` . Fillon zyrtarisht fushata parazgjedhore - TV SHENJA

Fillon zyrtarisht fushata parazgjedhore

Aktivitetet zgjedhore të partive fillojnë sonte, kur Bashkimi Demokratik për Integrim mban tubimin në Likovë, Partia Demokratike Shqiptare në Studeniçan, koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE do të ketë miting në Ohër, ndërkaq koalicioni i kryesuar nga LSDM do të ketë tubim në Prilep. Tubimet e partive fillojnë sot, pasi edhe zyrtarisht në mesnatë ka filluar fushata parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për më 11 dhjetor.

Ndërkaq paraprakisht janë mbajtur edhe konventat promovuese të disa partive dhe koalicioneve. Mbrëmë Bashkimi Demokratik për Integrim e mbajti konventën promovuese në sallën Boris Trajkovski  në Shkup, ndërsa po në këtë sallë të martën konventën promovuese do ta mbajë edhe Lëvizja Besa dhe RDK të cilët në këto zgjedhje do të garojnë me listë të përbashkët.

Ndërkaq Aleanca për Shqiptarët konventën promovuese të kandidatëve për deputetë e mbajti poashtu mbrëmë në sallën e sportit në Gostivar, nga ana tjetër PDSH konventën promovuese e ka mbajtur më herët.

Dy koalicionet më të mëdha të partive maqedonase, të drejtuara nga VMRO-DPMNE dhe LSDM poashtu kanë përfunduar konventat dhe sot fillojnë fushatën me takime të drejtpërdrejta me elektoratin.

Partitë kanë paralajmëruar se përveç tubimeve qëndrore nëpër qytetet dhe vendbanimet më të mëdha, do të mbajnë edhe takime të tjera nëpër vendbanime më të vogla para dhe pas tubimeve qëndrore. Fushata do të zgjasë deri më 9 dhjetor, pasi me datë 10, një ditë para ditës së votimit është heshtje parazgjedhore.

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të garojnë 11 lista të kandidatëve për deputet, 5 lista të koalicioneve dhe 6 lista të partive politike. Njëra nga risitë e këtyre zgjedhjeve është që Lista Zgjedhore, krahas emrave të votuesve do të përmbajë edhe fotografitë e tyre.

Ajnur Bafqari /SHENJA/


Fillon zyrtarisht fushata parazgjedhore by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme