` . FIFA: 12 emra në garë për trajnerin më të mirë për vitin 2017 - TV-SHENJA

FIFA: 12 emra në garë për trajnerin më të mirë për vitin 2017

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka publikuar emrat e 12 trajnerëve që janë në garë për të fituar çmimin që dedikohet për strategun më të mirë të vitit 2017, transmeton AA.

Në garë për çmimin prestigjioz të FIFA-s kanë mbetur: Massimiliano Allegri (Itali, Juventus), Carlo Ancelotti (Itali, Bayern München), Antonio Conte (Itali, Chelsea), Luis Enrique (Spanjë, Barcelona), Josep Pep Guardiola (Spanjë, Manchester City), Leonardo Jardim (Portugali, Monaco), Joachim Low (Gjermani, reprezentacioni i Gjermanisë), Jose Mourinho (Portugali, Manchester United), Mauricio Pochettino (Argjentinë, Tottenham Hotspur), Diego Simeone (Argjentinë, Atletico Madrid), Tite (Brazil, reprezentacioni i Brazilit) dhe Zinedine Zidane (Francë, Real Madrid).

Në listë kryeson Italia me më shumë trajnerë, tre, e pasuar nga Spanja, Argjentina dhe Portugalia me nga dy, nga një përfaqësues kanë Gjermania, Franca dhe Brazili.

Fituesi do të caktohet me votat e trajnerëve dhe kapitenëve të përfaqësueseve të futbollit, përfaqësuesit e zgjedhur të mediave dhe tifozëve të tyre me anë të votimit publik, i cili fillon më 21 gusht dhe do të përfundojë më 7 shtator.

Vitin e kaluar çmimin e mori Claudio Ranieri, atëherë trajneri i Leicester City me të cilën ai e fitoi titullin e kampionit të Anglisë. Fituesi i këtij viti çmimin do të marrë në ceremoni solemne më 23 tetor në Londër.

Postime të Ngjajshme