` . Fillon patrullimi i tretë i përbashkët turko-rus në lindje të Eufratit - TV-SHENJA

Fillon patrullimi i tretë i përbashkët turko-rus në lindje të Eufratit

Në kuadër të Marrëveshjes së Soçit, ushtarët turq dhe rusë filluan patrullimin e tretë të përbashkët tokësor në lindje të Eufratit në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Autokolona e Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK) e përbërë nga 4 automjete të blinduara është nisur nga fshati Alakamış të komunës Idil në qytetin Şırnak të Turqisë. Pasi ka kaluar kufirin autokolona turke është takuar me autokolonën e ushtarëve rusë duke iu bashkuar patrullimit të përbashkët tokësor.

Elementet e TSK-së dhe ato ruse po zhvillojnë patrullimin tokësor në zonat që ndodhen mes Al-Qamishli-Dearik në lindje të Eufratit.

Elementët e TSK-së me patrullimin e tyre të tretë me ushtarët rusë, thuhet se kalojnë për herë të parë në pjesën lindore të Al-Qamishli.

Zhvillimet në pikën kufitare po ndiqen nga një numër i madh gazetarësh.

Fshati Alakamış në komunën İdil i cili ndodhet në pikën zero të kufirit sirian më parë është shtruar në rend dite me përpjekjet e terroristëve të PKK-së për t’u infiltruar brenda Turqisë.

Patrullimi i parë i përbashkët tokësor turko-rus që zhvillohet në kuadër të Marrëveshjes së Soçit është kryer më 1 nëntor në zonën që ndodhet 40 kilometra në lindje të Ras Al-Ayn dhe 30 kilometra në perëndim të Al-Qamishli. Ndërsa patrullimi i dytë u zhvillua në rajonin mes Aynularab dhe Tel Abyadit më 5 nëntor.