` . FBI së shpejti në Shqipëri për luftën ndaj krimit dhe ngritjen e Byrosë së Hetimit - TV-SHENJA

FBI së shpejti në Shqipëri për luftën ndaj krimit dhe ngritjen e Byrosë së Hetimit

Agjentë të FBI shumë shpejt do të mbërrijnë në Tiranë. Pas shumë negociatash, dje është finalizuar pakti me ambasadorin Donald Lu, i cili ka informuar ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, se autoritetet amerikane janë gati të sjellin në Tiranë agjentë për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Dje, Xhafaj zhvilloi një takim me ambasadorin Lu dhe ambasadoren e BE, Romana Vlahutin. Pas takimit, ministri njoftoi përmes rrjeteve sociale se është dakordësuar që agjentët e FBI të vijnë shumë shpejt në Tiranë. “Takim konstruktiv me Ambasadorët Lu dhe Vlahutin. Mbështetje teknike & financiare për Strategjinë e Re në luftë kundër krimit të organizuar.

Një lajm i shumë pritur nga ambasadori amerikan: shumë shpejt mbërrijnë në Tiranë ekspertët e FBI që do vendosen në MB. Faleminderit SHBA”, tha Xhafaj. Kjo do të thotë se shumë shpejt do të fillojë ngritja e Byrosë së Hetimit. Ky është një organ që do të drejtojë aksionet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pak kohë më parë gazeta e bëri të ditur se kryeministri Edi Rama kishte kërkuar nga SHBA dhe Gjermani asistencë. Duket se dje është rënë dakord që FBI të sjellë agjentë të saj në Tiranë dhe ata do të merren me luftën ndaj krimit të organizuar. Më herët, vetë kryeministri e konfirmoi, duke thënë se do të ketë agjentë amerikanë.

“Jemi duke mbyllur krijimin e grupeve të ekspertëve ndërkombëtarë që do të përfshihen drejt për drejtë në aksion. Ambasadori amerikan takoi kryetarin e opozitës i kërkoi mbështetje për këtë aksion, ndërsa kryetari i opozitës vjen këtu dhe thotë prit se javën tjetër do e shihni. Javën tjetër do shihni goditjen ndaj grupeve kriminale. Do të vijnë në nëntor agjentë të huaj amerikanë që do të bashkëpunojnë për të goditur grupet kriminale. Ambasadori amerikan doli kundër qeverisë dhe ju e vutë përpara e nuk latë gjë pa i thënë. Po si nuk ju vjen zor? Si nuk e mësuar akoma si funksionon bota? Nëse doni të luftoni kundër krimit bëjeni realisht”, deklaroi ai pak ditë më parë.

Postime të Ngjajshme