` . FFK shpall më të mirët, shkupjani Zekirija Ramadani “trajner i vitit” (Video) – TV-SHENJA

FFK shpall më të mirët, shkupjani Zekirija Ramadani “trajner i vitit” (Video)

Federata e futbollit të Kosovës të premten organizoi manifestimin për shpalljen e më të mirëve për vitin 2017, në të cilën çmimi “Trajneri më i mirë i vitit” i takoi teknikut shkupjan Zekirija Ramadani. Ky vlerësim i merituar erdhi pasi Zeko sezonin e kaluar drejtoi Trepçën 89 drejt titullit historik në futbollin kosovar, duke u bërë ekipi i parë në histori që luajti në eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Ndërkohë pas aventurës me ekipin mitrovicas, Ramadani në vjeshtë drejtoi Feronikelin, duke u dëshmuar sërish me kualitetin e tij.

ZEKIRIJA RAMADANI, TRAJNER I VITIT NË KOSOVË

”Me të vërtetë është një privilegj i madh për mua. Me vitin e parë që mu dha mundësi mi shfaq ato mundësitë e mia si trajner arrita që të shpallem trajner mi i mirë i vitit 2017. Normal se me respekt të kolegëve, se duke qenë ata të mirë, nonstop edhe unë kam qenë aktiv dhe duhet punuar më tepër duke e ditur që vij nga një shtet edhe duhet të bësh diferencë këtu. Mirëpo, unë i dhash pak Kosovës, Kosova më dha shumë. Ky vit me të vërtetë do të ngelet gjithmonë në memorien time, se arritëm të shkruajmë historinë e klubit, historinë e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare, normal rezultatet nuk ishin ato të cilët i pritëm, mirëpo sidoqoftë pjesmarrje shumë e mirë. Rrespekt për dy skuadrat që punova, normal që të dyjat kanë meritat e tyre, por më së shumti ka meritë Trepça 89 dhe presidenti i kësaj skuadre i cili ma hapi derën e futbollit kosovar për të shfaque kualitetim tim dhe e shfrytëzoj edhe këtë moment z. Abedin Zeka dhe dy shoket dhe vëllezërit, ata më meritorët për atë që unë jam tani, Shkumbin Qormemeti dhe Haris Fakiq të cilët më kanë ndihmuar që të shkollohem nëpër skuadra mjaft elitare të Evropës gjithmonë do të jem falenderuar ndaj tyre”.

Pikërisht ish-skuadra e Ramadanit, Trepça 89′ u shpall “Ekipi më i mirë i vitit” dhe skuadra “Fair Play” çmim të cilin e ndau nën-kryetari i Federatës së futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sejdini. Kreu shqiptar i FFM-së edhe një herë u nderua nga drejtuesit e FFK-së, të cilët me mirënjohje të veçantë për mbështetjen e futbollit kosovar nderuan kreun e Federatës shqiptare të futbollit, Armando Duka dhe bashkinë e Shkodrës.

Çmimi kryesor “Futbollisti i vitit 2017” për të dytin vit me rradhë shkoi për reprezentuesin e Kosovës dhe lojtar i Red Bull Salzburgut, Valon Berisha. Me mirënjohje për kontributin e dhënë për futbollin kosovar u nderuan Shefqet Thaçi, punëtor shumëvjeçar i FFK-së, si dhe përzgjedhësi i deritashëm, Albert Bunjaku. Gjyqtari më i mirë i vitit u shpall Genc Nuza, ndërsa në formacionin më të mirë të vitit u përfshi edhe anëtari i ri i FC Shkupit, Rron Broja që sezonin e kaluar doli kampion me Trepçën 89′.

Përndryshe, Televizoni Shenja ashtu si vitet e kaluara sërish ishte mediumi i vetëm nga Maqedonia që ndoqi nga afër manifestimin e shpalljes së më të mirëve në futbollin kosovar. Faton Zylbeari /SHENJA/