` . Falënderim vetes - TV-SHENJA

Falënderim vetes

Fort e dashur vetja ime, të faleminderit që më jep shpresë kur drita e shpresës është shumë e vogël, që më jep mundësinë t’i përzgjedhë njerëzit përreth, që nuk dobësohesh kur e sheh se dikush po ecën mirë në jetë… që nuk eksperimenton me ndjenjat e njerëzve dhe me sinqeritetin e tyre, e sidomos kur ata të besojnë ty.

Shkruan: Shpresë KAMBERI, Shkup

Për aq kohë sa kam shkruar, kam shkruar për të gjithë ata që më rrethojnë, por asnjëherë për veten. Të qartësohem dhe jo të gjykohem, është shumë me rëndësi ta duash vetën përpara se t’i duash tjerët. Mund të duket si zhvillim i egos, por nga ana tjetër ego-ja nuk është edhe aq keq… sa pretendojnënjerëzit, sepse realisht gjithçka sillet rreth vetes, çdo kush me çdo kusht përpiqet për veten. Dhe, nëse njerëzit do të punonin më tepër për veten nuk do të ishte nevoja që të krijojnë lumturi mbi shkeljen e dikujt tjetër. Faktikisht, ego e zhvilluar është për ata që nuk pranojnë që e drejta e tyre shtrihet deri aty ku nuk cenohet liria e dikujt tjetër.

Derisa ne e duam veten edhe e respektojmë, e zgjedhim vendin ku shkelim, i zgjedhim njerëzit me të cilët ecim, flasim dhe kalojmë kohën ehe me këtë rregull “pastrojmë” para dhe përreth vetes, në mënyrë që të ndjehemi rehat. Megjithatë, për këtë vit desha të ndaj çaste që të falënderohem për gjërat përreth, të falënderohem për rritjen e mendimeve aq shumë sa për të kuptuar se thjeshtësia është mbreti.

E dashur vetja ime…

Faleminderit për denjësinë në shpenzimin e kohës dhe lehtësimin në planifikimin e saj.

Të faleminderit për përkushtimin ndaj gjërave të duhura dhe njerëzve përreth.

Të faleminderit për mospranimin e papjekurisë rreth vetes.Kjo sinqerisht më lehtëson.

Të faleminderit për lumturinë që e ndjen brenda kur i sheh të lumtur njerëzit tjerë, kur të gëzon aroma e mirë e kafes, buzëqeshja e një fëmije dhe dëshira e fqinjit të plakur për t’i ndarë problemet me ty. Kjo më kujton se në këtë botë nuk kam ardhur vetëm për ta pritur kthimin, porse brenda meje kam marr pjesë të çdo kulture të mirë, çdo vendi ku kam shkelë dhe të çdo njeriu që e kam dashur. Jam goditur me çdo fjalë përkëdhelëse nëpër libra dhe filma, nëpër biseda të thella dhe nëpër ëndrra për një botë më të mirë, në kuptimin esencial, ku njeriu gjen lumturi në gjërat e vogla dhe jo në materializëm.

Prandaj, fort e dashur vetja ime, të faleminderit që më jep shpresë kur drita e shpresës është shumë e vogël, që më jep mundësinët’i përzgjedhë njerëzit përreth, që nuk dobësohesh kur e sheh se dikush po ecën mirë në jetë… që nuk eksperimenton me ndjenjat e njerëzve dhe me sinqeritetin e tyre, e sidomos kur ata të besojnë ty.

Të faleminderit që punon për ëndrrat, që beson se ajo që do ti do bëhet, se suksesi i dikujt tjetër nuk e dobëson vullnetin tënd.

Të faleminderit që emocionohesh me lumturinë e fëmijëve, me gjestet e mira dhe shprehjen e kujdesit ndaj atij rrethi që e ngroh butësisht zemrën tënde.

Të faleminderit që derdh lot kur flet dhe emocionohesh, sepse shprehja e emocioneve na kujton se jemi njerëz.

Të faleminderit që je ndryshe, që mendon ndryshe dhe e sheh botën ndryshe.

Të faleminderit që e ke pranuar ndryshimin, duke filluar prej vetes…

Të faleminderit që e pranon sjelljen ndryshe të njerëzve, sepse e di se ti je ndryshe!

Të faleminderit që qesh e qan, që hesht e bërtet, duke e ndjerë thellë në zemër çdo gjë që nxjerrë nga goja, pa pasur nevojë për maskim…

Të faleminderit, sinqerisht, vetja ime, që më bën me dashtë dhe me u sillë me të tjerët në mënyrën se si mua më duket e drejtë dhe jo se si ata e meritojnë sjelljen time, sepse unë e prezantoj veten dhe jo raportin e tyre me njerëz.

Të faleminderit që më ke dhanë mundësinë ta kuptoj se bukuria nuk qëndron në pamjen e jashtme, sepse njerëzit duken bukur kur duan, kur falin, kur kujdesen për njëri-tjetrin dhe kur shprehin altruizëm.

Të faleminderit, vetja ime, që përpiqesh me çdo kusht të gjesh vend në këtë botë ku diskutohet për ngrohje globale më shumë sesa për ftohje të marrëdhënieve dhe ndjenjave njerëzore…