` . Feja në politikën shqiptare, pse jo… – TV-SHENJA

Feja në politikën shqiptare, pse jo…

Feja u përdor në edukimin, forcimin dhe ndërgjegjësimin e kombit shqiptarë. Në momentin kur u mendua se, ashtu siç e përdorin kundërshtarët, e me raste edhe aleatët, feja mund të përdoret në politikë edhe nga vetë shqiptarët, ajo u kundërshtua fuqishëm nga euro-integruesit, duke iu referuar laicitetit të shtetit. Jo vetëm kaq! Kjo kundërshti edhe u keqinterpretua. Por, realisht, kundërshtimi vjen pikërisht nga ato vende që u dëmtuan nga dominimi i fesë në politikë. Pse?!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Prezenca e shumë figurave publike që praktikojnë fenë dhe janë integruar së fundi edhe në jetën politike, e ka alarmuar shoqërinë shqiptare pas kritikave të shumta që vijnë nga Perëndimi. Këto kritika janë keqinterpretuar, fatkeqësisht, edhe nga shumë ithtarë të fesë në politikë, duke neglizhuar të kaluarën e këtyre shteteve jo vetëm në mesjetë.

Ky fenomen nuk është i ri ka dhe një histori nga i cili të gjithë ata që kanë vendosur ta përdorin fenë edhe për politikë do t’u shërbejë për të dëshmuar se feja në politikë nuk është domosdoshmërisht, teokraci!

Dhe, sot, frika nga teokracia mund të zë shumë vend në jetën politiko-shoqërore edhe shqiptare, por në pesë shtetet ballkanike, ku sot jetojnë shqiptarët, nuk ekziston asnjëra nga predispozitat të bëhet Vatikan, Iran ose Arabi Saudite. Turqinë nuk po e përmendim, meqë ajo nga shumë euro-integrues merret si shembull i keq vetëm për shkak të konfrontimit me liderin e saj aktual dhe, nga ana tjetër, nga vetë ata nuk futet në këtë treshe të teokracisë.

Feja dhe kombi

Në trevat shqiptare xhamia ka kryer funksionin e ambulancës, shkollës, qendrës së votimit, sallës së mbledhjeve politike e, madje, edhe shumë e shumë veprimtari të tjera që nuk kanë të bëjnë me fenë. Ashtu si edhe kisha katolike, ku njerëzit u shkolluan, arsimuan, shëruan, ndihmuan dhe, së fundi, edhe u strehuan nga forcat kriminale serbe e ku historike ishte dhe mbetet Kuvendi Françeskan “Giuha doli” në Shkodër.

Në momentin kur një figurë publike që praktikon fenë del në një krah politik ose përdor edhe xhematin e ndonjë xhamie për takim elektoral, alarmohen të gjithë, duke hedhur edhe akuza nga më të ndryshmet se pse përdoret feja në politikë. E kur u themelua edhe një parti politike me deklarim të qartë, ndodhi hataja…

Feja në politikë nuk është krim! Krim është ajo çfarë ka bërë Kisha Ortodokse Serbe dhe që akoma bën, duke ndikuar në politikat shtetërore ndaj të gjithë joserbëve dhe nga kjo shqiptarët duhet të marrin mësim. Larg qoftë të ngjizin urrejtje!

Meqë është një gjë që nuk shmanget dot, siç është përdorur për edukimin, ndërgjegjësimin e kombit shqiptar, feja lehtësisht mund të përdoret edhe në politikë, duke u nisur nga praktikat e mira, pa bërë kapërcime nga mesjeta tek Revolucioni Francez, nga Austro-Hungaria tek Vatikani ose nga Fusha e Kosovës tek Srebrenica dhe Reçaku e Luboteni.

Këta janë shembuj që na ndihmojnë të qartësohemi në veprimin politik, siç duhet dhe nuk duhet të veprohet, pa u ndikuar nga propaganda antishqiptare ose, pse jo, edhe dashamirësia, e cila me vite të tëra i identifikon “gabimet shqiptare” dhe nuk sheh që në pragun shqiptar kemi një shtet, Serbinë, me një kishë, e cila edhe në programin e saj e ka të ndarë qartë kapitullin e saj të veprimit: Političko delovanje (shqip: Veprimi politik). Dhe, kjo e fundit, duhet të shërbejë edhe për ligjërimin e përdorimit të fesë në emër të kombit.

Kisha Ortodokse Serbe thekson se veprimi politik është njëri ndër simbolet më të rëndësishme të kësaj kishe, e cila përveç shërbimeve fetare është marrë edhe me politikë kombëtare, karakteristikë kjo e të gjitha kishave ortodokse në botë.

Edhe pse kjo e gjitha është vetëm propagandë, gjatë periudhës osmane Kisha Serbe shpesh ka marrë në duar udhëheqjen jo vetëm fetare, por edhe atë politike. Për këtë flet edhe kryepeshkopi i Serbisë, Pavle, në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas” më 7 janar të vitit 2001, ku thekson: “Kisha, gjatë gjithë historisë së saj, duke përfshirë këtu edhe shekullin XX, është dashur të lë anash detyrat e saja primare, për t’u përfshirë në mënyrë aktive në luftën për bashkimin e serbizimit, në të cilin prifti duhet të jetë edhe mësues, gjykatës, dhe ta marrë pushkën për të mbrojtur veten dhe familjen.”, thekson njeriu i cili i qëndroi në krah të kriminelit Sllobodan Millosheviq dhe bekoi çdo veprim të tij kriminal në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe, së fundi, në Kosovë. Por, mbështetja e krimit në emër të serbizimit kishte rrënjë të thella! Kryepeshkopi Pavle nuk flet, por është pikërisht kjo kishë e cila i ka dëbuar nga Kosova ortodoksët shqiptarë. Sot ata janë në tokën shqiptare, ekzistojnë në zonat e Pogradecit dhe Korçës, por Kisha Ortodokse Serbe, përveçsa ka grisur ca fletë të historisë së saj, nuk arriti të bëjë më shumë për periudhën pa pushtet.

Në fillim të shekullit XX kisha në Serbi e mbështeti krijimin e Jugosllavisë dhe, si shpërblim, iu mundësua bashkimi i të gjitha kishave lokale në Kishën Ortodokse Serbe. Në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, Kisha Ortodokse Serbe e mbështeti pushtetin dhe diktaturën e mbretit serb Aleksandër, ndërsa bashkëpunoi me organizatat nacionaliste “Mbrojtja popullore” dhe çetnikët. Në kohën e mbretit Pavle, pas vitit 1935, shpërbëhet pushteti i mbretërisë serbe dhe i kishës dhe, pas vendimit serb për pjesëmarrjen në treshen jugosllave, Kisha Ortodokse Serbe merr pjesë në realizimin e gushtit të shtetit më 27 mars 1941.

Në Luftën e Dytë Botërore, Kisha Ortodokse Serbe ishte bashkëpunëtore e ngushtë e gjermanëve dhe, kryesisht, i mbështeste çetnikët. (Treći Rajh i pravoslavne crkve na Balkanu u Drugom svetskom ratu (shqip: Rajhu i Tretë dhe Kisha Ortodokse në Ballkan në Luftën e Dytë Botërore; autor: Milan Ristović). Madje, për këtë kontribut të gjakpirësve më të mëdhenj të joserbëve në këto treva, Kisha Ortodokse Serbe edhe mburrej.

Në historinë e kësaj kishe thuhet se gjatë RSFJ-së ajo ishte e ndarë nga shteti dhe ishte vetëm institucion shtetëror, pa autoritet politik. Një fakt kishtar aspak i vërtetë, sepse siç kishte lidhje me çetnikët, ajo vazhdoi veprimin e saj politik me OZNA-n dhe UDB-n, duke qenë pararojë e Akademisë Serbe të Shkencave (SANU), nga ku garantonte imzanë për krimet ndaj joserbëve.

Studimi “O čemucrkva (ne)možeda se pita: SPC, država i društvo u Srbiji 2000-2005” (shqip: Për çfarë kisha (nuk)mund të pyetet: KOS, shteti dhe shoqëria në Serbi2000-2005), si pjesë e një projekti të madh “Feja dhe shoqëria” e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, i cili ishte realizuar me ndihmën e Fondacionit “Heinrich Böll Stiftung”, sqaronte se Kisha Ortodokse Serbe kishte një rol shumë kontrovers në luftërat që u zhvilluan në territorin e Ish-Jugosllavisë, por ai nuk është se irritoi njeri, përveçse ato qarqe intelektuale që idiotizmi i Kryepeshkopit Pavle dhe priftërinjve të tij në krah të Millosheviqit dhe Karaxhiqit, vetëm sa ua ofendonte inteligjencën. Pra, studimi nuk është se la gjurmë ashtu, si edhe faktet e këtij studimi mbi hedhjen poshtë të të gjitha planeve paqësore si ai i Vens-Ovenit, i Grupit të Kontaktit, Daytonit etj., veprime pas të cilave pasuan gjakderdhje.

Pse shquhet kjo kishë për fuqinë politike. Libri i Mirko Gjorgjeviqit “O sprezi pravoslavne crkve sa strukturama politike moći” (shqip: Për lidhjet e kishës ortodokse me strukturat e fuqisë politike) ishte lemeritës kur doli në publik, por lemeritës për një shoqëri normale dhe kjo serbe që është sot. Gjorgjeviqi shkruan për mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe që i dha ushtrisë dhe forcave paramilitare serbe, si edhe për pagëzimet që i bënte kryepeshkopi Pavle për bëmat e Radovan Karaxhiqit, Ratko Mlladiqit dhe Arkanit. Kjo kishë u bë edhe më e fortë gjatë luftës së Kosovës me kundërshtimin që i bëri Planit të Ahtisarit në çdo meshë, qoftë ajo lokale ose madhore e një feste të madhe. Dhe, sot, ka arritur kulmin me ndërhyrjet që bën edhe mbi marrëveshjet që firmosen në Bruksel.

Feja në politikën shqiptare

Shqiptarët nuk duhet të jenë të kompleksuar kur vendosin si përfaqësues të një feje që i takojnë të japin kontributin tyre edhe në politikë. Akuzat për pjesëmarrje në shumë luftëra që ndodhën nëpër botë, Afganistan, Irak, Siri etj., janë pjesë e akuzave që edhe mund të qëndrojnë, por ato vlejnë për individë dhe jo për fenë në tërësi.

Çdo komunitet fetar ose praktikues i fesë në demokraci e ka të drejtën e veprimit të tij politik. Në vartësi prej kushtetutës së shtetit që vepron, ai mund të ketë kufizimet jo për fenë në politikë, por për mënyrën e përdorimit të fesë në politikë. Siç është rasti më Serbinë. Pavle nuk është se bëri krime. Atë e lejoi shteti të bëjë krime paçka se shteti ishte edhe pjesë e krimit.

Përderisa nuk ka mundësi as teorike për teokraci, demokracia, që shtrohet edhe në pesë shtetet e Ballkanit ku jetojnë shqiptarët, nuk është se ka vend për pyetjen: A ka vend feja në politikën shqiptare?