` . Falja e pafalshme - TV-SHENJA

Falja e pafalshme

Rëndom, dukuria e paralelizmit nuk është në disa raste e dëmshme dhe me qëllim të keq! Kështu të paktën pandehin elitat politike në Kosovë, kur pohuan se në fund të vitit 2018, paralelisht me krijimin e ushtrisë së Kosovës, do të bëhet edhe liberalizimi i vizave, vendi do të anëtarësohet në INTERPOL dhe në UNESCO. Sa shumë paralelizma të paralajmëruara!

Shkruan: Iljasa Salihu, Kumanovë

Duke e shikuar me mall bardhësinë e letrës që ishte në gjendje t’i mbarte edhe vuajtjet më të mëdha të njerëzimit dhe duke e soditur prej dritares borën seç bie me një qetësi qiellore në tokë, njëherësh i shoqëruar me puhizën që ia flladiste ballin, me pipëtimën e qetë që ngjasonte valët e ujit, ashtu i ulur në ndenjësen me tri këmbë, kundruesi ia fillon hedhjes së atij mllefi dhe padrejtësie që kishte arkëtuar gjersa ishte në brigjet e mbushura me pallma të rreme. Kishte filluar me shtjellimin e paralajmërimeve për një të mirë me dy të mira, madje thuhej se edhe ajo do të bëhej paralelisht. Le ta ndjekim në vijim atë që, përmes mbylljes dhe heshtjes, kishte pasur për qëllim hapjen dhe zhurmën tonë kundrejt asaj që na kishte katitur dhe kapluar të gjithëve.

Në të shumtën e rasteve, paralelizmi shikohet si diçka e dëmshme dhe e frikshme për një subjekt të caktuar. Nuk janë të rralla rastet kur dikush ose një grup njerëzish e kishin themeluar një shoqatë të caktuar, përkitazi me këtë, për një kohë shumë të shkurtër njerëz, po nga shoqata në fjalë, kishin filluar ta vënë në jetë një shoqatë tjetër, që funksiononte paralel me atë, por tashmë me disa qëndrime të kundërta prej shoqatës burimore. Dukuria e paralelizmit është shumë e njohur në partitë politike, kur prej një partie politike u formuan me dhjetëra parti a partiçka të tjera, të cilat funksionojnë paralel me partinë amë, por si gjithherë me qëndrime të skajshme të kundërta. Kështu ndodhi edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, ku njësiti (para)ushtarak serb funksiononte paralel me organet e rregullta të sigurisë së Kosovës.

Rëndom, dukuria e paralelizmit nuk është në disa raste e dëmshme dhe me qëllim të keq! Kështu të paktën pandehin elitat politike në Kosovë, kur pohuan se në fund të vitit 2018, paralelisht me krijimin e ushtrisë së Kosovës, do të bëhet edhe liberalizimi i vizave, vendi do të anëtarësohet në INTERPOL dhe në UNESCO. Sa shumë paralelizma të paralajmëruara! Mirëpo, as këtë vit nuk ua hoqën vizat atyre që prej kohësh iu kishte hequr mundësia për një jetë të dinjitetshme dhe të lirë. Ndërkaq, atyre që shquheshin për masakra, prej kohësh iu hoqën pengesat për ta shëtitur lirshëm botën e zhvilluar, thuajse mëtonin t’i gdhendnin sadopak të pagdhendurit. Kosova nuk u anëtarësua në INTERPOL dhe as në UNESCO. Sa paralelizma të parealizuara! Vetëm ushtria u formua. Një lajm shumë i mirë, por njëherësh edhe një paralajmërim që rrëfen se meqë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë çdo ditë po shkojnë drejt përkeqësimit, atëherë Kosovës i duhet ushtria që, eventualisht, nëse Serbia nuk mbushet me mend, atëherë parashihet që mes dy shteteve të ketë një luftë simetrike, për dallim prej viteve ’98-të dhe ’99-të. Pra, edhe një paralelizëm i paralajmëruar ka filluar të analizohet me druajtje. Po ashtu, flitej që paralelisht me marrjen e Luginës së Preshevës, do t’i jepet Serbisë veriu i Mitrovicës. Sa paralajmërim pikëllues!

Paralelisht me integrimin e Shkupit në NATO parashihej që drejtësia në vend të vihej në vendin e duhur. Mirëpo, zvarritja e epilogut të rastit famëkeq “Monstra”, ngurrimi për ta rishqyrtuar rastin tjetër të llahtarshëm “Alfa”, vrasja e dytë e Almirit të vogël përmes dënimit simbolik të vrasësit të tij, mosdhënia e kompensimit financiar ndaj të dënuarve të pafajshëm të rastit trishtues “Sopoti” dhe disa raste të tjera mynxyrë, sidomos për shqiptarët, dëshmuan se – paralelisht me ardhjen e një të mire – nuk do të përmirësohen shumë të këqija, gjegjësisht një e mirë tepër e pamjaftueshme përballë një mali të këqijash. Për më keq, edhe shkëndija e integrimit të vendit në NATO do të shoqërohet më një falje të pafalshme. Do të falen terroristët e 27 prillit, që dhunshëm e sulmuan institucionin më të lartë të vendit, kuvendin.

Kësodore, do të ishte mirë që – para se të mirat të na vijnë paralelisht – mos të gënjehemi njëkohësisht dhe përjetësisht, para se të njoftohemi me ardhjen e të mirave paralele, dëshirojmë që praktikisht të njoftohemi me ikjen e të këqijave paralele. Paralelisht me gjithë këto peripeci të dhembshme, dyshojmë në një të ardhme të ndritshme, sepse me themele të forta sajuese, është tejet vështirë të ndërtosh rrokaqiej të sigurt dhe të qëndrueshëm. Megjithëkëtë, mirupafshim në të mira paralele, por kujdes se edhe të mirat mund ta xhelozojnë njëra-tjetrën dhe pastaj të funksionojnë si paralele me qëndrime skajshmërisht të kundërta.