` . Ferrari “shpërdoron” startin në krye, Mercedes fiton titullin kampion - TV-SHENJA

Ferrari “shpërdoron” startin në krye, Mercedes fiton titullin kampion

Provat zyrtare të Çmimit të Madh të Japonisë u dominuan nga dy makinat Ferrari, me Sebastian Vettel që regjistroi kohën më të mirë dhe vendin e parë në start, dhe pilotin tjetër Charles Leclerc që startoi garën i dyti, ndërsa menjëherë pas tyre ishin dy makinat Mercedes, Bottas dhe Hamilton.

Megjithatë në garë gjithçka u përmbys, pasi ishte pikërisht finlandezi Valteri Bottas, që përfitoi nga një start i dobët i Vettel dhe një incident i Leclerc që në kthesën e parë, për të marrë kryesimin dhe për të qenë i pari që kaloi vijën e finishit.

Vetëm vendi i dytë për pilotin gjerman të Ferrarit, Sebastian Vettel, ndërsa pas tij u rendit kampioni në fuqi i botës Lewis Hamilton, ndërsa dy pilotët Mercedes në podium bënë që skuadra gjermane të festojë titullin kampion para mbylljes së sezonit.

Vetëm vendi i 6 për Charles Leclerc, që për shkak të incidentit me Verstappen në kthesën e parë, u detyrua të hyjë në bokse që në start dhe të ndërrojë pjesën e përparme të makinës, duke humbur shumë kohë dhe ritmin e kryesuesve. /SS/