` . Fati dhe mëkati i shqiptarëve - TV-SHENJA

Fati dhe mëkati i shqiptarëve

Ka shenja se pranvera nuk po vjen me fllad, me erëra të acarta politike. Shqiptarët e patën pranverën e tyre shpresëdhënëse në fillim të vitit 1991, që arriti kulmin e saj me rrëzimin, më 20 shkurt, të shtatores gjigande të Enver Hoxhës në Tiranë. Por, “klasa politike” dallkauke shqiptare e ktheu këtë pranverë në “ferr demokratik” në emër të ndarjes nga diktatura

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Kësaj here më duhet ta nis shkrimin duke riprodhuar të plotë një tekst të botuar nën titullin e mësipërm 22 vjet më parë (“Rimëkëmbja”, 14 janar 1997). Më duket se Shqipëria e shqiptarët po hyjnë në një cikël të ri çmendurie politike, si në janar të vitit 1997. Në atë fillim viti pritshmëritë shqetësuese vinin për shkak të shembjes së skemave piramidale, që kishin varfëruar shumë shqiptarë dhe që sollën të papritura që nuk ta merrte mendja. Kjo praktikisht e përmbylli shpejt e dhimbshëm fazën e tranzicionit premtues demokratik dhe solli “restaurimin burbon” të pushtetit socialist-komunist në Shqipëri. Prandaj shkrova tekstin që vijon:

Historiani i njohur rumun, dashamiri i shqiptarëve dhe njohësi i shkëlqyer i historisë së tyre, Nikolae Jorga ka shkruar:’Shqiptarët janë caktuar nga fati të jenë gjithmonë përkrahësit e punëve të huaja. Qysh kur u shfaqën në histori, fuqitë e tyre shërbejnë të themelojnë organizime të shteteve dhe të shpejtojnë zhvillime kombëtare ndër të tjerë. Ndihmuan bullgarët të formojnë perandorinë e dytë, me qendër në Ohër… u shërbyen normanëve. Edhe kur shpërthyen në Greqi dhe e mbuluan atë si një valë, përfundimi qe ky që shtuan numrin e grekëve të sotëm. Shqiptarët e Hidrës ndihmuan më vonë me guximin dhe heroizmin e tyre lavdinë dhe kryengritjen e grekëve. Që me ardhjen e turqve burrat e shtetit më energjikë në Perandorinë Osmane qenë padyshim shqiptarë.’ (“Rilindja Javore”, 1-7 dhjetor 1996, f. 3). Dashamiri Jorga na e ka thënë sa nuk ka ku të vejë më mirë se ku qëndron fatkeqësia jonë e madhe dhe se çfarë duhet të ndryshojmë nga traditat tona. Por, fatkeqësisht janë ende të shumtë ata shqiptarë, sidomos politikanë, që parapëlqejnë të dëgjojnë sirenat e huaja, të cilat i nxisin më shumë shqiptarët të mendojnë për problemet e Ballkanit apo të Europës dhe të lënë pas dore hallet dhe punët e tyre. Kur lexon thënien e Jorgës të duket se ai ka folur pikërisht për situatat nëpër të cilat shqiptarët kalojnë sot.

‘Të caktuarve nga fati të jenë gjithmonë përkrahës të punëve të huaja’, sot po u bëhet thirrje e presion nga Europa, si dhe nga një pjesë e politikanëve dhe udhëheqësve të tyre, që si shqetësim të parë të kenë ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan dhe deri demokratizimin e Serbisë. Po ndodh ajo që ka shkruar Jorga se disa politikanë dhe udhëheqës mendojnë që shqiptarët janë të caktuar nga fati që t’u shërbejnë zhvillimeve kombëtare në popuj të tjerë, veçanërisht tani kur shqiptarëve të Kosovës u kërkohet të vihen në dispozicion të opozitës serbe që të shpejtohet zhvillimi demokratik (domethënë kombëtar) i serbëve.

Po përsëritet në mënyrë identike ajo që ka vënë në dukje Jorga për rolin e shqiptarëve në përshpejtimin e zhvillimit të Greqisë. Shekuj më parë vala e emigrantëve shqiptarë që mbuloi Greqinë i dha popullit të këtij vendi gjakun dhe gjenet dinamike. Shqipëria rriti numrin e grekëve. Edhe sot vala e re e emigracionit shqiptar në Greqi, përveç të tjerave, po shfrytëzohet për të rritur numrin e grekëve. Shqiptarët i kanë dhënë miliona njerëz edhe Turqisë, qindra mijëra Italisë dhe vendeve të tjera. Në lëmin e kulturës në Francë shquhen një numër artistësh shqiptarë ose me origjinë shqiptare, si Rexhep Mitrovica, Liri Begeja, Tedi Papavrami, Angjelin Prelocaj, Inva Mula. Deri shkrimtari Ismail Kadare po merr gjithnjë e më shumë tiparet e intelektualit të integruar në kulturën franceze dhe në politikën franceze. Greqisë nëpërmjet sportistëve shqiptarë i vijnë medalje nga lojëra olimpike.

Nikolae Jorga na ka bërë një shërbim të vyer duke thënë atë konkluzion përgjithësues nga historia jonë që nxjerr në pah nga se kemi vuajtur e nga se duhet të ruhemi. Por, fatin që na ka goditur kaq shumë duhet të përpiqemi ta ndryshojmë vetë. Për popullin shqiptar, gjysma e të cilit jeton ende në shtypjen e huaj koloniale në trojet e veta etnike të robëruara,është gjithnjë kërkesë e ditës të ngulisë në mendje fjalët e rusit Çadajev: ‘Mallkuar qoftë ai popull që nuk e ndjen veten të poshtëruar nga robëria,një popull i tillë është bërë që të jetë rob’.”

 

*          *          *

 

Tani na duhet të shtrojmë pyetjen tronditëse të Pashko Vasës “Po sot Shqipëri, më thuaj si je?” Shqiptarët janë katandisur shumë keq, ndonëse i kishin mundësitë të ishin shumë më mirë. Prandaj fjalëve të përdorura në titull u duhet bashkëngjitur dhe një fjalë tjetër “TAKSIRATI”, që na ka gjetur. Kur ka shpjeguar fjalën “Taksirat” në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, autori Tahir Dizdari ka përfshirë për ilustrim vargjet e Gjergj Fishtës: “Na shkoi moti zi e ma zi/ Ngranë pa ngranë e kryet m’gërshanë/ Bje prej sherrit m’taksirat”. Dizdari i është referuar dhe Nolit për të sjellë fjalët e Servantesit “Tek ky vend më solli fati/ Fat’i zi e taksirati”. Tani këto fjalë të shkrimtarit të famshëm spanjoll (që piratët i kishin sjellë deri në brigjet shqiptare), po kthehen në motiv të shumë shqiptarëve për të braktisur atdheun e tyre.

Në këtë prag pranvere të vitit 2019 gjendja politike dhe psikologjike në Shqipëri është aq e rënduar dhe e tendosur, sa të shtyn ta çosh mendjen tek fatkeqësitë që ndodhën në vitin 1997, kur shteti e pushteti ranë në kolaps total, kur u krijua rreziku real i copëtimit territorial të vendit dhe u desh ndërhyrja politike e ushtarake nga shtete të tjera për të rivendosur një shtetshmëri të shembur “shqiptare”. Zhvillimet e tanishme janë identike edhe me ato që krijoi tentativa për grusht shteti, që ndërmori më 21 janar të vitit 2011 Partia opozitare Socialiste, e drejtuar nga Edi Rama, për të rrëzuar pushtetin e Sali Berishës nën pretekstin se i kishte vjedhur votat gjatë zgjedhjeve të mëparshme (2009). Ndërsa diplomacia perëndimore ndërhyri energjikisht, veçanërisht nëpërmjet ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, në mbrojtje të pushtetit dhe institucioneve të ligjshme dhe kundër përpjekjeve për rrëzimin e tyre me dhunë. Si atëherë dhe tani preteksti për dhunë është i njëjtë – vjedhja e votave në zgjedhjet e bëra para dy vitesh, ndërsa diplomacia perëndimore përsëri del në mbrojtje të institucioneve kundër dhunës. Vetëm se i kanë ndërruar rolet e aktorëve nga të njëjtët krahë politikë. Manipulimet zgjedhore e vjedhja e votave filluan të krijojnë antikulturën e sotme zgjedhore në Shqipëri qysh më 26 maj 1996, kur në mesditën e votimeve Partia opozitare Socialiste u tërhoq nga procesi dhe Partia Demokratike bëri masakrën e votëvjedhjeve. Në janar të vitit 2011 kam qenë një nga përkrahësit më të zëshëm të qëndresës së pushtetit të Berishës ndaj sulmit të militantëve të Edi Ramës kundër Kryeministrisë dhe ridaljes në skenë të fantazmave revolucionare të vitit 1997. Tani është Edi Rama që lëshon alarmin për sulmin që opozita, e drejtuar nga Berisha, Basha e Kryemadhi, bënë më 16 shkurt 2019 kundër të njëjtës ndërtesë dhe lebetitet se kanë dalë në skenë fantazmat e vitit 1997.

Për të shprehur më lehtë ndjesitë e mia lidhur me shkaqet e shkaktarët e këtij “taksirati shqiptar” më mirë po huazoj sarkazmën më të re letrare nga një shkrimtari për “politikanët që bëjnë çmos që paturpësinë dhe krimin ta ngrenë në vlerë politike, me çka debatin politik e zbresin në nivelin e zënkave nëpër plazhet nudistike dhe nëpër bordelle. Dhe, ndodh që politikanë të tillë të jenë zbavitës dhe ekzotikë për perëndimorët, por fatkeqësi e madhe e popullit dhe e vendit që drejtojnë, ngaqë kanë tipare të kundërta nga të qenit besnik: u lëpihen të huajve dhe lehin e kafshojnë të vetin” (Kim Mehmeti: “Edi Ramës duhet me ligj t’i ndalohet të merret me politikë”, “Gazeta Shqiptare”, 22 shkurt 2019). Këto fjalë i miratoj. Por si politolog detyrohem të them se shkrimtari gabon kur si fajtor të vetëm identifikon e demonizon vetëm Edi Ramën dhe kërkon që vetëm atij t’i ndalohet me ligj të merret me politikë. Nëse vërtet do të ishte i mundur një ligj i tillë, ai duhet bërë për të gjithë ata që quhen kolektivisht “klasë politike shqiptare” dhe që kanë ushtruar pushtetin këto 30 vite pas rrëzimit të komunizmit, sepse janë të gjithë pa përjashtim fajtorë e mëkatarë për taksiratet që i kanë sjellë Shqipërisë. E gjithë kjo “klasë politike” duhet të largohet. Po kush e si do ta bëjë?! Unë nuk besoj se është koha të lusim Perëndinë të na çojë një “pranverë arabe”, si ajo në vitit 2012, për të cilën kanë bërë kërkesa publicistike disa analistë të majtë e të djathtë në Shqipëri. Një “pranverë të tillë arabe” shqiptarët e përjetuan më herët se arabët, qysh në vitin 1997. Dhe, dihet se çfarë sollën të dyja këto “pranvera”: rrënim e shkatërrim. Ka shenja se pranvera nuk po vjen me fllad, me erëra të acarta politike. Shqiptarët e patën pranverën e tyre shpresëdhënëse në fillim të vitit 1991, që arriti kulmin e saj me rrëzimin më 20 shkurt të shtatores gjigande të Enver Hoxhës në Tiranë. Por, “klasa politike” dallkauke shqiptare e ktheu këtë pranverë në “ferr demokratik” në emër të ndarjes nga diktatura. Një politikan i shquar i dikurshëm italian, disa herë kryeministër i Italisë, Xhulio Andreoti, para disa vitesh gjatë një vizite private në Shqipëri dha një mësim të vyer se: “Një klasë politike nuk improvizohet. Mund të improvozosh një parlament, një qeveri, një qeverisje, çfarëdo tjetër, por jo një klasë politike”. Klasën e vërtetë politike të një vendi mund ta përgatisë vetëm një evolucion politik i gjatë, i mirëfilltë demokratik e kombëtar. Ajo duhet të formohet nëpërmjet ciklesh zgjedhore demokratike dhe jo shpërthimeve të njëpasnjëshme të cikleve të dhunës. Ndërkaq historia politike e shtetit shqiptar qysh nga krijimi i tij është një luftë e egër për pushtet në një atmosferë permanente të luftës civile. Shqiptarët mëkatuan që ndërtimin e demokracisë së munguar e vunë edhe mbi çështjen kombëtare të pazgjidhur. Sot po korrim fryte të hidhura në të dyja drejtimet. Prandaj nuk më bindin demonizuesit e sotëm të Edi Ramës (që mund të bëhen edhe më të rrezikshëm e të dëmshëm se Edi) me projektet e tyre politike.

Kësaj radhe faktorët e rëndësishëm demokratikë perëndimorë po shqetësohen më seriozisht se në pranverën e vitit 1997 për zhvillimet shqiptare dhe tashmë kanë mbajtur qëndrime paralajmëruese e qortuese ndaj opozitës shqiptare kur përdori dhunë në demonstratën e 16 shkurtit dhe ndërmori hapin e pashembullt të dorëzimit (djegies) të mandateve parlamentare për të imponuar një ndryshim qeveritar jo ligjor si kusht për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo është teknikë e praktikë e mirëfilltë e grushteve të shtetit. Këto janë hapa të rrezikshëm, janë një rikthim në atë “revolucionin demokratik” (kryengritje e armatosur) të qershorit 1924, janë një tentativë për të përsëritur marrjen me dhunë të pushtetit, siç e mori Partia Socialiste më 1997 dhe u përpoq ta rimerrte më 21 janar 2011. Të tria këto ndodhi i kam analizuar në “Bota Sot” në janar-shkurt 2011. Tani po i qëndroj besnik asaj ndërgjegjes qytetare dhe atij arsyetimit tim politologjik, duke u shprehur kundër tentativës së opozitës së sotme shqiptare të kryesuar nga Sali Berisha, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi (dhe, tërthorazi, nga Presidenti i Republikës Ilir Meta). I bëj këto shpjegime që të mos e lë hapur shtegun për ata që vetëm dinë të spekulojnë. Shtoj këtu se qysh kur Edi Rama erdhi në krye të PS-së dhe shpërfaqi një dëshirë të shfrenuar për të ardhur në krye të pushtetit qeveritar, kam pas botuar një shkrim me titull “Të ndalet yryshi Rama”. Por, nuk mund të bashkohem me ata që kërkojnë të përmbyset Shqipëria se kështu fundoset “demoni Rama”. Demonizimi i liderit për të justifikuar përmbysje të paligjshme e të dhunshme të pushtetit duhet të dalë nga arsenali i të bërit politikë. Qyshkur në Shqipëri u krijua “Qeveria e Stabilitetit”, në qershor të vitit 1991, kam formuar e shprehur bindjen se “qeveritë teknike ose tranzitore” i kanë sjellë vetëm dëme Shqipërisë e demokracisë. Po kështu edhe kompromiset e shumta pa parim.

Ideja e ndalimit me ligj të politikanit Rama (apo cilitdo politikani) për t’u marrë me politikë është e papranueshme në parim dhe e rrezikshme në praktikë. E kemi parë këtë para 20 vitesh në rastin e Turqisë, kur presidentit të tanishëm Erdogan i ishte ndaluar me vendim Gjykate Kushtetuese të merrej me politikë. E kemi parë dhe në Shqipëri, kur Presidenti Sali Berisha e Kryeministri Aleksandër Meksi sajuan dhe imponuan një ligj, që ua ndalonte kundërshtarëve të tyre të merreshin me politikë, të vinin kandidaturën për deputet në zgjedhjet e vitit 1996. Viktimë e këtij ligj të mbrapshtë, për motive tejet absurde, kam qenë edhe unë. Kështu, komisioni i verifikimit të figurave politike i ngritur për zbatimin e këtij ligji Berisha-Meksi dhe, pas tij, Gjykata e Kasacionit, e keqinterpretuan paturpësisht një shënim për mua që ishte bërë në vitin 1964 në ca regjistra zyrtare dhe çuan në vend urdhrin hakmarrës Berisha-Meksi për ndalimin e kandidimit tim, si kundërshtar i pakrompromistë politik i tyre. Vetëm një vit pas këtij absurditeti, Berisha e Meksi u dëbuan turpshëm nga postet e tyre me anë të “revolucionit të vonuar demokratik”, të kurdisur nga e majta në bashkëpunim me forca të huaja, ndërsa pak kohë më pas u rrëzuan dhe ndalimet ligjore të këtij ligji.

Politikanin ose një klasë të tërë politike mund t’i nxjerrë jashtë lojës politike vetë jeta politike e vendit, jo kodifikimi ligjor. Por, ne shqiptarët kemi ende fatin e keq që nuk kemi një jetë politike të mirëfilltë, të organizuar e të konsoliduar si duhet. Taksirati ynë është që jetën politike e kanë monopolizuar përfaqësuesit e bandokracisë, zotëruesit e drejtimit të tri partive politike, grabitësit e pangopur të pasurive, kontrolluesit e kriminalitetit dhe të korrupsionit. Në Shqipëri ka dështuar demokracia gjatë tri dekadave dhe do të duhen më shumë dekada që ajo ta rimarrë veten dhe të bëhet burimi i kulluar i një pushteti demokratik. Kuçedra e mbrapshtive politike e ka zaptuar tashmë burimin e demokracisë, sistemin zgjedhor. Ata që kërleshen në luftë për pushtet dhe janë gati të hedhin shqiptarët në kacafytje në emër të demokracisë vetëm për një gjë nuk e sfidojnë njëri-tjetrin, për atë marrëveshjen e mbrapshtë Berisha-Rama të vitit 2008, që sanksionoi me normë kushtetuese privatizimin e demokracisë e të parlamentit nga kryetarët e dy partive dhe despotizmin e kryetarëve brenda partive. Prandaj nuk thonë asnjë fjalë për reformën zgjedhore të domosdoshme. Tani në Shqipëri përplasjet më të fuqishme nuk janë për ideologji, fe e programe politike, por për mendësi të mbrapshta të ngurtësuara. Dhe, mendësitë evoluojnë shumë ngadalë.

Përplasjet e tanishme politike nuk janë as aksidentale. Ato janë një kaos i dirigjuar në Shqipëri dhe nga jashtë Shqipërisë. Këtë po e kuptojnë diplomacitë perëndimore, që nuk kanë më dëshirë të nisin edhe njëherë tjetër drejt Shqipërisë forcat e armatosura, si në vitin 1997 për ta rivendosur rendin. Shqiptarët janë gëzuar që NATO do të ndërtojë edhe një bazë ushtarake në Kuçovë (në fakt një bazë furnizimi me karburant të avionëve). Por, NATO nuk të mbron dot nga të gjitha rreziqet, nuk të mbron nga turbullirat e brendshme, nga degradimet politike e shoqërore, nga votëvjedhjet as nga subversionet e jashtme. Shqiptarët vërtet kanë edhe miq të mëdhenj që nuk bën t’ua kthesh lehtë shpinën, por edhe mikut më të madh i duhet thënë një fjalë pakënaqësie kur vëren se Serbia ose armiq të tjerë të shqiptarëve duan ta nxisin një “infanticid diplomatik” ndërkombëtar kundër shtetshmërive shqiptare. Miqtë kanë problemet e tyre dhe nuk mund ta mbajnë syrin e veshin gjithmonë njësoj tek hallet shqiptare. Një analist amerikan para disa muajsh na kujtoi se shqiptarët duhet ta dinë që në Uashington nuk kanë më një Bill Klinton ose Xhorxh W. Bush. Një tjetër analist amerikan na përmend se SHBA-të nuk e kanë prioritet të tyre Ballkanin, kanë objektiva ballkanike, por jo një strategji ballkanike. Këto na e bëjnë më të dhimbshme plagën kosovare, që po e malcojnë edhe gërvishtjet shqiptare.

Të vetmen kënaqësi gjithë shqiptarët, sidomos politikanët, e kanë ndjerë këtë muaj shkurti nga zyrtarizimi i Marrëveshjes së Prespës për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nga anëtarësimi i saj në NATO. Entuziazmi te shqiptarët ka qenë më i madh se te vetë shumica e sllavishtfolësve në Maqedoni. Shqipëria e ratifikoi e para marrëveshjen e anëtarësimit të RMV-së në NATO. Në Shqipëri ka entuziazëm që shqiptarët tani janë në shtetin e tyre në RMV, për krijimin e të cilit kanë dhënë ndihmesë të madhe vazhdimisht dhe janë bërë më në fund elementi shtetformues i këtij shteti. Edhe ne “skeptikët” marrim pjesë në këtë “gëzimshqiptar” dhe urojmë që të vijnë fitore të tjera për “segmentin kombëtar shqiptar”, që u rehatua më në fund mbi baza të barazisë qytetare në shtetin unitar të një “edno opshtestvo” (shqip do ta përktheja të të njëjtit kallaballëk). Hallall u qoftë atyre që “bashkim-vllaznimin” AVNOJ-ist arritën ta ngrenë një shkallë më lart në RMV, në “edno opshtestvo”, që është edhe një shkallë më lart se “shoqëria shumetnike që e kanë arritur shqiptarët me serbët e pakicat e tjera në Kosovë. Vetëm se janë “dy baste” që i kanë vënë të tjerët e që ne nuk duhet t’i harrojmë. Sapo ishte nënshkruar marrëveshja e Prespës, studiuesi britanik, Xhejms Petifer, nxitoi të paralajmëronte se nga kjo marrëveshje të humbur do të dilnin shqiptarët. Ende nuk e kemi kuptuar mirë se çfarë ka dashur të thotë konkretisht. Kryeministri i Greqisë, Cipras, për të qetësuar shqetësimet greke tha se marrëveshja e Prespës ia ka prerë rrugën krijimit të Shqipërisë së Madhe. Këtë e kemi kuptuar se çdo të thotë: segmenti kombëtar shqiptar në RMV tashmë duhet ta quajë veten të përjashtuar njëherë e përgjithmonë nga e drejta dhe roli i tij në lojën për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare me bashkim kombëtar. Për këtë, sigurisht, nuk mundtë gëzohemi, madje do të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë. Do të dëshironim që zyrtarizimi i titullit “element shtetformues” për segmentin kombëtar shqiptar në RMV të kurorëzohej duke ia lënë një shqiptari kurorën e presidentit të parë konsensual të këtij shteti në muajin prill. A do të tregohet politikan aq i zgjuar e modern përfituesi i madh nga loja politike e shqiptarëve, Zaev, sa ta mundësojë këtë gjë apo shpërblimin do t’ua premtojë shqiptarëve për më vonë, me krijimin për ta të një posti të nën-presidentit, si dikur në Qipro me president greke nënpresident turk! Përsëri të presim e të shohim. Ndërkohë e dimë se modeli qipriot nuk i rezistoi gjatë provës së kohës e të politikës.

 

*          *          *

 

Së fundi një pyetje “enigmë”: A do të konfirmohet me të vërtetë edhe në rastin e zgjidhjes së çështjes shqiptare në RMV teza e Nikolae Jorgës mbi “fatin e shqiptarëve”, d.m.th. të “vëllezërve tanë gjuhësorë” e fqinj shtetërorë tani e tutje?! Zemra na e do që të mos konfirmohet…