` . Ferrari synon rikthimin gjatë garës në Bahrein - TV-SHENJA

Ferrari synon rikthimin gjatë garës në Bahrein

Gara e dytë e këtij viti në Kampionatin Botëror në Formula 1 është për Çmimin e Madh të Bahreinit që mbahet këtë fundjavë, raporton AA.

Raundi kualifikues do të mbahet të shtunën në rajonin Sakhir, ndërsa gara do të fillojë të dielën në ora 15:10 sipas kohës së Evropës Qendrore.

Gara do të mbahet në pistën ndërkombëtare të Bahreinit, të gjatë 5.412 kilometra dhe do të përbëhet nga 57 xhiro.

Kampioni i dyfishtë Fernando Alonso sërish do të drejtojë F1 bolid në testet pas Garës së Madhe të Bahreinit.

“Vetëm disa muaj pas largimit nga F1 si pilot, Fernando Alonso sërish do të jetë pas timonit të bolidit bashkëkohor, ku do të testojë McLaren-in në Bahrein gjatë testimeve dyditore brenda sezonit”, thuhet në kumtesën e së enjtes nga Formula 1.

Mercedes udhëheq në garat për konstruktorë pasi dy pilotët e skuadrës u radhitën në dy vendet e para në garën e parë të këtij sezoni.

Piloti i skuadrës Mercedes, Valtteri Bottas, fitoi Çmimin e Madh të Australisë në hapjen e sezonit të Kampionatit Botëror në Formula 1, përderisa kampioni i vitit të kaluar, piloti tjetër i skuadrës Mercedes, britaniku Lewis Hamilton, ishte i dyti, duke përfunduar garën me 20,8 sekonda pas pilotit Bottas.

Piloti holandez Max Verstappen nga skuadra Red Bull-Honda përfundoi garën në vendin e tretë.

Ferrari synon rikthimin gjatë garës në Bahrein

Piloti Sebastian Vettel nga skuadra Ferrari që vitin e kaluar u radhit i dyti, të enjten tha se “gjërat vazhdojnë tutje. Ne tani jemi këtu në Bahrein në një pistë tjetër por mendoj se kemi mësuar disa gjëra rreth bolidit të ri dhe rreth nesh, që duhet të na ndihmojnë për të qenë më konkurrues këtu”.

“Ndjenja në Ferrari është që këtë fundjavë mund të dëshmohemi. Ka një besim se ata e dinë se cilat janë problemet dhe se janë ndërmarrë masat. Nuk është çudi që insistojnë që sot të provojnë bolidin në mënyrë që ta sjellin atë në rrugën e duhur, duke shpresuar se ata do të dëshmojnë që Australia ishte vetëm një rast i izoluar”, tha Vettel.

Radhitja e pilotëve dhe konstruktorëve për këtë vit është siç vijon:

– 5 pilotët më të mirë

1. Valtteri Bottas (Finlandë): 26 pikë

2. Lewis Hamilton (Britani e Madhe): 18

3. Max Verstappen (Holandë): 15

4. Sebastian Vettel (Gjermani): 12

5. Charles Leclerc (Monako): 10

– Radhitja e konstruktorëve:

1. Mercedes: 44 pikë

2. Ferrari: 22

3. Red Bull: 15

4. Haas: 8

5. Renault: 6