armatoste UÇK-në, mirëpo kjo ide shumë shpejt u hodh poshtë, sepse mund ta përçante Aleancën. Por, nëse aleanca perëndimore nuk ishte e mendimit që ta armatoste UÇK-në, serbët do ta përdornin popullsinë civile për t’u mbrojtur. Andaj kryeministri britanik, Toni Bler (Tony Blair), ishte i mendimit se duhej një ndërhyrje tokësore. Por, ai ai ngeli i vetëm në këtë mendim, sepse analiza e NATO-s kishte përllogaritur se një ndërhyrje e tillë mund të kushtonte disa mijëra viktima.

Edhe ideja për ndërprerjen e bombardimeve për një kohë u hodh poshtë, kjo si shenjë dobësie. Bashkë me britanikët, amerikanët e nxitën Aleancën t’i shtonte bombardimet dhe ta zgjeronte më tej numrin e objektivave.

SHBA-të, bashkë me aleatët, ranë dakord se pas luftës Kosova do të duhej të shndërrohej në një protektorat, duke e quajtur sovrane e Jugosllavisë vetëm me fjalë. U hartua edhe një plan afatgjatë në Departamentin Amerikan të Shtetit për rindërtimin e gjithë rajonit të Ballkanit. Qëllimi i SHBA-ve ishte të dëshmonte se konflikti nuk ishte një përleshje e vetmuar, por pjesë e një lufte më të gjerë midis forcave të nacionalizmit të egër dhe mbrojtësve të integrimit dhe demokracisë. Si model për integrimin e Ballkanit u mor plani “Marshall”, i cili e kishte ndihmuar Evropën pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo ndihmë do ta nxiste bashkëpunimin e vendeve të mbarë rajonit, sepse kjo i shërbente edhe Beogradit, me kusht që ta rrëzonte Millosheviqin nga froni. Me pak fjalë, po luhej edhe me joshjen e disa elementëve të moderuar, që vinin nga radhët politikanëve të Serbisë, që të bënin një grusht shteti në Serbi. “Megjithatë, presidenti Bill Klinton ishte i bindur se fushatat ajrore do të sillnin rezultat dhe synonte ta shmangte dërgimin e trupave tokësore derisa të vinte çasti për t’u përdorur për paqe”. Ajo për të cilën po mendonin amerikanët ishte dërgimi i një force ndërkombëtare pasi të pushonin bombardimet. Mirëpo, që të arrihej kjo, përveç një marrëveshje me aleatët, duhej që këtë ta pranonte edhe Rusia, pasi ajo njihej edhe si mbështetëse e Millosheviqit. Por, nëse Rusia pranonte parimin që refugjatët duhet të ktheheshin, duhej ta kuptonte se ata nuk do të guxonin të ktheheshin pa pasur një forcë ndërkombëtare të pranishme që t’i mbronte.

Në mes të prillit të vitit 1999 ishin 4 javë luftë. Goditjet e NATO-s po jepnin fryte. Ndërkohë, duke parë efektin e goditjeve, amerikanët ranë dakord me aleatët që forcat e NATO-s të hynin në Kosovë në një mjedis “lejues”. Edhe pse e mendonin një gjë të tillë, sërish nuk po merrnin asnjë hap, sepse amerikanët vuanin pak nga sindromi “vietnamez”, që para se të hyjë në një vend, duhej menduar dalja. Kryeministri britanik, Tony Blair, sugjeronte që të përgatiteshin të futeshin aty ku situata do të bëhej gjysmëlejuese. “Kjo do t’u jepte mundësi SHBA-ve që t’i tregonin Millosheviqit se ishin të vendosur ta bënin atë që ishte e nevojshme për të fituar”. Në fund të fundit, nëse e ardhmja e Kosovës ishte aq e rëndësishme, sa të mbrohej me anë të luftës ajrore, s’mund të thuhej se nuk ishte po aq e rëndësishme sa të mbrohej edhe me luftë tokësore. NATO ishte në prag të 50-vjetorit të themelimit të saj, mirëpo nga bisedimet që kishte zhvilluar më parë Sekretarja M. Ollbrajt me aleatët britanikë, ata ishin për një variant tokësor. Gjermanët dhe italianët ishin kundër, ndërsa francezët do ta mbështetnin atë vetëm kur të miratohej nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Presidenti amerikan Bill Klinton (Bill Clinton) dhe kryeministri britanik Toni Bler (Tony Blair) kishin një miqësi dhe ishin në çdo moment në mbështetje ndaj njëri-tjetrit. Bleri shkoi në Shtëpinë e Bardhë për një takim, ku do të diskutonte për çështjen e Kosovës dhe për atë që NATO të shpëtonte nga përçarja. Bleri nuk ngulte shumë këmbë për një angazhim tokësor, por në të gjitha deklaratat publike, si Klintoni, ashtu dhe Bleri, e vinin theksin tek uniteti i përbashkët për luftën e Kosovës. Me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, NATO-ja filloi të bënte plane të tjera, sepse goditjet ajrore ishin të pamjaftueshme, andaj duhej parë një mënyrë tjetër për ndërhyrje. Ish-kryeministri britanik Bler, në kujtimet e tij, thotë se: “Në fillim objektivat ishin të shumta. Por, teknologjia dhe armët moderne veprojnë shpejt. Atëherë lindte problemi: po tani? Objektivat janë më të përziera me zonat civile. ‘Dëmet anësore’ – një frazë e rëndë që unë përpiqesha ta ndaloja – rriteshin dhe gabimisht goditeshin pika të paparashikuara. (Në këtë rast, jo vetëm civilë, por edhe një aksident i tmerrshëm ishte goditja e ambasadës kineze në Beograd.) Armiku dëmtohej, por nuk ishte mundur. Shqetësimi rritej, si edhe një ndjenjë për diçka të padrejtë, që ekzistonte të paktën në vende perëndimore, thjesht për fushatën ajrore. ‘Aeroplanët kundër ushtarëve’ nuk është shumë e drejtë. E gjithë kjo shton presionin kundër liderëve politikë. Po të mos jesh i kujdesshëm, agresori fillon të duket si viktimë”. Derisa bënte goditje ajrore, NATO bëri edhe dy gabime, kur goditi një karvan me shqiptarë të shpërngulur, pasi mendoi se ishte autokolonë e ushtrisë serbe. Gabimi i dytë ishte ambasada kineze në Beograd.

Në ditën e hapjes se takimit me rastin e 50-vjetorit të krijimit të NATO-s, gjeneralët Uesli Klark dhe Neuman thanë se intensifikimi i fushatës ajrore dhe rritja e presionit ekonomik ndaj Beogradit mund të bënin që Millosheviqi t’i pranonte kushtet e SHBA-ve. Mirëpo, ditën e fundit të takimit presidenti rus Boris Jelcin i telefonoi presidentit Klinton dhe i kërkoi që zv.presidenti Al Gore dhe ish-kryeministri rus të punonin bashkë për të gjetur një zgjidhje për Kosovën. Ish-kryeministri rus, Viktor Çërnomerdin, propozonte pushimin e zjarrit, që gjatë kësaj periudhe Çernomerdini të shkonte në Beograd bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, për të gjetur një zgjidhje. “Presidenti Kliton u përgjigj se nuk do të lejonte që OKB-ja të bisedonte në vend të NATO-s”. NATO-ja e kishte disi të vështirë, pasi mjetet ushtarake që duhej të goditeshin nga forcat ajrore futeshin për t’u fshehur në qendrat e banuara, por atë çfarë kishte menduar Millosheviqi ishte plotësisht e dështuar, pasi tragjedia e refugjatëve po i binte si një gur i rëndë mbi kokë. Më 15 prill të vitit 1999 presidenti Klinton mbajti një fjalim përpara opinionit publik amerikan dhe gazetarëve lidhur me situatën në Kosovë. “SHBA-të, së bashku me aleatët, ndodhen në Kosovë, sepse duam ta ndalojmë masakrën dhe spastrimin etnik, sepse SHBA-të kërkojnë të ndërtojnë një Evropë të qëndrueshme, të bashkuar dhe të begatë, që ta përfshijë Ballkanin dhe fqinjët e tij dhe sepse nuk duam që shekulli XXI të mbizotërohet nga dyzimi i errët i armëve moderne me urrejtje të lashtë etnike racore dhe fetare”.

Fushata ajrore kishte tre javë që vazhdonte e ndërprerë ose e kufizuar, herë pas here e ndikuar nga kushtet atmosferike. Amerikanët këmbëngulnin që mund t’i ndalonin bombardimet vetëm kur Millosheviqi t’i përmbushte kushtet e vëna nga SHBA-të dhe aleatët… Ato ishin: 1) Forcat serbe të sigurimit duhej të largoheshin nga Kosova; 2) Kosovarët e shpërngulur të kenë mundësi të kthehen dhe 3) Të vendoset një forcë ndërkombëtare sigurie për t’i mbrojtur të gjithë kosovarët, duke përfshirë edhe pakicën serbe. Ishin këto kushte që duheshin përmbushur, për t’i ndaluar bombardimet. Lufta e Ballkanit, që kishte filluar 10 vjet më parë, duhet të mbaronte dhe ky konflikt duhej të ishte i fundit, sipas SHBA-ve, dhe shekulli XXI duhej ta gjente Ballkanin në paqe.

Më 7 maj të vitit 1999 një gabim fatal shkaktoi goditjen e Ambasadës Kineze në Beograd nga avionët e NATO-s. Ky gabim shënoi dhe incidentin e parë diplomatik. Kinezët akuzuan SHBA-të se e kishte goditur me dashje godinën e Ambasadës Kineze. Bombardimet e Ambasadës Kineze e përqendruan vëmendjen e opinionit ndërkombëtar te ky incident. Rusia e dërgoi në Kinë Çernomerdinin, ku ai e quajti bombardimin e SHBA-ve dhe të NATO-s si akt agresioni. Rusët kërkonin ta përçanin NATO-n, andaj SHBA-të u detyruan të bëjnë një prapakthehu, duke e pranuar gabimin. Kryeministri italian bëri thirrje për t’i ndërprerë bombardimet, por në të njëjtën kohë i lejoi avionët e vendit të tij të merrnin pjesë në misionin e NATO-s. Në SHBA shkonin lajme se forca të shumta serbe po dezertonin dhe në Beograd po bëheshin demonstrata kundra luftës. Bombardimet e NATO-s ia kishin vështirësuar ushtrisë jugosllave lëvizjet me pajisje të rënda ose në numër të madh dhe kështu dukej sikur dy vrapues ishin vënë në garë dhe kush do të qëndronte deri në fund ose këmbët e kujt do të lodheshin më shpejt. “NATO-ja bënte llogaritë për një fushatë tokësore, andaj vendosi ta dyfishonte numrin e trupave që i kishte dërguar më parë në Maqedoni dhe Shqipëri. Këto trupa do të përgatiteshin për të shërbyer në një mision paqeruajtës vetëm pasi do të vendosej paqja”. Rusia e kishte dërguar në Beograd Çërnomerdinin. Takimi midis këtij të fundit dhe Millosheviqit kishte zgjatur 10 orë dhe në fund të dy dolën me një deklaratë të përbashkët provokuese ndaj SHBA-ve, ku i kërkonin Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratonte një rezolutë për Kosovën: “Në përputhje me kartën e OKB-së”. Kancelari gjerman, Shrëder, e ftoi Çernomerdinin, bashkë me presidentin e Finlandës, Ahtisaari, dhe një përfaqësues amerikan, në Bon. SHBA-të e dërguan Strobe Talbot-in, i cili raportoi se qëndrimi i rusëve ishte jo i kënaqshëm. Andaj SHBA-të i kërkuan përfaqësuesit të tyre në mbledhjen e Bonit, Talbot, të qëndronte i palëkundur për tërheqjen e forcave të sigurimit jugosllav dhe kjo i dha frytet e veta, sepse Moska u dorëzua përballë Uashingtonit. Për të dytën herë SHBA-të dhe Rusia kishin rënë dakord se çështjen duhet ta zgjidhnin Aleanca dhe Rusia dhe se Millosheviqi nuk kishte pse të përzihej. Përfundimisht, NATO-ja dhe Rusia arritën në një mendim të përbashkët. SHBA-të ishin të vendosura të qëndronin në kushtet e tyre dhe nuk lëkundeshin për asnjë moment. Më në fund Millosheviqi e kuptoi se e kishte humbur edhe përkrahjen e Rusisë, e pranoi marrëveshjen dhe i kërkoi parlamentit të tij ta miratonte. Ishin përpëlitjet e fundit që vinin nga Beogradi, por pa ndonjë sukses, kur pa se e humbi edhe aleatin e tij besnik, Rusinë.

SHBA-të tani ndjeheshin triumfues. “Siç parashikohej, ditët në vijim ishin të mbushura me tension dhe diskutime në lidhje me hollësitë, por në datën 9 qershor NATO-ja dhe zyrtarët ushtarakë serbë arritën një marrëveshje të menjëhershme për tërheqjen nga Kosova të trupave serbe dhe për dislokimin e një force ndërkombëtare të sigurisë nën komandën e unifikuar të NATO-s”.

Nuk duhet harruar kurrë ajo që ndodhi në Kosovë. Ndërhyrja e NATO-s i dha botës një mësim, që askush nuk duhet të nëpërkëmbë të drejtat e njeriut.