` . Fillon Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Prishtinë – PITF 2017 – TV-SHENJA

Fillon Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Prishtinë – PITF 2017

Në një konferencë për media organizuar nga Kolegji AAB në Prishtinë u hap edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Prishtina International Theater Festival – PITF 2017″ i cili do të mbahet në hapësirat e Teatrit AAB “Faruk Begolli” në periudhën mes datave 16 dhe 21 tetor, raporton AA.

Në festival, Kosova merr pjesë me shfaqjen “Armiku i Popullit” me regji të Fatos Berishës dhe performancë të aktorëve Shpëtim Selmani, Xhevdet Doda dhe Afrim Kasapolli, ndërsa Teatri Kombëtar i Shqipërisë me shfaqjen “Vdes siç vdes një vend” të regjisorit Rozi Kostani ku do të aktrojë vetë Kostani dhe Alfred Trebicka, dhe Teatri Shqiptar i Shkupit me shfaqjen “Darka e Thërrimeve” me regji të Qëndrim Rijanit dhe performancë të aktorit Luran Ahmeti dhe Amernis Nokshiqit.

Nga ana tjetër, trupa e teatrit nga Kroacia në këtë festival do të garojë me shfaqjen “Dhe jetuan të lumtura…?” me regji të Frana Vrankoviq, dhe do të merr pjesë si mysafir me shfaqjen e regjisores Ivana Perosh, “Her Holiness in the dark”, një dramë e cila trajton jetën e Nënë Terezës.

Ndërkaq, shfaqjet e tjera që do të marrin pjesë në festival janë “Shërbëtoret” nga Bullgaria dhe “Speak Medea” nga Irani.

Drejtori i festivalit, Ilir Tafa, gjatë fjalimit të tij tha se në mungesë të festivaleve të teatrit në Kosovë, janë të parët që organizojnë një festival me karakter ndërkombëtar.

“Në këtë festival do të kemi shtatë shfaqje, ndërsa gjashtë shfaqje do të garojnë për shpërblimet që i ofron festivali si shfaqja më e mirë, regjia, aktori dhe aktorja më e mirë”, tha Tafa.

Duke folur për përbërjën e jurisë së festivalit, Tafa tha se do të ketë tri juri: juria qendrore për çmimet kryesore, juria e mediave prej mediumeve kryesore të Kosovës dhe juria e studentëve, meqenëse ky festival organizohet në hapësirat e një kolegji universitar.

Ndërkohë, drejtoresha artistike e Teatrit AAB “Faruk Begolli”, Burbuqe Berisha, duke theksuar se seleksionimi i shfaqjeve ka qenë i vështirë sepse aplikimi ka qenë i hapur dhe ka pasur shumë aplikime për pjesëmarrje, tha se janë munduar që të largojnë nga seleksionimi trupat me ekipe të mëdha si ato të ansamblit me 50 aktorë, për shkak të skenës modeste të këtij teatri.

“Jemi munduar të sjellim shfaqje dhe produksione shumë të mira që të jenë sa më atraktive për shikuesin kosovar. Janë këto lloje të shfaqjeve teatrale të cilat ndoshta nuk prodhohen aq shumë tek ne, por mendoj se do të korrespondojnë shumë mirë me shikuesin tonë”, tha Berisha.

Berisha po ashtu shtoi se festivali do të sjellë shfaqje nga të gjitha zhanret e teatrit, duke filluar nga komedia, drama dhe zhanret e tjera.

Në këtë konferencë, të pranishme ishin edhe aktoret Mia Krajcar dhe Katerina Baban nga trupa e teatrit të Kroacisë, të cilat do të performojnë sonte në shfaqjen e parë të festivalit “Dhe jetuan të lumtura…?”, e cila trajton miqësinë mes femrave dhe rrëfimin e tyre përmes personazheve përrallore. Gjuha e kësaj shfaqjeje është kroatisht, por do të jetë e titruar në gjuhën angleze.