` . “Europa tjetër”: djathtizmi ekstrem danez – TV-SHENJA

“Europa tjetër”: djathtizmi ekstrem danez

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Viti 2010: Peter Trap nga CDU deklaroi për gazetën Bild se dimensionit humanitar në pranimin e imigrantëve duhet t’i shtohet edhe testi i inteligjencës për kategorinë e ardhacakëve që konkurrojnë për nënshtetësinë gjermane. Në verën e vitit 2011 Norvegjia u bë pjesë e statistikave të terrorizmit përmes rastit të ekstremistit Anders Breivik, që masakroi 77 njerëz. Në vitin 2015 Uffe Elbœk nga “Alternative daneze” pati deklaruar se debati rreth refugjatëve dhe azilkërkuesve gjatë zgjedhjeve ishte mjaft shpifës. Para një viti, më 2016: Donald Trump-i i fitoi zgjedhjet presidenciale me ligjëratë ultra-konservatore dhe raciste, por edhe me turbulenca në opinionin botëror. Ndërkohë, Viktor Orban urdhëroi ndërtimin e mburojës së telit për mbrojtje nga emigrantët dhe refuzoi kuotën për ndarjen e ngarkesës së ikanakëve ndërmjet vendeve anëtare të BE-së. Në qershor të vitit të njëjtë kryeministrja polake Beata Szydlo në komemoracionin e Aushvicit mbajti një fjalim, me të cilin ngjalli te polakët frikën prej imigrantëve. Ndërkohë, Danskernes Parti nxori në treg veglën e re propaganduese kundër azilkërkuesve – “Asylspray: Lovlig, Effektiv” (Azil sprej: I ligjshëm, efektiv), që targeton eliminimin e refugjatëve. Këtyre ditëve të fundvitit qeveria austriake shpalosi kufizime monetare dhe teknologjike (celularët) për migrantët.

Kohëve të fundit në vendet perëndimore po përhapen me të madhe ndjenja, si ksenofobia dhe islamofobia, në veçanti nga partitë e proveniencës djathtiste, nga partitë konservatore dhe ultra-radikale, të cilat haptazi shprehen se janë kundër pranimit të (i)migrantëve nga vendet e Lindjes dhe të Ballkanit. Referendumi kundër minareve në Zvicër, grafitet nëpër shtëpitë dhe faltoret e myslimanëve, dilemat lidhur me pranimin në punë të orientalëve, sulmet ndaj grave me shami, detyrimi i varrosjes me sarkofagë e të tjera, janë disa prej tregonjësve të një klime anti-emigrante, që mbizotëron në Europën liberale të shekullit XXI.

Sipas studiuesit gjerman Thomas Meyer, në vendet europiane ekzistojnë perceptime të ndryshme lidhur me atë se si do të duhej të dukeshin marrëdhëniet ndërmjet shumicës dhe pakicave socio-kulturore, në veçanti pakicave “etno-kulturore”, siç emërtohen minoritetet ose emigrantët sot. Përderisa Holanda aplikon modelin e “shoqërive paralele”, Franca përpiqet që emigrantët t’i asimilojë sa të jetë e mundur, Republika Federale e Gjermanisë deri kohë më parë nuk ka pasur kurrfarë koncepti. Ndërkohë, politika vendosi për konceptin e integrimit. (shih: Meyer, 2014)

Nga ana tjetër, grupet margjinale dhe ardhacake në vendet perëndimore e kuptojnë integrimin si tendencë për asimilim të tyre, andaj këtyre proceseve mundohen t‘iu bëjnë ballë përmes organizmit të veprimtarive me ngjyrime kombëtare, siç janë mësimi nëpër shkolla ku arsimimi zhvillohet në gjuhën amë, aktivitetet folklorike, ritualet fetare, festat kombëtare, takimet nëpër klube emigrantësh, ndjekja e TV-kanaleve të vendeve nga vijnë etj. (Hughes, 1999: 222-224) Pra, për t’i shpëtuar asimilimit migrantët dhe emigrantët që jetojnë në shtetet pritëse, në të cilat nuk kanë lindur, izolohen kulturalisht, formojnë ishuj socialë dhe kulturorë, të mbiquajtur geto. Kjo shkakton kundër-reaksion, ndihmon në forcimin e frymës politike djathtiste e të aktorëve ultra-konservatorë, që emigrantët dhe refugjatët i shfrytëzojnë për alibi në propagandën e tyre pro-atdhe, për shoqëri të pastër nga lindorët, arabët, turqit, myslimanët etj.

Danimarka është një nga vendet e përfshira nga furtunat e ideologjive të krahut të djathtë dhe nga imazhet e armikut (Larsen, 2012). Në vitin 2014 Qendra Kombëtare Daneze për Studime Sociale shpalosi një raport, sipas të cilit në Danimarkë ekzistojnë tre mjedise ekstremiste, me një total prej 15 grupimeve radikale, 6 prej të cilave të djathta. Këto grupe shfrytëzojnë metoda kriminale dhe të dhunshme. Sipas britanikes Independent (2016), Danimarka bashkë me Hungarinë dhe Austrinë janë në vendin e dytë në mesin e shteteve ku partia nacionaliste ka fituar përqindjen më të madhe të votave (21 %, përkundër Zvicrës që është e para me 29% dhe Italisë, në skajin tjetër, me vetëm 4%).

Është shumë interesante se e djathta ekstreme gjithnjë e më tepër fokusohet në çështjet e kulturës dhe të identitetit (dhe në veçanti të Islamit) sesa në ato ekonomike. Bëhet fjalë për një mobilizim populist të bazuar mbi konfrontime me bazë kulturore, vlerore dhe identitare. Sipas Shërbimit Danez të Sigurisë dhe Inteligjencës, janë dy trende politike ekstreme në Danimarkë: nacional-socializmi dhe nacionalizmi i krahut të djathtë. I dyti është një përzierje e ultra-nacionalizmit, anti-islamizmit dhe racizmit kulturor dhe ai emanon nga një varietet i interpretimeve ekstreme të liberalizmit, konservatorizmit dhe fashizmit. Të dy krahët e ekstremizmit e kanë të përbashkët ksenofobinë, averzionin ndaj grupeve të caktuara religjioze dhe etnike, kundërshtimin ndaj multikulturalizmit dhe gjithçkaje që nuk është daneze (un-Danish) përmes parullave dhe grafiteve si “Danmark fo Danskere!” (Danimarka danezëve!). Sipas këtij botëkuptimi, demokracia është e rezervuar për danezët e bardhë, kurse minoritetet etnike, në veçanti ata që janë me prejardhje islame, duhet të deportohen ose së paku të privohen nga të drejtat demokratike. Këto grupime përpiqen për krijimin e kushteve për një Danimarkë etnikisht të pastër. (Larsen, 10).

Lëvizja Nacional Socialiste është anti-demokratike, anti-semite dhe, përgjithësisht, raciste. Logoja e kësaj lëvizjeje është svastika kuq e bardhë, kurse si moto e ka shprehjen “Përzierja e racave është gjenocid”. Socialistët Nacionalë gjejnë frymëzimin e tyre ideologjik dhe imazhet e armikut në Gjermaninë Nacional-Socialiste të Hitlerit dhe te Italia fashiste e Musolinit. Qëllimi i tyre është një shtet diktatorial, i fortë, racist e i pastër i Fyrerit. Ideologjia Kombëtare Socialiste përfshin përdorimin e dhunës, e cila konsiderohet si e drejtë e më të fortit. Socialistët nacionalistë përdorin edhe dhunën politike deri në masën e mundur dhe të dobishme për qëllimin përfundimtar politik. Ata nuk pajtohen me nacionalistët e krahut të djathtë lidhur me rolin e demokracisë dhe në çështjen e antisemitizmit.

Harta e lëvizjeve radikale daneze përbëhet nga grupet dhe partitë në vijim: Danmarks National Socialistiske Bevægelse – DNSB (Lëvizja Nacionale Socialiste e Danimarkës), Danmarks Nationale Front – DNF (Fronti Kombëtar i Danimarkës), Danskernes Parti (Partia Daneze), Lidhja Daneze e Mbrojtjes – DDL (pjesëtarët e së cilës sulmojnë, pështyjnë gratë myslimane), Stop Islamiseringen af Danmark – SIAD (Stop Islamizimit të Danimarkës, pjesë e Stop Islamisation of Europe [SIOE], që shprehet hapur “Ne e luftojmë Islamin!”), Vederfølner, Danimarka e lirë (“importimi i muhamedanëve është dështim ekonomik”), Krenaria e Bardhë e të ngjashme.

Në këtë nivel dallohen qartë dy lloje të ekstremizmit të krahut të djathtë: 1. lëvizjet ksenofobike dhe militante të ekstremit të djathtë dhe rrjetet që e mbrojnë drejtpërsëdrejti dhunën në rrugë, që përdorin simbolet neo-naziste, ideologjinë dhe muzikën (p.sh. Krenaria e Bardhë, Fronti Kombëtar Danez, Gjaku dhe Nderi Danimarka), që kanë një rrjet ndërkombëtar mjaft të zhvilluar; dhe 2. lëvizjet dhe shoqatat që mbështeten në retorikën etnocentrike, nacionaliste dhe antimigruese, në ndjenjat patriotike dhe qëndrimet kundër emigracionit, por që janë pjesë e jetës politike daneze dhe që zyrtarisht e refuzojnë dhunën dhe metodat antidemokratike (p.sh. Shoqata Daneze, Aarhus kundër xhamisë, Verderfølner) Është interesante se rrymat e djathta sot ngulmojnë në vlerat patriotike, në joviolencë dhe metoda demokratike, me gjasë duke synuar shkëputjen nga imazhi i dhunës, antisemitizmit, ideologjisë naziste dhe pozitës anti-myslimane.

Të dy llojet e kanë të përbashkët kritikën e ashpër të islamit dhe të minoritetit mysliman, “vlerat dhe principet e të cilëve konsiderohen si të papajtueshme me idetë fondamentale të botës perëndimore dhe kristiane që nga Iluminizmi”. Përkundër viteve 1990-të, kur në shënjestër të këtyre grupeve ekstreme ishin imigracioni, imigrantët dhe refugjatët, sot atakohen Islami dhe myslimanët. (Karpantschof, 2004)

Fushata e Partisë Popullore Daneze kundër ndërtimit të xhamive të mëdha në Danimarkë (2009): “Jo për xhamitë e mëdha në qytetet daneze!” “(…) Ne ju japim një garanci: Sa më shumë përfaqësues të Partisë Popullore Daneze që votohen në zgjedhjet komunale më 17 nëntor, më shumë kundërshtim kundër fortesës së islamizmit në qytetin tuaj. Voto edhe lokalisht, danisht.”

Rrënjët e ekstremit të djathtë danez shkojnë deri në vitet 1970 kur u shfaq Partia e Progresit (Fremskridtsparti). Një pjesë e udhëheqësve të kësaj partie më 1995 e lançoi Partinë Popullore të Danimarkës, që nga media ndërkombëtare përshkruhet si populiste e krahut të djathtë, e ekstremit të djathtë. PPD është cilësuar edhe si nativiste dhe anti-imigrante. Partia në fjalë i përdor gjerësisht simbolet kombëtare, si flamuri danez (Dannebrog), me qëllim të theksimit të veçanësisë në raport me partitë e tjera të vijës së mesme. (Langenbacher, 2011: 252). Kjo parti, që përbën një bashkim të nacionalizmit dhe populizmit, ngulmon në luftën për mbijetesë të kombit si entitet kulturalisht i veçantë dhe shprehet hapur kundër multikulturalizmit. Kjo parti e sheh veten në rolin e kujdestarit të arritjeve të shoqërisë daneze, si mirëqenia, vlerat demokratike, liria individuale dhe kolektive, etika dhe zelli i punës, përgjegjësia për komunitetin etj. Partia Popullore e Danimarkës bën apologjinë e trashëgimisë kulturore daneze, përfshirë familjen, monarkinë, Kishën Evangjelike Luterane, mbizotërimin e shtetit të së drejtës, punon për kufizimin e imigracionit, promovon asimilimin kulturor të ardhacakëve, kundërshton “islamizimin e shoqërisë”. Ish-lideri i partisë, Pia Kjærsgaard, pati deklaruar se “nuk e donte Danimarkën si shoqëri multietnike dhe multikulturore”, madje pati shtuar se multikulturalizmi është një “katastrofë kombëtare”. Në kritikat për ndryshimet daneze në ligjet e imigracionit që erdhën nga qeveria social-demokrate e Suedisë, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë dhe Komisionari për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Europës, Kjærsgaard-i ishte përgjigjur me sa vijon: “Nëse ata duan që Stokholmin, Geteborgun ose Malmen t’i shndërrojnë në Bejrut skandinavian, me luftëra klanore, ekzekutime të nderit dhe dhunë bandash, le t’i bëjnë! Ne gjithherë mund të vendosim barrierë në Urën e Oresundit.” Parti si FPÖ në Austri, Lega Nord në Itali, SVP në Zvicër dhe Partia Holandeze e Lirisë kanë zhvilluar programe të njëjta me atë të Partisë Popullore të Danimarkës.

Gjetjet nga analizat flasin se ekstremizmi danez ushqehet nga çështja e imigracionit, që shihet si një demon dhe sulmohet paprerë, qoftë në kushte të përditshmërisë, në veçanti në fushatat zgjedhore. Ekstremizmi djathtist, ksenofobia dhe islamofobia janë një mjegull e zezë mbi ardhmërinë e Europës dhe njerëzimit në përgjithësi. Mobiliteti social është fenomen i pandalshëm, por çdokush që vendoset në një shoqëri duhet të akomodohet aty ku mendon të jetojë, natyrisht duke e ruajtur edhe autenticitetin e vet. Imigrantët janë shënjestër e rrymave ultra-shovene gjithandej Europës. Por, kur flasim për këtë temë, nuk duhet harruar edhe mëkatet e imigrantëve, një pjesë e të cilëve vetë ekskomunikohen, të cilët shfrytëzojnë benefite (ndihma sociale) pa kontribuar për të mirën kolektive, të cilët krijojnë “no-gozones” nëpër metropolet europiane, ushtrojnë dhunë, trafikojnë mjete narkotike, të cilët me pakicë zgjedhin rrugën e arsimit dhe kulturës për t’u vetërealizuar nëpër shoqëritë pranuese. Sidoqoftë, të dyja palët mund të përfitojnë nga njëra-tjetra: jonativët mund ta mësojnë kulturën e punës, disiplinën e shumë vlera të tjera europiane, kurse vendasit mund të përfitojnë nga përshpirtësia, relacionet humane e vlerat familjare të (i)migrantëve.