` . Fisi i Bardhit - TV-SHENJA

Fisi i Bardhit

Shkruan: Dritan Skenderi

E gjitha filloi kur Bardhi, të cilin me çdo kusht mundoheshin ta paraqesin si fëmijë i adoptum (bir shpirt – siç i thotë populli) edhe pse t’gjithë e dinin shumë mirë se ai ishte nga po ai fis kreshnik e fisnik, anipse ai ishte jetim, erdhi koha qi t’dalë sheshazi e t’deshmojë se këtij fisi për nji kohë t’gjatë i patën mbetur ca jetimë, por ama nuk ishte krejt (fisi) jetim. Demek, erdh vakti qi tashmë kryeplaku i fisit t’ishte ai qi asht i denjë për te dhe qi ishte prej familjeje e gjaku kreshnikësh e fisnikësh.

Prej familjes Bardhit gati se t’gjithë burrat e odës kishin marrë kush msysh e tjetri veten n’qejf, i treti ia kish msy kapadaillëkut, e kshtu me rradhë, a për t’qenë skena sa komike aq edhe tragjike, pikërisht kta burra rrihnin gjoks për hyqymet, e lëre më për kryefamiljar e kryeplak fisi. Vetëm Bardhi kishte arrit t’u ikë ktyre alameteve t’zeza, mbase mund t’ishte provoku a ndiku ndojherë pak nga ata, por edhe ai vetë edhe t’gjithë t ë tjerët e dinin fort mirë se ai nuk ishte si ata, jo, ai kishte mbet kreshnik e fisnik, i familjes e i fisit. Ai kurrë nuk kishte gënjy a mashtru, aq me tepër n’besë Zotit e t’vatanit. Eh pra, kjo ishte pengesa ma e madhe e rritjes, pjekurisë dhe gjallnimit t’Bardhit, sepse do ju hiqte tortën nga goja burrave t’odës, do ju prishte konakun, do ju ngatërronte vendin e kuvendin, ku ata i ndanin hiset me akraba e me qeha, me zotni e me faqezi, veç me qenë ata pari. Ndaj n’fillim flisnin me përçmim e përqeshje për “Bardhoshin e vockël”, pastaj herë-herë donin t’i kujtonin se ai ishte rritë n’at konak e familje dhe se herë-herë edhe qe ndihmu nga ata për ndoj gjë. Ndërsa kur e panë se familja e gjanë, e i tanë fisi, ia ndigjonte fjalët Bardhit, ahere nuk hezituan edhe ti thonë se ishte nji jetim, nji bonjak i adoptuar n’gjirin e tyre dhe se nuk ishte nga ai gjak… Eh, sa t’paftyrë e t’pabesë! Po Bardhi, megjithqi i lëndum e i fyem, kurrë nuk kërkoi as hakmarrje e as shpagim, e as deshti ti kërkohet falje atij, ai veç deshti qi ksaj familjeje e ktij fisi t’i kthehet nami e nishani, t’i kthehet nderi e defteri.

Pusia nisi me u kurdis ahere kur njani nga ata burra u nda nga oda për me kërkue bashkimin e burrave t’odës e t’fisit. Gja qi as dreqi n’fije sën i bie…
I dyti u nda nga vllai i tij, për me thanë se s’pari duhet me pastru n’shpi e pastaj me dalë n’kojshi, mirë ama ai ma s’pari shkoi e kërkoi me i pastru shpiat e mahallave tjera bile!! Leje se kojshinë e harroi, po shpinë e vet ku e çoi?! Haj medet medet, ksaj i bjen ja n’shpinë tande i huj me mbet, ja krejt kojshitë e mahallat me i shti n’xhep t’vet…
I treti shkoi e vodhi vasijetin e lalës vet, haj t’themi se nuk e vodhi, por ia mori pa e pyet. E ktë e bani për me kallzue se gjoja ky ditka ma s’miri me e mbajt amanetin e t’parve qi e menduen dhe hartuen kët vatan, sepse ky e paska at vasijet. Ta lamë se vasijeti isht kanë për ni kasolle n’livadhi, po a edhe kët me e kërku me hajni?! Haj medet medet, zi e ma zi…!

Nejse, siç patëm kallzue se Bardhi i kisht ba dikat ksaj pune t’burrave t’odës, e i kishte hetue hajnitë e dredhitë e tyne, ia kish nis me dhanë haber n’familje e n’mahallë, shpi e m’shpi, n’krejt fisninë. Kur ia nisi me u folë e përfolë gjithandej për katandinë e fisit e vatanit, ahere me t’madhe i dhanë telallit për hajninë e pabesinë e burrave t’odës, krejt ata qi mu at odë e lëshuen e u ndanë, gjoja se edhe ata paskan qenë t’mashtruem e n’ket katandi gisht nuk kanë. Ata bile thanë se burrat e odës janë edhe e zeza e shpisë edhe e kojshisë, edhe hal peshku n’sy edhe helm mjerku n’bukë t’varfnisë. E kshtu i banë për vete disa njerëz t’mirë, qi përnjimend donin t’frymojnë ma lirë…
Nejse, mos me e zgjatë shumë, mbasi fisi n’kamë ishte çue e kisht ba za, tash e tutje punët ndahen – tha – ska me qenë ma qysh ka kanë. Vakti erdhi me nda kulaçin me do jabanxhi, qi ka nji kohë e nji zaman, n’vatan tonin jan hisexhi. Njaj ma i keqi e ma i kuqi, qi s’la arë e shpi pa u përzi, s’la nderë pa prek e zullum pa ba, s’la asnji t’zezë ktij fisi pa i ba, bash ai i donte prap dizgjitë.

E mue m’kujtue qysh kanë thanë t’moçmit – dijes lëshoja e vendin e urtisë kuvendin – kshtu qi m’ra n’mend nji i urtë në nji kuvend, qi pati porositë për ata qi kanë mend: mos iu gzo kalit që i ke hyp përmbi, se ai qi t’ka hyp n’kalë dizgjitë t’i ka vëndu ty.
Besoj se m’kuptoni çka du me thanë, t’dashtun miq e jaranë.

Erdhi puna veç n’nji konak, nji dorë e mençur me u zgjat, me u zgjat me kallzu kufi, mos me lane kend n’kuvend pa dëshmu qi ka tapi. E t’ja nisën ujq e dhelpna, egërsina e hiena, me mbush sheshe e me ba zhurmë, mos me mund me ba as gjumë. Bardhi rinte urtë n’nji skaj, tuj diftu e tuj pi çaj, me at popull e me at fis, tuj ba me dije për hilet e shpisë, n’od t’burrave e t’jabanxhisë, krejt belajat si jane kurdisë. Kush besonte e kush jo, e disa tjerë pat pa karar. T’mjerët ne, Zoti na mbroft, jetë e t’ardhme me i lujt zar!
Bardhi i pat thane qysh ahere, krejt fisit i kisht dhan dikat e haber, kjo odë burrash s’punon me nderë, jabanxhisë i asht ba argat e na ka shitë n’derë, po kta burra qi lëshun odën, mos mendoni se njimend kanë vlerë, n’fund prap bashkë bahen e na bajnë ma shumë qeder!
Ktu ke kulmi n’familje e n’fis, nisën me folë për Bardhin sikur shumë asht begjendis, edhe ky – thanë – e ndjeu veten si mbret e si ma i miri, a thu megjith mend e ka kët telall, apo mos u gjet paprit n’ksi hall. N’t’vërtetë kshtu s’dyshoj krejt fisi, po kto shpifje i hodhi aj pisi. Aj qi shkollë e buk kisht shpifjen, aj qi n’drekë e ndron dhe kiblen. S’asht me randsi me e dit me tamam, kush kto shpifje i ka thanë, po ne duhet me e ditë, qi kto fjalë i thot veç nji zemër e shpirt i lig.
Eeeh, miq t’dashtun e jarana, ku ke llafi te muhabeti, vaj vatani e mjer mileti. Fjalë e Bardhit del tamam, u bashkun barqet n’nji sahan. Burrat e odës prap n’shkam u ulën, mbetet t’kuqit prap ti përkulën.

Zot i Madh Ti na kujto e nga fitnja e belaja neve na mbro, na ban ta shohim hakin qartë si dritën, ata qi njimend Ty t’besojnë t’i ndjekim, e jo ata qi me Ty shesin e shiten! Amin!

Postime të Ngjajshme