` . Fatime Fetai: Ka kaluar koha kur askush nuk guxonte t’ia kthente fjalën Gruevskit – TV-SHENJA

Fatime Fetai: Ka kaluar koha kur askush nuk guxonte t’ia kthente fjalën Gruevskit

Gjatë seancës së sotme gjyqësore për rastin “Dhuna në Qendër”, ndodhi edhe një kacafytje e vogël mes prokurores Fatime Fetai dhe ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Gruevski me gjasë ishte nervozuar se Fetai kërkoi që ta paraburgosin, pasi ishte vonuar 20 minuta për në gjykim, ndërsa ai më vonë, për tia kthyer hakun, i tha se flet vend e pa vend, pa patur të drejtë ligjore. Por, Fetai përpos që e korrigjoi se ka të drejtën e fjalës, e pyeti se si ka mundësi të jetë në disponim kur po i vie fundi. Gruevski e luti Fetain mos ta ketë shumë dert për disponimin e tij, por prokurorja i tha që e ka obligim të kujdeset si për disponimin ashtu edhe për shëndetin e të akuzuarve. Ndodhën edhe disa përplasje më të vogla pas të cilave Fatime Fetai ngriti zërin dhe tha se ka kaluar koha kur askush nuk guxonte t’ia kthente fjalën Nikolla Gruevskit.

Ish kryetari i këshillit të Komunës Qendër, Mirosllav Shipoviq gjatë deklaratës së tij të sotme në gjykatë, tha se ka marrë pjesë në shumë protesta, por nuk ka parë asnjëherë protestë të dhunshme si ajo në Komunën Qendër. Shipoviq kujtoi se kolegët e tij nga partia kundërshtare, dikush i ka koordinuar vazhdimisht nëpërmjet celularit, dhe i ka drejtuar se kur të sulmojnë. Madje në një rast, Shipoviq kujtoi se deputetja e tanishme Daniella Rangellova kishte hypur në tavolin e tij në tentativë për ta ndaluar  seancën e këshillit në të cilën duhej të votohej për heqjen e planeve të detajuara urbanistike që do të pengonin projektin “Shkupi 2014”. Sot u vendos që njëri prej të akuzuarve që vazhdimisht mungonte në gjykim, të gjykohet veçmas.  Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/