` . “Filmi henez fillon” - TV-SHENJA

“Filmi henez fillon”

Asnjë qeveri për një afat të gjatë nuk mund të shtrojë asnjë projekt, për shkak se, apo, përsëri do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, kështu që secili që do të gëzohet se ka hyrë në ndërtesën në “Ilindenska” përskaj Vardarit, duhet të jetë i vetëdijshëm se gëzimi i tij do të jetë me “fitil të shkurtër”.

Shkruan: Agim JONUZ, Shkup

Sot (23.02.2017) euforia, për shkak të së dhënës se Zoran Zaev definitivisht i merr nënshkrimet nga BDI-ja dhe hyn në filmin e konstituimit të qeverisë, arrin katarzën. Për ata që mendojnë më cilësisht me kokën e vet loja henez fillon, derisa populli mendon se gjithçka është mbyllur me të kaluarën. Çfarë budallakie! Problemet henez fillojnë. Përse? Ja përse.

Si e para, vetëm njeriu naiv mund të konsiderojë se VMRO-ja ashtu, bram, do të thotë “bujrëm, po e kthejmë pushtetin!”, as cilado qeveri me afat të shkurtër se do të jetë e suksesshme, bile as ata që nuk kanë hyrë në lojën politike do të qetësohen derisa s’e shohin emrin e tyre në ndonjë listë. Maqedonia është një fushë e madhe për të ushtruar shtetin. Paralelisht me këtë është edhe poligon për ushtrimin e gjeopolitikës, ku si në ndonjë laborator diplomatët e huaj e kryejnë punën e vet për funksione më të larta diku nëpër botë. Ata që, ndërkaq, vijnë nga shtete më të mëdha në Maqedoni, vijnë jo si ambasadorë, por vetëm si profesorë “të strehuar” të plejadës së tyre të shpërndarë nëpër Ballkan. Jemi dëshmitarë të përzierjes së madhe të re të letrave, me të cilat fuqitë e mëdha luajnë xhol rruzullit tokësor. Ku jemi jo vetëm ne, por përgjithësisht Ballkani në ato letra. Ne jemi as andej, as këndej, gjithnjë derisa në momentin e fundit politika e re amerikane nuk i vë figurat në vendin e vet të tabelës së shahut. Kush e mori vesh, e mori vesh, e kush s’e mori vesh, edhe më tej do të habitet se përse nuk jeton më mirë se dje e më bukur prej nesër. A do të ketë Maqedonia përgjithësisht qeveri, ky është problemi më i vogël. Asnjë qeveri për një afat të gjatë nuk mund ta shtrojë asnjë projekt, për shkak se, apo, përsëri do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, kështu që secili që do të gëzohet se ka hyrë në ndërtesën në “Ilindenska” përskaj Vardarit, duhet të jetë i vetëdijshëm se gëzimi i tij do të jetë me “fitil të shkurtër”. Personalisht konsideroj se të gjitha lojërat politike që po luhen janë në funksion të nxjerrjes së situatës “as ka fitues, as ka humbës” që ashtu të amortizohen disa gjëra.

Si e para, pakënaqësia e popullit vjen nga jeta jocilësore dhe kërkesa që të dihet kush ka vjedhur, kush ka gënjyer, kush ka punuar duke ngrënë nga llogaria e qytetarit të rëndomtë e i ka rënë gjoksit “për emrin e popullit”. Vetëm Zoti e di se deri ku do të shkojë peri nëse fillon të çmbështillet topthi tek i cili janë mpleksur penjtë. A ka njerëz naivë që konsiderojnë se vetëm Gruevski është ai që ka blerë syze të shtrenjta. Shqiptarëve a thua nuk u bie dielli në sy? Epo, zotërinj, në të gjitha anët shohim syze të shtrenjta për diell. Edhe atë, deri në masën e impozantës së zgjedhjes, të modelit e të çmimit. Kjo vënie e ime alegorike e fjalisë midis rreshtash duhet t’i japë përgjigje një gjëje. S’ka palë së cilës i përgjigjet që PSP-ja të shkojë deri në fund. Dhe, tani, nëse ndonjë pyet, hë de, kur LSDM-ja dhe BDI-ja bëjnë thirrje “le të pastrohet me kriminelët‘‘? Ja, si. PSP-ja do të shkojë vetëm deri atje sa do t’i japin mundësi mekanizmat e shtetit. Ato mekanizma, ndërkaq, do t’i ketë ajo strukturë që do të qeverisë. Kjo është një situatë aq transparente për analistë cilësorë, deri në nivelin e tregimeve për fëmijë. Nga njëra anë, VMRO-ja, po të ishte në pushtet, kam përshtypje se në mënyrën më brutale do ta kishte ndalur veprimin e PSP-së. Nga ana tjetër, kemi pornografi “softcore”, ku struktura qeverisëse, nga njëra anë, do ta përkëdhelë figurën e Katica Janevës, ndërsa nga ana tjetër prej mbrapa do t’ia ngulë thikën. Dhe, gjithnjë kështu, derisa nuk e shpëtojnë prapanicën ata që duhet, kurse pastaj do ta lëshojnë ekipin me dama që “t’i mëshojë si kau në lakra”’. Hem njëra palë e kënaqur, hem tjetra. Tregim i thjeshtë.

A do të ketë trazira? Në të gjitha kombinimet. Çështje është vetëm se me çfarë intensiteti dhe sa do të jenë të kontrolluara me sukses me “telekomandë” nga selitë e partive. Të nisim nga një supozim i thjeshtë se në aparatin administrativ duhet të bëhen turbulenca të mëdha për shkak se punësimet sipas çelësave partiakë duhet të pësojnë çrregullime të mëdha. Struktura qeverisëse punësoi tejmase, partiakisht, të shkolluar e të pashkolluar, kështu që, thjesht, që gjërat të vijnë në vendin e vet, patjetër do të duhet të ketë intervenime të mëdha, e ato intervenime do të rezultojnë me pakënaqësi edhe më të madhe sociale. Shtrohet një pyetje krejtësisht tjetër, të cilën askush nuk e përmend: LSDM-ja a pranoi gjithçka që kërkohej për të ardhur në pushtet, më saktë për të arritur fitoren dhe me këtë të tregojë se kishte kuptim lufta apo që me të vërtetë ta ndërrojë regjimin dhe të instalojë kushte për shoqëri qytetare demokratike, të shëndetshme? Zoran Zaevi ka hapësirë të mirë manovruese. Nga njëra anë, e meqenëse kjo qeveri do të jetë me afat të shkurtër, deri në zgjedhjet vijuese, të cilat me siguri do të jenë vitin e ardhshëm, ai mund të thotë ‘‘ja, unë i mbeta marrëveshjes, por nuk kishim kohë‘‘. Paralelisht me këtë nuk mundëm të nxirrnim ligje, për shkak se nuk funksionon parimi “i votimit me dy të tretat”. Ashtu, hem do ta arsyetojë rolin e njeriut që është i prirur kah shqiptarët, hem se e ndërroi Gruevskin, hem se e arriti objektivin. Hem shqiptarët e gëlltitën “karremin” se dikush me të vërtetë ka vullnet të mirë që Maqedonia të jetë shtet binacional, dygjuhësor etj. Nëse kjo tregohet dhe dëshmohet si teori e saktë, shqiptarëve nuk u mbeten shumë zgjedhje për në të ardhmen. Nuk dua të prejudikoj, por kam përshtypje se vetëm qëndrimet më radikale e më të forta do të jenë refleks i përfytyruar në ndonjë platformë tjetër për zgjedhjet vijuese. Por, atëherë çdo lëshim do të jetë fatal për popullsinë shqiptare në R. e Maqedonisë. Publiku ndërkombëtar për uljen e tensioneve si papagall përsërit të njëjtën frazë. Duhet të ketë qeveri dhe ajo duhet të jetë demokratike, për shkak se “veç ajo ju mungon që të hyni në Evropë”. Frazë më të shtirë, më të avdalltë nuk ka.

Në R. e Maqedonisë edhe për zogjtë në degë është e qartë se në Evropë do të hyjmë ekskluzivisht kur do t’i zgjidhim problemet kruciale, siç janë zgjidhja për emrin, lufta me korrupsionin, pavarësia e gjyqësorit dhe shumë masa të cilat këtë shtet do ta tregojnë si të pjekur. Si të bëhet kjo, kur krijuesit e problemeve janë të njëjtët ata që duhet t’i zgjidhin ato probleme? Edhe gjatë kohë Maqedonia do të sillet në rreth si rrotullame dhe do të merret me vetveten. E popullit do t’i bëhet me dorë para hundës me bajrakë, me tregime nacionalromantike dhe fara e konflikteve do të mbillet në çdo fushallëk, për shkak se kjo edhe më tej do të jetë kombinimi më komercial për ta mbajtur pushtetin në dorë. Ky vit, 2017, do të jetë vit për t’u mbajtur mend. Kthesë e madhe historike për të gjitha palët. Ajo politike – e sigurisë, përfshi edhe socialen, ka ardhur deri në ambis. Ngushëllohemi me atë çka nuk është vetëm te ne. Vlon Ballkani. Vlon Evropa. Vlon bota. Përse do të na interesonte neve kjo, nëse e marrim parasysh se ne jemi vend i vogël dhe se neve nuk na duhet shumë që t’i vëmë gjërat në vendin e vet! Një numër të këtillë qytetarësh në Stamboll menaxhon kryebashkiaku i rëndomtë i Aksarajit.

Е, këtu kthehemi në një çështje tjetër. A do të shtyhen zgjedhjet lokale për shkak të situatës së krizës dhe për shkak të mundësisë që kjo të shndërrohet në luftë të hapur në terren për ruajtjen e pozicioneve? Zgjedhjet paralamentare dhe retorika me të cilën pati dalje në zgjedhje sërish duhet të instalojnë ambiente nacionale. Nëse udhëhiqemi nga platforma e anës shqiptare, hajt të pyetemi se cilat do të jenë reaksionet e komunave me popullsi shqiptare shumicë kur në të gjitha mbishkrimet do të duhet të jetë së pari në gjuhën shqipe e pastaj në gjuhën maqedonase! ТUNXH!

Koha rrjedh si kroi, shpejt. Zoti na ndihmoftë të gjithë neve!

Postime të Ngjajshme