` . Fanico, rrobalarësit e Bregut të Fildishtë (FOTO) - TV-SHENJA

Fanico, rrobalarësit e Bregut të Fildishtë (FOTO)

Lumi Banco brenda Parkut Kombëtar Banco të qytetin Abidjan të Bregut të Fildishtë, është shtëpi e “Fanico”-ve, të cilët sigurojnë jetesën duke larë rroba.

Rrobalarësit nga shtetet si Mali dhe Niger kanë ardhur në qytetin Abidjan duke lënë pas tyre bashkëshortet dhe fëmijët. Ata quhen “Fanico” që ka kuptimin e leckës dhe gjashtë ditë brenda javës i lajnë rrobat në lumin Banco të cilat i mbledhin nga rajoni Adjeme.

Numri i tyre ndonjëherë rritet edhe deri në 100, ndërsa vazhdojnë punimet e tyre duke injoruar zhurmën në rrugën Autoroute që lidh Abidjanin me qytetet tjera të vendit.

Ata kanë zonat e tyre të veçanta ku rrobat i lajnë me sapune tradicionale.

Rrobalarësit duke vendosur copa të sheshta prej betoni formojnë vend për larje, ku edhe e zhvillojnë aktin e larjes së rrobave.

Fanico-t pastaj i bëjnë deng teshat dhe duke i mbajtur mbi kokë i transferojnë në vendet ku do të thahen. Teshat zakonisht vendosen në vende të hapura për t’u tharë.

Ata tregojnë se qeveria e Bregut të Fildishtë ka sjellur kufizime në lidhje me larjen e rrobave në rajon pasi disa media ndërkombëtare publikuan lajme të cilat e prezantojnë keq popullin e vendit.

62-vjeçari Ibrahim Sou nga Mali, i cili tregon se në Abidjan ka ardhur për të larë tesha, për Anadolu Agency (AA) thotë se rreth 50 vite e punon këtë punë. Ai tha se kursen të holla për familjen duke larë tesha.

“Unë gjatë gjithë jetës sime kam larë tesha. Edhe në Mali e bëja këtë. Shpresova se do të fitojë më shumë para duke ardhur në Abidjan. Disa ditë fitojë 2000 CFA (rreth 3.5 dollarë). Disa ditë pronari i teshave nuk paguan duke theksuar se nuk janë larë mirë teshat. Njerëzit me të vërtetë janë shumë të pamëshirshëm”, u shpreh ai.

Sou thotë se çdo mëngjes shëtit rajonin Adjeme për të mbledhur teshat e palara të njerëzve, pavarësisht moshës ai me një energji të madhe lan tesha brenda ujit tërë ditën.

“Dëshirojmë që qeveria e Bregut të Fildishtë të na mundësoj lehtësime. Ne jemi njerëz që fitojmë shumë pak në ditë. Dëshira jonë e vetme është të mbledhim të holla dhe t’u dërgojmë familjeve tona. Shumica e shokëve këtu, mblidhen tre-katër veta për të jetuar në një shtëpi. Gjysmën e parave që fitojmë e shpenzojmë për nevojat tona ndërsa gjysmën tjetër e mbledhim për familjet tona. As në Kurban Bajram nuk munda të takoj familjen time. Së fundmi para një viti isha në Mali”, tha Sou, duke treguar se pas ndalimeve kanë përjetuar probleme.