` . Euro-islamofobia: Rasti Fallaci - TV-SHENJA

Euro-islamofobia: Rasti Fallaci

Sipas De Stefano-s, trilogjia e fundit ia ka shkatërruar karrierën e saj prej një intelektualeje të respektuar majtiste dhe e ka shndërruar atë në një ”ikonë islamofobike” të së djathtës ekstreme. Fallaci vazhdimisht ka shtruar pyetjet, si: Cila është gjendja e Europës ndaj kulturës islame brenda kufijve të saj?; A mund të rrijë në këmbë Europa në saje të vlerave të veta?; Si mund të takohen dhe të bashkëjetojnë dy kultura të këtilla të ndryshme? etj

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Islamofobia është një neologjizëm i shpikur në Britani në vitin 1996 (megjithëse ka të atillë, si K. Armstrong dhe M. Filipoviq, që pohojnë se rrënjët i ka në periudhën e kryqëzatave), që nënkupton “paragjykimet dhe antipatinë e thellë ndaj islamit dhe myslimanëve”, frikën dhe armiqësinë e pabazë dhe artificiale ndaj fesë islame, ndjenja këto që shkaktojnë diskriminimin e myslimanëve, përjashtimin e tyre nga proceset politike‐shoqërore dhe stereotipizimin e profilit të besimtarit islamik, duke e etiketuar si “reaksionar, radikal, fundamentalist dhe terrorist”, pra akuza për fajësi të tyre dhe krime të ndryshme, nga ato të urrejtjes deri te më të rëndat. Nxitjet e para islamofobia i merr me rënien e komunizmit, kur islami shpallet “fajtor i ri” dhe “armik i ri i vlerave perëndimore”, në veçanti me shkrimet e Fukuyamës dhe Huntingtonit, kurse bëhet përditshmëri pas rastit të 11 Shtatorit. Euro-islamofobia është një shpërfaqje e antipatisë ndaj Islamit, që buron dhe shpërfaqet në kontekstin europian.

Në këtë artikull do t’i analizojmë pikëpamjet ndaj Islamit të gazetares e shkrimtares së njohur italiane, Oriana Fallaci (1929-2006), tekstet e së cilës janë përkthyer në 21 gjuhë botërore, një nga intervistueset e personaliteteve më të njohura politike të shekullit XX (si Panagoulis, Papadhpoulos, Kissinger, Homeini, Haile Selassie Wałęsa GaddafiAlfred Hitchcock). Fallaci është bërë “e famshme” për qëndrimet kundërthënëse ndaj islamit si fe, sistem jete dhe politikë. Në gjuhën shqipe janë përkthyer disa nga librat e saj, mes të cilave edhe: Penelopa në luftë, Intervistë me historinë, Një burrë, Mllefi dhe krenaria, Forca e arsyes etj.

Në fakt, Fallaci është një antikonformiste, një figurë kontroverse, që e ka cilësuar veten si “ateiste e krishterë”, që në pesë vitet e fundit të jetës se vet ka publikuar tre pamflete ashpërsisht islamurrejtëse, me një shitje milionëshe, që kanë luajtur një rol në strukturimin e debatit kombëtar dhe global mbi raportet ndërkulturore dhe “integrimin e pamundshëm të myslimanëve”. (Cousin-Vitale, 2014) Ajo, përmes mediumeve si Panorama, Mediaset, Corriere dela Serra, ka shpallur se Islam të butë ose të moderuar nuk ka, se një gjë e tillë është gënjeshtër, se ‘bindja se ka islam të mirë dhe islam të keq bie ndesh me arsyen e shëndoshë’, ka alarmuar ndërgjegjen e Perëndimit lidhur me ekstremizmin islamik, Sipas saj (Allam, 2008), ka shprehur ide dhe qëndrime të kulturës masive, që quhen racizëm antimysliman. Fallaci, dikur një aktiviste antifashiste, ka besuar se bota perëndimore është në rrezik nga Islami radikal, se myslimanët po e pushtojnë Europën përmes imigrimit dhe lindshmërisë së lartë, se pasiviteti i së majtës europiane do ta shndërrojë kontinentin e vjetër në një “koloni ose provincë të Islamit”, hapësirë të cilën në një intervistë të saj për Wall Street Journal (2005) e ka quajtur si Eurabi. Ajo ka pohuar se Islami politik është agresiv, ndërsa Europa shumë e turpshme për të reaguar. I është drejtuar Europës me kumtin: “Europë, a je e gatshme për të luftuar për vlerat tua?”

Duhet theksuar se periudha para Luftës së Dytë Botërore dhe faza pas 11 Shatorit 2001 kanë ndikuar fuqishëm në formimin e botëkuptimit të saj. Në veçanti kjo e dyta ka gdhendur qasjen e saj antiislame. Me këto pikëpamje ajo është e dashura e së djathtës ekstreme, një “nder i shëmtuar ky” që e prish imazhin e saj të përgjithshëm. Ka punuar si raportuese nga frontet luftarake të Lindjes së Mesme dhe ndër të parat që ka shënuar se Revolucioni Iranian i 1979-tës paraqet kthimin e Islamit politik në skenën globale. Ajo ka qenë një femër e guximshme që ka intervistuar dhe polemizuar me Homeinin lidhur me mbulesën (çador), të cilën e ka quajtur “leckë mesjetare”. Në veprën e saj Seksi i padobishëm pohon se shtetet islame janë burgje të femrës ose të gruas. E akuzuar për emocionalizëm të shfrenuar dhe mungesë të disiplinës intelektuale, ka pretenduar se bën një luftë qytetërimore kundër racës myslimane që “shtohen si minjtë”. Ajo,në veprën e Mllefi dhe krenaria, të botuar dy javë pas sulmeve të 11 Shtatorit, kur vetë jetonte në Manhattan, thotë se besimi islam kultivon urrejtjen në vend të dashurisë dhe skllavërinë në vend të lirisë, për çka në vitin 2005 iu desh të dilte para gjyqit nën akuzën e ofendimit ndaj Islamit dhe myslimanëve.

Sipas De Stefano-s, trilogjia e fundit ia ka shkatërruar karrierën e saj prej një intelektualeje të respektuar majtiste dhe e ka shndërruar atë në një ”ikonë islamofobike” të së djathtës ekstreme. Fallaci vazhdimisht ka shtruar pyetjet, si: Cila është gjendja e Europës ndaj kulturës islame brenda kufijve të saj?; A mund të rrijë në këmbë Europa në saje të vlerave të veta?; Si mund të takohen dhe të bashkëjetojnë dy kultura të këtilla të ndryshme? etj. Duke mos gjetur përgjigje adekuate, ka lansuar akuza tjeshtësuese kundër myslimanëve, duke u shndërruar në një “profete të kataklizmës.” Ajo ka potencuar se europianët duhet të ngrihen në këmbë për vlerat e veta, se imigrantët medoemos duhet t’i pranojnë vlerat e vendeve ku janë shpërngulur.

Duket se deklaratat dhe shkrimet e saj pas 11 Shtatorit nuk ishin fryt i një arsyetimi të pjekur politik, por një përzierje e urrejtjes, vetmisë dhe sëmundjes. Ajo po vdiste nga kanceri, vetëm, duke luftuar me kohën dhe duke shkruar librin e saj të fundit. I jetonte çastet e fundit të jetës dhe sulmin ndaj Amerikëse e kishte perceptuar si fundi i botës. Veprën Forca e arsyes thuhet se e ka dorëzuar në shtyp 24 orë pas sulmeve me bombë më 11 mars 2004 në trenin e Madridit. Ndërkaq gjatë një ceremonie në Nju-Jork kishte shpallur se do të vizatonte “profetin Muhamed me 9 gratë e tij” dhe “një deve me burka”. Fundamentalizmin islamik e konsideronte si ringjallje të fashizmit, të cilin ajo e kishte luftuar në rininë e vet. Christopher Hitchens, duke shkruar në Atlantic, e quajti veprën e saj “një shembull se si nuk duhet shkruar për Islamin”, duke e përshkruar atë si person me interes obsesiv, si të sëmurë, njeri me mani seksuale. Ka pasur deklarata shumë të pabaza, pa fakte, madje edhe trillime, si ajo se myslimanët po kah kthehen në Andaluzi, se do ta riislamizojnë atë, në bazë të Shoqatës për Kthim të Andaluzisë në Islam, e cila ishte themeluar më 1975 nga puro-spanjollët komunistë, pa asnjë mysliman në të. Ajo ka theksuar se sulltani tepër i pasur Sharxhasë dëshiron të blejë copë të tokës spanjolle, ndërsa në Sharxha s’ka sulltan. Një “fakt i paqenë” tjetër i Fallacit është edhe “plani sekret për një luftë gjithëpërshirëse kundër Perëndimit, i punuar nga lideri i guerilës palestineze, Georges Habache”, një kristian me ideologji marksist-leniniste, sipas saj, “një arkitekt ky i çlirimit islamik të botës”. Ka marrë si argument edhe politikën e presidentit algjerian Boumedienne për nxitje të lindjeve, të lindjes së fëmijëve që do të ishin pararojë e çlirimit të Europës, ndërsa e vërteta është ky president është implementuesi i programeve të planifikimit familjar për t’i mbajtur nën kontroll normat e lindjeve. Fallaci ka pohuar se 85 % e zezakëve amerikanë janë konvertuar në islam, ndërsa faktet flasin për shifrën nën 10%. Ajo ka shpallur se myslimanët s’kanë nevojë t’i vrasin jomyslimanët, se do t’i tejkalojnë numerikisht (Timsit, 2017). Ka deklaruar, po ashtu, se 50 % të lindjeve në qytetin francez të Marsejës janë myslimanë, ndërsa e vërteta është se janë 14 %. I ka bërë myslimanë edhe Denzel Washingtonin dhe Michael Jacksonin, gjë që s’ka të bëjë me të vërtetën, sepse konvertime të tilla s’kanë ndodhur. (Taheri, 2006) Patologjizmi i Fallacit duket edhe në pohimin se ndërhyrja në Irak ka qenë një gabim, se “është dashur të lihen irakianët të ziejnë në lëngun e vet”.

Nga gjithë kjo mund të konstatojmë se figura si Fallaci dhe një sërë e bashkëmendimtarëve të saj, si: Robert Spencer, Steven Emerson, Daniel Pipes, Bat Ye’or, Alexandre del Valle, Tiziano Terzani, nxisin urrejtje ndërfetare, racizëm, e prishin balancin dhe dialogun ndërfetar dhe e përgatisin terrenin për sulme makabre dhe terroriste ndaj besimtarëve myslimanë kudo që janë ata. Kriminelët, si Breivik e Tarrant, kanë burim frymëzimi te profetë të këtillë socialë, që botën dhe marrëdhëniet ndërfetare i shohin me sy ultrapesimistë.