` . Fishta në një dritë tjetër – TV-SHENJA

Fishta në një dritë tjetër

Shkruan: Zeqirija Ibrahimi

Shkrimtari i madh shqiptar, që jo pa të drejtë dhe pa teprim cilësohet si Homeri Shqiptar, autori i Lahutës së Malcisë, Gjergj Fishta, sa herë që vjen para lexuesit shqiptar përmes ndonjë antologjie si kjo e Dom Viktor Sopit, të duket se je duke e lexuar për herë të parë këtë vepër. Ke përshtypjen se je duke lexuar një Fishtë tjetër, të cilin deri atëherë nuk e ke njohur. Dhe, kjo jo vetëm për faktin se Fishta është një figurë poliedrike që vështirë përkapet me një lexim, por edhe për faktin se shkrimtarët e këtillë rëndom lëngojnë nga paraqitjet fragmentare që u bëhen. Këtë fat e ka pasur edhe Fishta i madh. Një kohë ishte krejt i mohuar dhe “mollë e ndaluar”, më vonë u prezantua pjesërisht dhe ashtu si u pëlqente studiuesve që e prezantonin atë, por më duket se pak ose aspak është sjellë në këso drite.

Ajo që duhet thënë me këtë rast është se, ashtu si Naim Frashëri nëpër disa komplete veprash, ku ai del gati se krejt materialist dialektik, duke ia gjymtuar veprat që ai i ka me tematikë fetare, një fat të tillë e ka përjetuar edhe Fishta i madh, i cili shpesh nga disa studiues është paraqitur gati si secili shkrimtar tjetër në kuptim të qasjes shekullariste ndaj botës. Andaj, jam i mendimit se kjo antologji, që është hartuar nga dora e një prifti shqiptar, por mund ta themi me të drejtë se ai është më shumë se prift – sepse njohuritë e tij të letërsisë nuk dallojnë fare nga një studiues i letërsisë, hap një dritare të re dhe ndezë një dritë të re për njohjen e Fishtës.

Madje, mendoj se kjo antologji dhe të tillat si kjo, janë tejet të rëndësishme për njohjen e vërtetë të shkrimtarëve shqiptarë. Këtu, përveç si shkrimtar, Fishtën e kemi edhe si prift. Dhe, aq më shumë që edhe perceptimi i tij në këtë antologji na vjen përmes një prifti. Për këtë arsye kujtoj se kjo është drita më e saktë e njohjes së Fishtës. Nëse dakordohemi se Fishta është Homeri shqiptar, atëherë edhe vargu i parë i Fishtës “Ndihmo Zot si m’ke ndihmue” përballë vargut “Këndo hyjneshë mëninë e Akil Pelidit” te Homeri, flet për qasjen e thellë monoteiste që ka Fishta ndaj letërsisë. Dhe, kur kundrohet kështu, i bie të themi se letërsia më e bukur shqipe, ajo që i ka dhënë vulë letërsisë sonë – klasikes shqiptare, është ajo që mbështetet në frymëzimin e Zotit.

Për këtë arsye kjo antologji, autori i saj dhe vetë Fishta kështu bëhen prototipë të asaj që është ose që duhet të jetë letërsia shqipe. Kjo vepër dhe ky shkrimtar është shembulli më tipik i frymës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shkrimtarët e Rilindjes thuaja pa përjashtim ishin njerëz që kishin besim të fuqishëm në Zot dhe të cilët moralin religjioz e shihnin si të domosdoshëm në ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar. Natyrisht, kjo buronte nga bindjet e tyre religjioze, qofshin ato islame ose të krishtera.

Një dimension tjetër i rëndësishëm i kësaj antologjie dhe i veprës së Fishtës është fakti se ai është shkrimtari më i mirë shqiptar që di ta bëjë aq bukur ndërlidhjen e atdheut me fenë. Një bashkëdyzim që shumë shkrimtarë të sotëm, por jo vetëm shkrimtarë, për shkak të rrethanave të tjera, e kanë aq vështirë ta perceptojnë si është e mundur. Për Fishtën dashuria për Krishtin dhe dashuria për Shqipërinë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por vetëm e plotësojnë. Njësoj si edhe te Naim Frashëri, Pashko Vasa e të tjerët. Për këtë arsye, sa herë që bëhet përpjekje nga disa studiues që këta shkrimtarë të shekullarizohen, që ashtu të bëhen shkrimtarë “të preferuar”, jo vetëm që e gjymtojnë letërsinë shqipe dhe na pamundësojnë perceptimin e saj të saktë, por kujtoj se ashtu më shumë e shpërfaqin qasjen e tyre personale, sigurisht jo të saktë, për atë që paraqet letërsia klasike shqiptare.

Ajo që del në pah jo vetëm në këtë antologji, por më shumë se gjithkund në të, është se Fishta – megjithëse artin e tij letrar nuk e shihte vetëm në funksion estetik, ai përsëri është një shkrimtar jo dosido, por një shkrimtar që e njeh mjaft mirë teorinë e letërsisë, e di se çfarë paraqet vlerë poetike, ndërsa ajo që lexohet ndërmjet rreshtave të veprës së tij është njohja e tij e lartë e traditës gojore shqiptare, por edhe e frymës kristiane të dashurisë.

Ndërkaq, kur jemi te dashuria e krishterë, që ndjehet dhe lexohet fuqishëm në veprën e Fishtës, si edhe në këtë antologji, duhet të themi se – duke qenë pranë shqiptarëve rëndom jofetarë – është ngritur deri në mit termi tolerancë fetare, që me të të dëshmohet se shqiptarët nuk e kanë problem që u përkasin më shumë feve. Dhe, në këtë rast nuk u kanë lënë hapësirë të flasin vetë ata që janë fetarë. Sepse fetarët e vërtetë, qofshin të krishterë ose myslimanë, jo që tolerohen – ngase toleranca është një veprim i padëshirueshëm, por i imponuar – por ata ushqejnë për njëri-tjetrin dashuri. Shembuj të këtillë kemi plot në historinë shqiptare, që nga përqafimi me dashuri që një hoxhë ia bëri At Fishtës në Kongresin e Manastirit pas një fjalimi të zjarrtë që kishte mbajtur prifti shkodran ose fjalimi legjendar që Hafiz Ali Kraja mbajti me rastin e vdekjes së At Fishtës. Janë këto shembuj përtej tolerancës dhe më shumë flasin për dashuri dhe respekt ndërvëllazëror.

Në të vërtetë, njerëzit e Perëndisë edhe ashtu nuk mund të ushqejnë urrejtje për askënd, sepse ashtu i mëson Krishti ose Muhamedi. Në këtë drejtim Fishta është shembulli i më i mirë se në çfarë drejtimi duhet të ecë edhe sot kleri shqiptar, qoftë ai mysliman ose kristian. Unë mund të flas me admirim për disa shembuj të këtillë në Shkodër, por jo edhe për shembuj të tillë në ambientet e tjera shqiptare, sidomos në Kosovë, e aq më pak në Maqedoni. Klerikët e sotëm shqiptarë duhet të mësojnë më shumë nga këto personalitete dhe ta dinë se nuk guxojnë asnjëherë që, për shkak të epiqendrave të tyre fetare ose për shkak të universalizmit të fesë së cilës i përkasin, të krijojnë ndarje në kombin tonë. Fundja, mëkat po aq i madh sa shkujdesja ndaj besimit, mund të jetë edhe moskujdesi ndaj kombit, sepse kombi është vullnet i Zotit për ne, ndërsa të drejtën e besimit Zoti na e ka lënë neve në dorë që vetë të vendosim. Andaj, ne duhet të jemi të kujdesshëm të gjithë si shqiptarë, që ta ruajmë dashurinë ndërfetare, madje do të kisha kërkuar nga klerikët shqiptarë që komunikimin ndërmjet tyre ta kryejnë vetë pa pasur nevojë për ndërmjetësim nga shqiptarë që kanë problem në temën e njohjes së Perëndisë.

Marrë në tërësi dhe shprehur me fjalët e Aurel Plasarit, i bie të themi se detyra jonë është jo t’ia gjejmë Fishtës vendin që i takon ne letërsinë shqipe, por t’ia kthejmë historisë së letërsisë shqipe atë që i mungon. Këtu do të shtoja se kombi shqiptar ka nevojë për njohje më të madhe të kulturës së përshpirtshme shqiptare, pra jo vetëm për njohjen e plotë të Fishtës, por edhe të autorëve të tjerë, që t’i perceptojë më ndryshe këta kolosë të artit poetik shqiptar. Sepse Fishta, si e thotë Don Viktor Sopi, është shkëmb i shpirtit dhe kombit shqiptar

Krejt në fund mund të themi edhe se antologjia që kemi para vetes është një përzgjedhje e kujdesshme, mjeshtërore dhe shumë e rëndësishme për njohjen e saktë të Fishtës. Ndërsa mirënjohja për autorin e saj është se ai si besimtar që është, por edhe si studiues i letërsisë, ia ka dalë mjeshtërisht që vetëm përmes saj të na e sjellë Fishtën në një dritë që ne nuk besoj se e kemi njohur më parë. Për këtë arsye i jemi mirënjohës atij dhe e falënderojmë për këtë dhuratë që ai ia bën kulturës shqiptare. /SHENJA/