` . Fernando Alonso pranë rinovimit me McLaren - TV-SHENJA

Fernando Alonso pranë rinovimit me McLaren

Fernando Alonso është shumë pranë rinovimit me McLaren. Konfirmimi vjen nga shefi i garave të skuadrës angleze Eric Boullier. Piloti spanjoll kishte deklaruar shpeshherë në media se nëse McLaren do të ndërtonte një makinë kompetitive për sezonin e ardhshëm ai do të zgjaste marrëveshjen e tij me skuadrën me qëndër në Woking.

Pas disa vitesh që furnizohej me motorë Honda, McLaren duke filluar që nga kampionati Botëror i vitit 2018-të në Formula 1, do të furnizohet  nga motorët Renault pasi ka arritur marrëveshjen me kompaninë franceze. Konfirmimi i bashkëpunimit ka bërë që edhe Alonso të shfaqë dëshirën për të vazhduar aventurën e tij te McLaren pasvarsisht vështirësive që ka hasur me këtë skuadër në vitet e fundit, duke regjistruar rezultate shumë të dobëta. Ishte folur shumë gjatë muajve të kaluar për një largim të 2-herë kampionit të Botës nga skuadra angleze por në pamundësi për t’u transferuar në një skuadër të madhe si Mercedes apo Ferrari, piloti iberik ka pranuar ofertën e rinovimit nga McLaren pasi beson te potenciali i skuadrës dhe është i bindur se sezonin e ardhshëm do të luftojë për vendet e para të renditjes.

Në një intervistë, Eric Bouillier konfirmoi dëshirën e Alonsos për të qëndruar te McLaren: ” Fernando dëshiron të qëndrojë me ne edhe sezonin e ardhshëm, dicka e tillë lexohet në fytyrën e tij dhe nga mënyra sesi flet, ai  nuk dëshiron ti japë lamtumirën skuadrës, duhet të sisetmojmë vetëm disa detaje mbi çështjet e marketingut për rinovimin e tij, por po punojmë dhe mendoj se shumë shpejt do të arrimë një marrëveshje, theksoi Eric Boullier.

Postime të Ngjajshme