` . “Facebook” tregon pse ra nga funksioni të mërkurën - TV-SHENJA

“Facebook” tregon pse ra nga funksioni të mërkurën

“Facebook” dhe “Instagram” ishin offline përgjatë gjithë ditës së mërkure dhe tashmë “Facebook” ka treguar pse ka ndodhur kjo. Sipas kësaj kompanie, ndërprerja ishte si rezultat i një ndryshimi konfigurimi në servera.

Rrjeti social tha se problemi është adresuar dhe të gjitha produktet dhe shërbimet janë të aksesueshme përsëri. “Ju kërkojmë thellësisht ndjesë për ndërprerjen e shërbimit dhe vlerësojmë durimin e të gjithëve,” ka njoftuar kompania.
Ndërprerja që preku jo vetëm shërbimin e “Facebook” por edhe aplikacionet “Instagram” dhe “WhatsApp”, zgjati për pothuajse 14 orë sipas “CNN”.

“DownDetector”, një uebsajt i cili lejon përdoruesit të raportojnë kur një shërbim është i paaksesueshëm online u përmbyt nga raportime. Sajti merrte mijëra raportime në orë nga mbarë bota.

“Facebook” pranoi publikisht ditën e djeshme në një cicërimë ekzistencën e problemeve. Por me shpejtësi mohoi spekulimet se ndërprerja erdhi nga një sulm DDoS.

“Instagram” konfirmoi në rrjetin social “Twitter” se ishte kthyer online mëngjesin e së enjtes. Blackout të tilla janë të rralla për “Facebook” por që është i dyti në pak muaj.

Në nëntor pati probleme të ngjashme duke bllokuar aksesin në “Facebook”, “Instagram” dhe “WhatsApp”. Atëherë kompania tha se problemet erdhën nga një testim rutinë që po u bëhej serverëve të rrjetit social, raporton PCW.