` . Europianizimi përballë ballkanizimit – TV-SHENJA

Europianizimi përballë ballkanizimit

Platforma e europianizimit të Ballkanit duhet të ngërthejë në vete jo copëzimin, por antipodin e saj, unifikimin e tij. Unifikimi i Ballkanit rreth doktrinës europianiste nuk mund të bëhet në mënyrë serike ose në mënyrë veç e veç, por në pako. Mirëpo, para kësaj nevojitet një pajtim i ndërsjelle. Pra, pajtimi duhet ta determinojë integrimin.

 Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Ideja e Evropës së bashkuar, e lansuar fillimisht nga Charlemagne, nga Otton le Grand e Charles Quint, nga Pierer Dubois, nga spanjolli Suarez, holandezi Grotiusm, anglezi William Penn (1693), nga Saint- Simoni (1814), nga Mazzini, nga Henri Feugneray dhe Victor Hygo, Candenhave Kalergi, Briandi, Zhan Mone e deri te Shumani dhe protagonistët e UE-së së sotshme, është një ide dhe projekt shumë madhor, që bazohet në krijimin e një institucioni supranacional, i cili – në njëfarë forme – do të duhet të ishte mekanizëm mbrojtës prej nacionalizmave dhe shovinizmave eventualë, do ta ruante Evropën nga përplasjet dhe konfrontimet eventuale dhe do ta bënte vend ku secili shtet do ta delegonte sovranitetin e tij kombëtar, me qëllim që Evropa të frymonte me një zë dhe të vepronte njëzëri në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në anën tjetër ballkanizimi, i cili si term u përdor të nesërmen e fillimit të Luftës së Parë Botërore (e njohur si Lufta e Madhe), në një intervistë me kreun e industrisë gjermane Ruterrai, botuar më 20.12.1918 në “New York Times”, nënkuptonte copëzimin e vendeve dhe shteteve. Kësisoj, rajoni i Ballkanit, pas përjetimit të një sërë luftërash dhe konfliktesh, përplasjesh e tundimesh, gjendet përballë dilemës së mëtutjeshme, të hapërojë drejt europianizimit apo të vazhdojë drejt ballkanizimit dhe theqafjes së mëtutjeshme.

Ideja e europianizimit, që në vetvete nënkupton paqen, tolerancën, respektin e ndërsjellë, marrëdhëniet e mira dhe bashkëveprimin me shtetet fqinje, nënkupton edhe shmangien e kontesteve, tejkalimin e tyre, mirëkuptimin dhe harmoninë. Europianizimi është doktrinë tipike, që bën parashikimin e së ardhmes, duke e krijuar atë. Ky proces nuk do të jetësohej pa pajtimin franko-gjerman, pa zgjidhjen e problemeve ndërkufitare, pa një bashkëpunim të ndërsjellë dhe pa denacifikimin e Gjermanisë.

Andaj platforma e europianizimit të Ballkanit duhet të ngërthejë në vete jo copëzimin, por antipodin e saj, unifikimin e tij. Unifikimi i Ballkanit rreth doktrinës europianiste nuk mund të bëhet në mënyrë serike apo në mënyrë veç e veç, por në pako. Mirëpo, para kësaj nevojitet një pajtim i ndërsjelle. Pra, pajtimi duhet të determinojë integrimin. Nuk mund të ketë integrim pa pajtim. Nuk mund të ketë integrim me copëzim, krejt kjo ngase ideja europaniste do të tjetërsohej, do të ballkanizohej. Thjesht nuk do të ishte më ide europianiste.

Në veprën e tij “Penser l`Europe” (Si e mendoj Europën), Edgar Morin flet për poli-identitetin europian, të cilin e quan UNITAS MULTIPLEX. Morin-i denoncon një Europë kolonizuese, duke dashur që Evropa të shihet si një ideal që nuk do t’i riprodhonte gabimet e shteteve-kombe (në kërkim të pastërtisë së brendshme dhe të dominimit të jashtëm). Andaj, edhe kjo doktrinë duhet ta ruajë patjetër thelbin e saj, duke mos bërë ftesë në copëzim. Integrimi i shteteve ballkanike veç e veç do t`i jepte mundësi njërit ose tjetrit shtet që të bënin kushtëzime ndaj njëri-tjetrit, duke e sjellë këtë proces në një pafundësi. Para kësaj patjetër duhet të ndodhë zgjidhja e problemeve që i tangojnë shtetet e Ballkanit, ndërsa këto zgjidhje medoemos duhet të kalojnë përmes njohjes dhe respektit të elementit shqiptar, i cili është determinues për këtë zonë, së bashku me elementin bullgar, serb (lexo: sllav), si dhe atë grek.

Pajtimi medoemos duhet të jetë parakusht. Modeli franko-gjerman duhet ta prevalojë këtë rajon. Pajtimi serbo-shqiptar duhet të ndodhë. Është mirë të ndodhë. E që të ndodhë kjo, kërkohen parakushte. Dhe, nuk mjafton vetëm kjo. Nevojiten shumë pajtime. Pajtimi greko-shqiptar, maqedono-grek, maqedono-shqiptar…

Serbia dhe serbët ende nuk e kanë bërë katarsën e duhur dhe të nevojshme nga “Naçertanija”. Serbia duhet t’i kërkojë falje kombit shqiptar, duke i paguar për dëmet materiale dhe njerëzore, duke e njohur shtetin e Kosovës dhe duke ndaluar përpjekjet për minimin e saj ose ndarjen e saj (lexo: copëzimin, një koncept në thelb antieuropian). Pa e bërë këtë nuk mund të ketë raporte të mira mes shqiptarëve dhe serbëve. Këtë e ka bërë Gjermania dhe kombi gjerman me Francën dhe me francezët, andaj edhe sot e kësaj dite i paguhen dëme dhe reparacione këtij shteti dhe shteteve të tjera të cilave Gjermania u ka shkaktuar dëme. E Serbia, lëre që nuk e ka bërë, po nuk ka as shenja treguese minimale për ta bërë këtë. E di që Ballkani do të ishte shumë stabil dhe më i rehatshëm nëse do të integrohej në Evropë, por në Evropë do të integrohemi atëherë kur në mes vete do t`i zgjidhim problemet mirë e mirë dhe do t`i pastrojmë hesapet ashtu siç duhet. Gjermania e ka bërë këtë duke u denacifikuar (Gjyqi i Nurembergut). E njëjta gjë nuk po shihet në horizont te udhëheqësia serbe. Kështu ende shef i Shtatmadhorisë së Armatës Serbe është personi i dyshuar për krime lufte.

Greqia patjetër duhet ta ndalojë politikën e saj ekspansioniste dhe hegjemoniste, me revendikimet e saja territoriale ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj fqinjëve të saj. Pretendimet greke, që nuk kanë të ndalur, pangopësia dhe grykësia e udhëheqësve që kanë për bazë orientiese Megalidhenë, nuk përkon me doktrinën europianiste. Mosnjohja e faktit se brenda territorit grek ekzistojnë edhe komunitete tjera dhe asimilimi i tyre e minon projektin europian. E copëzon atë. E shpërfytyron atë.

Elementi shqiptar në Maqedoni është shumë i rëndësishëm, saqë nuk mund të ketë stabilitet pa njohjen e këtij elementi dhe dhënien e vendit të merituar në shtet. Refuzimet për avancim ose zyrtarizim të shqipes shfaqin tendencat dhe mosgatishmërinë për përqafimin e europianizmit, dëshmojnë të kundërtën, ballkanizmin dhe copëzimin.

Në gjendje më të mirë nuk janë as Shqipëria dhe Kosova, ku elitat politike dhe shtetërore, përpos që janë nën llupën ndërkombëtare për krim, korrupsion dhe zhvatje, kanë sjellë deri aty sa t’i zbrazin vendet e tyre nga rinia dhe nga intelektualët. Përkrahja e nepotizmit dhe inaptokracia ua kanë vënë lakun në fyt këtyre shteteve e po i shkërmoqin nga brenda, sepse motori lëvizës i shoqërisë, rinia, po sheh dritën e shpëtimit larg vendeve amë. Në Evropë. E sikur të ishin pjesë e Evropës, jo vetëm gjeografikisht, këta të rinj do të qëndronin në vendin e tyre. Doktrina europianiste do të duhet t`i japë fund epokës së komandantëve. Garibaldi, kur e bashkoi Italinë, të nesërmen iu kthye punës së tij të zakonshme. E lëshoi kushtrimin e tij “Unë e bëra misionin tim. Vazhdoni ju tuajin!”

Luftimi i krimit dhe korrupsionit është sinjal se edhe këto dy shtete janë gati për ta përqafuar doktrinën europianiste. Europianizmi nuk është fjalëbosh, por projekt konkret dhe i detajuar. Kulti i dhunës ndër shqiptarët duhet të flaket. T`i jepet hapësirë meritokracisë, që fatmirësisht e kemi, por që fatkeqësisht po i braktis vendet amë. Sepse, meritokracia ka mundësi ta luftojë mendësinë diktatoriale. Sepse, në mendësinë e diktatorëve, janë vetëm ata që nuk gabojnë “kurrë”. Europianizmi nuk e njeh përjetësinë në pushtet. Kurrën e kurrës. Përndryshe do të dështojë si i tillë. Do të mbetet në analet e historisë.