` . “Fake diplomacy” dhe pështjellime politike – TV-SHENJA

“Fake diplomacy” dhe pështjellime politike

Greqia po e pohon se nuk bën diplomaci në Ballkan, por subversison e konspiracion diplomatik, diçka më e keqe se “fake diplomacy”dhe”fake news”. Ajo përpunon shumë shqiptarë, që këta vetë të bëjnë “fake news” në dëm të shtetit e të kombit të tyre për llogari të Greqisë.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Me togfjalëshin me konotacion tejet negativ “fake news” (e përkthyer fjalë për fjalë do të thotë “lajme të rrejshme”) emërtohet një dukuri që po shkakton pështjellime kudo në botë. Më keqja është se kjo nuk mbetet vetëm tek një mani zbavitëse harrakatëve apo tek thashethemnajë e përgjithësuar midis individësh, por “fake news” po përdoret edhe si një mjet lufte politike dhe diplomatike. Pra, bën pjesë edhe në atë që mund ta quajmë”fake diplomacy” (e përkthyer fjalë për fjalë do të thotë “diplomaci e  rrejshme”). Për këtë ndërthurje një politolog i mirënjohur amerikan ka botuar studimin shkencor “Pse gënjejnë udhëheqësit. E vërteta mbi gënjimin në politikën ndërkombëtare” (John J. Mearsheimer,”WhyLeaders Lie. The Truth abort Lying in International Politics“, 2011). Është një libër që nuk duhet lëshuar nga dora kur trajtojmë pështjellimet shqetësuese politike në vend dhe tensionet në marrëdhëniet midis shteteve e popujve në Ballkanit, i cili po hyn në një periudhë të re pasigurie. Ne shqiptarët duhet të shqetësohemi, sepse liderët po na gënjejnë pa pushim.

*          *          *

Këto arsyetimet më shtyjnë që në fokus të këtij shkrimi të mos e vendos kryesisht temën e rekomanduar për këtë numër të revistës mbi zhvillimet në vijën Shkup-Prishtinë-Sarajevë, që do ta ngushtonte këndvështrimin. Kohë më parë është hedhur ideja mbi dobitë e njëfarë bashkërendimi të politikave shtetërore në trajektoren Maqedoni-Shqipëri-Kosovë-Bosnjë, madje edhe Kroaci, për të bindur BE-në që të mos e pranojë Serbinë para shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse Serbia do ta keqpërdorë me siguri këtë anëtarësim të veçuar për të vënë kushtet e saj për pranimin e të tjerëve. Synimet për një bashkëpunim të tillë specifik do të dështonin para “fake diplomacy” të shteteve që përmenden dhe që kanë interesa, prirje e tradita diplomatike, që nuk e favorizojnë këtë lloj bashkëpunimi “izolues” ndaj Serbisë. Nuk mund të shpërfillim as faktin që gjatë tri dekadave të fundit me metodën e “fake news” e të “fake diplomacy” është bërë një zhurmë e pandërprerë për të akuzuar “nacional-islamizmin shqiptar”, si ideues e farkëtues i një “boshti të gjelbër mysliman” për rrethimin e Serbisë në të njëjtën trajektore me ndihmën gjoja botës myslimane, sidomos të fundamentalistëve e terroristëve islamikë nga Lindja e Mesme e Gjiri Persik dhe të neo-otomanizmit turk. Për të demaskuar qëllimet e këqija të këtyre trillimeve na është dashur të bëjmë disa herë polemika me islamofobët e serbofilët në Shqipëri. Prandaj, kam bindjen se ideja e aleancës kundërshtuese ndaj pranimit të veçuar të Serbisë në BE nuk do të rezultojë produktive, megjithëse është politikisht e logjikshme. Shqiptarët më mirë duhet të përqendrohen në mobilizimin e forcave të tyre se të mendojnë për projekte më të ndërlikuara. Koha dhe mënyrat e pranimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor është tagër ekskluziv i BE-së që i takon ta zgjidhë çështjen në një mënyrë që do t’i shmangë ndërlikimet e mëvonshme. Nuk besoj se kombinacionet ballkanike të çfarëdo formati qofshin, duke përfshirë edhe “Nismën e Berlinit”, mund t’i përmirësojnë gjasat integruese për shqiptarët.

*          *          *

Ballkani nuk është i trazuar vetëm për shkak të ngadalësimit të procesit për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ballkani po trazohet nga ekzistenca e problemet madhore kombëtare të pazgjidhura, në Bosnjë-Hercegovinë, në Kosovë e Maqedoni dhe në gjithë hapësirat ku ka shqiptarë. Ballkani trazohet prej konflikteve të ngrira, që mund të çojnë në shpërthime të pakontrolluara, natyrisht nëse lihet shumë terren për “fake diplomacy” lokale, europiane e ndërkombëtare.

Tani, si papritmas, një tym i zi helmues për atmosferën politike në Ballkan po del nga oxhaqet e “fake diplomacy” të Greqisë. Qeveritarët më të lartë të vendit, për hesapet e grindjet e tyre politike e pushtetore, e zbuluan sekretin se të gjitha ministritë e Greqisë kanë pasur në dipozicion dhe kanë përdorur fshehtas shuma të mëdha parash për subversion në vende të tjera, së pari në Shqipëri e në FYROM. Më kot përpiqet gazetari e analisti Mero Baze të sajojë rrethana lehtësuese për politikën diversionte të Greqisë, duke i quajtur milionat e eurove të shpenzuara për financimin e propagandës greke në dëm të shqiptarëve vetëm si rast korrupsioni të rëndomtë dhe jo si provë e një konspiracioni grek të mirëfilltë kundër kombit e shtetit shqiptar (gazeta “Tema”, 22 tetor 2018). Tani presim të shohim a do ta qortojë BE-ja dhe NATO Greqinë për këto ndërhyrje destabilizuese në punët e brendshme të vendeve fqinje?

Kryeministri grek nuk duket i shqetësuar përderisa mburret se qeveria e tij ka bërë gjë më të mirë se qeveritë e mëparshme, meqenëse fondet sekrete nuk ka i shpërndarë më në zarfa të zinj, por i paska shpërndarë në mënyrë të disiplinuar, si veprimtari qeveritare. Mësuam nga vetë grekët se Ministria e Jashtme e këtij shteti ka përdorur fshehtas shuma të mëdha parash edhe për të subvencionuar industrinë e “fake news” për destabilizimin e Shqipërisë e të ndonjë vendi tjetër. Dhe, kjo veprimtari në Greqi u quajtka “mbrojtje interesave shtetërore” të Greqisë. Unë i përkas atij rrethi të ngushtë politikanësh, partiakësh e publicistësh shqiptarë, që u kanë rënë shumë e prej kohësh kambanave të alarmit për këtë politikë që ka ndjekur gjithmonë Greqia ndaj Shqipërisë. Kam bërë luftë të ashpër, deri me presidentë e kryeministra të vendit tim, që ia linin rrugën hapur kësaj veprimtarie të politikës greke. Kam tërhequr vëmendjen e diplomacive të huaja për këtë veprimtari. Jam përballur shpesh me ato mjete informimi, gazetarë e politikanë shqiptarë, që e mësoja se merrnin para nga fondet sekrete greke për të luftuar nacionalizmin e nacionalistët shqiptarë. Të gjitha i kam deklaruar në instanca shtetërore, i kam shpallur për opinionin publik vit pas viti, gjatë tri dekadave të”demokracisë”, madje edhe më herët, në kohën e komunizmit, kur punoja si diplomat. Partisë Demokratike ia kam paraqitur publikisht qysh në vitin 1992 një listë emërore të klanit grek në krye të saj. Presidentit Berisha ia kam thënë konfidencialisht në vitin 1992 dhe pastaj publikisht se cili nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt (që edhe sot vazhdon ta njollosë Shqipërinë kur shkon në Bruksel) ishte një “përgjues grek” në Presidencë. E kam pyetur Berishën publikisht pse dy herë e caktoi të birin e një majori grek si kryeministër të Shqipërisë etj.. U lutem lexuesve të mendojë për një çast se çfarë duhet të ndjej unë sot, kur Greqia mburret me cinizëm se diplomacia e saj ka shpenzuar shuma të mëdha parash për të na luftuar neve që i mbronim interesat kombëtare. Natyrisht, sot më mbetet vetëm të qesh me ata që në Shqipëri bëjnë të habiturin me lajmet që po vijnë nga Greqia dhe me ata që po kujtohen tani të kërkojnë që shteti shqiptar të veprojë e të zbardhë të vërtetën ose që ia kërkojnë qeverisë greke ta bëjë transparencën. Këto mendime ndonjë lexuesi mund t’i duken mburravece e cinike. Por, dhe këto u duhen thënë shqiptarëve të përgjumur nga gjumëvënësit grekofilë, që këta gjumëvënës të mos jenë më aq të guximshëm e arrogantë sa deri tani. Për skandalin që ka plasur në Athinë mund të bëja plot komente, por ky shkrim nuk është vendi për këtë. Më mirë t’i bie shkurt: Greqia po e pohon se nuk bën diplomaci në Ballkan, por subversison e konspiracion diplomatik, diçka më e keqe se “fake diplomacy” dhe“fake news”. Ajo përpunon shumë shqiptarë, që këta vetë të bëjnë“fake news” në dëm të shtetit e të kombit të tyre për llogari të Greqisë.

Këtë e ka bërë Greqia edhe me maqedonasit sllavishtfolës e shqipfolës dhe do të bëjë tani e tutje me severo-maqedonasit. U deshën 27 vjet që të gjendej një emër për FYROM-in që ta pranonin grekët. Dhe, u gjet ai emër që mund të gjendej për 27 minuta, qysh ditën e parë të bisedimeve. Tani në Shkup ka festë të madhe e fytyra të hareshme nga njëra palë e çehre të përzishme dhe mllefe nga pala tjetër, që nuk doli në referendum dhe që pretendon se u tradhtua me pazarllëk e me sugjerim të “fake diplomacy” perëndimore gjatë votimit në parlament nga 7 deputetë të opozitës. Vetëm shqiptarët kanë dalë si duket të gëzuar nga kjo dasmë që nuk ishte e tyre. Nuk e kuptoj dot sa të vetëdijshëm janë për atë që po ndodh dhe çfarë presin që po gëzohen. Në Tiranë “fake diplomacy” shqiptare presidenciale, qeveritare, kryeministrore, parlamentare, partiake opozitare dhe gazetareske-mediatike është në kulmin e kënaqësisë se shteti fqinj u përcaktua për Perëndimin kundër Lindjes dhe do ta kemi aleat në NATO. Aleat në NATO ka vite që i kemi edhe grekët që e minojnë shtetin tonë në çdo hap. Të gjitha këto kategori diplomatike shqiptare janë lumturuar sikur të kishin marrë lajmin se Shqipëria u pranua në BE.

Gëzim të madh duhet të ketë dhe në NATO e Bruksel, se më në fund edhe Greqia e kuptoi se nuk mbante më ujë pilafi i bojkotimit të Maqedonisë që e dëshironte fort Rusia. Zemërimi rus shpërtheu shumë shpejt.Më 21 tetor 2018, ambasadori rus në Tiranë deklaroi se Rusia nuk e njeh ndërrimin e emrit të FYROM-it. Deri tani në praktikën e të drejtën ndërkombëtare nuk njihej ndonjë rregull juridik i njohjes ndërkombëtare edhe për ndërrimin e emrit nga një shtet, tashmë i njohur dhe anëtar i OKB-së. Por, të mos kujtojmë se pengesë deri tani ka qenë vetëm Greqia për emrin e Maqedonisë. Më shumë këtë punë e ka zvarritur “fake diplomacy” perëndimore. Tani mbetet për të parë se cila do të jetë prirja e diplomacisë perëndimore për trajtimin e çështjes maqedonase dhe të asaj shqiptare në tërësi: përforcim i linjës për përjetësimin e ndarjes ekzistuese të shqiptarëve apo ndonjë rregullim tjetër në frymën e atij avazit të ri me “ndryshim kufijsh”, që ka dalë për Kosovën. Studiuesi i mirënjohur britanik për çështjet ballkanike, Xhejms Petifer, është i vetmi që i ka paralajmëruar shqiptarët se do të jenë të humburit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës. Unë kam mendimin se duhet mbajtur vath në vesh paralajmërimi “prej Kasandre”, por miqësor i Petiferit.

Vëllezërit tanë në Shqipërinë Lindore ose në Maqedoninë Perëndimore të Maqedonisë Veriore e gëzofshin fitoren që ngazëllon dhe “fake diplomacy” në Shqipëri. Por, për ca kohë do të kemi një vështirësi terminologjike se si do t’i quajmë vëllezërit tanë të atjeshëm: maqedono-veriorë shqipfolës apo vorio-moqedonas, siç mund të duan grekët. Sherri që gjoja grekët kërkonin ta eliminonin mbetet edhe pse u legalizuan dy Maqedoni thjesht mbi kriter gjeografik: Veriorja dhe Jugorja apo e Egjeut. Tani e tutje mund të mos jetë më Veriorja që trembte grekët me pretendime irredentiste, por mund të bëhet Jugorja që të trembë Veriorët me pretendime irredentiste greke, sepse Greqia mund të pretendojë Verioren si zgjatim të Jugores, sikurse bën Greqia për Vorio-Epirin në Shqipëri. Kur të shpalosen pretendime të tilla, besoj se “fake diplomacy” perëndimore do ta marrë vesh se ka bërë një tjetër vrimë në ujë në Ballkan. Atëherë në krye të saj nuk do të jenë Han, Mogerini, Shtoltenberg e të tjerë, siç nuk janë tani ata që gatuan qysh nga Kongresi i Berlinit moszgjidhjet e çështjes maqedone e shqiptare.

“Fake diplomacy” po bëhet edhe për vrasjen e bujshme që ndodhi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Diplomacitë perëndimore edhe n ëkëtë rast nuk janë në një mendje. Amerikanët përpiqen ta lehtësojnë disi pozitën e vështirë ku ndodhet aleati i tyre i çmuar, Riadi. Gjermania, Anglia, Franca duan t’ia shtrëngojnë sa më fort lakun në fyt Arabisë Saudite. Turqisë i ka mbirë e mbetur sherri i huaj në derë se duhet të sqarojë deri në fund çfarë ka ndodhur dhe “fake diplomacy” mund t’i krijojë ndonjë grindje tjetër, si ajo e rastit të priftit amerikan, që sapo u lirua. Këtë episod po e përfshij në shkrim jo ngaqë për të u bë shumë zhurmë e ndodhi në një cep të Ballkanit, por disavite të shkuara në Shqipëri ka ndodhur një histori e ngjashme me zhdukjen në duart e autoriteteve shqiptare të biznesmenit nga Shkupi, Remzi Hoxha, dhe historia ka mbetur krejt e errët, sepse ka të ngjarë që për të u bë shumë“fake diplomacy”.

Të këqijat që sjell “fake diplomacy” i shohim edhe në rastin e përplasjeve midis pushtetarëve të Kosovës për atë nismën e ndreqjes së kufirit pas vite të tëra bisedimesh serbo-shqiptare në Bruksel. Presidenti Thaçi, pas dështimit të këtyre bisedimeve, është kapur fort pas idesë se ndreqjet kufitare sigurojnë paqen e njohjen e Kosovës nga Serbia. Kryeministri Haradinaj këmbëngul se kjo sjell luftë. Në Tiranë nuk dinë çfarë të thonë publikisht, por secili politikan përpiqet të lidhet me ekuivalentin e vet në Kosovës që ta ketë mbështetje për luftën në pushtet në Shqipëri. Edhe për shumë çështje të tjera midis dy shteteve shqiptarë bëhet më shumë “fake diplomacy” shtetërore e partiake se politikë kombëtare. Po profilohet një prirje shqiptare për të imituar modelin e fundit maqedonas në terrenin shqiptar, duke e paraqitur si lidhjen më të fortë midis pjesëve të ndara shqiptare atë të bazuar në “kriterin gjeografik”. Në të folmen politike shqiptare ka qenë rralluar mjaft përdorimi i termave “Shqipëri Etnike”; janë përdorur termat amorfë “Shqipëri natyrale”; kanë dalë termat “Shqipëri bregdetare dhe e brendshme ose malore”. Nga një pushtetar i lartë i Prishtinës, tani vonë, dëgjuam termat “Kosova si zgjatim i Shqipërisë dhe Shqipëria si zgjatim i Kosovës”, që u përdorën për të treguar se cila është lidhja më e fortë midis dy shteteve shqiptare. Pra, tashmë shqiptarët duhet të ndjehen të çliruar jo vetëm nga pesha e termave të dikurshme “Shqipëria e Kosova-nanë e bijë”, por dhe nga rëndesa e idesë se lidhjet më të forta midis Shqipërisë e Kosovës janë gjaku e gjuha, etnia e kombësia, historia e kultura. “Fake diplomacy”, me sa duket, do të shtrijë determinizmin gjeografik në zgjidhjen e problemeve të tjera ballkanike, pas ripagëzimit të shtetit maqedonas.

Gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm të Turqisë u pa qartë shfaqja e një krisjeje në sipërfaqen e lëmuar të marrëdhënieve miqësore shqiptaro-turke, kur zotërinjtë Çavushollu dhe Bushati paraqitën qëndrimet respektive lidhur me largimin e rrezikut të FETO-s nga Shqipëria. Secili kishte arsyet e veta të kuptueshme për të mos qenë në një mendje e bërë të njëjtin vlerësim. Ministrin e Jashtëm shqiptar, Bushati, asnjëherë nuk e kishim parë në një konferencë të përbashkët shtypi aq të sikletosur dhe të pasigurtë në të folur. Në Shqipëri ka mjaft forca që mezi presin të krijohen të çara të rëndësishme në marrëdhëniet e mira midis Kryeministrit Rama dhe Presidentit turk Erdoan. Urojmë që të mos bëhet “fake diplomacy” në një fushë kaq të ndjeshme si marrëdhëniet miqësore shqiptaro-turke.