` . “Esnafët” që e shpëtuan shkollën shqipe në Ohër - TV-SHENJA

“Esnafët” që e shpëtuan shkollën shqipe në Ohër

Kontributi i komunitetit egjiptian, të cilët e parapëlqejnë epitetin “esnafë”, ka qenë i konsiderueshëm në hapjen e shkollës shqipe pas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945 dhe sidomos në mbijetesën e saj gjatë viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar, të cilët edhe përkundër presioneve të mëdha nga ana e regjimit të atëhershëm sllavo-komunist, nxënësit e këtij komuniteti vazhduan të mësojnë shqip. Por, sot ata pothuajse deri në një mësojnë maqedonisht. Pse!?

Shkruan: Mixhait POLLOZHANI, Strugë

Çdo fillimviti shkollor shumë e më shumë na kthen kah e kaluara. Ndodhë kështu pasi që nëpër disa komuna në Maqedoni po bie dukshëm numri i nxënësve shqiptarë. Kjo gjendje më alarmante po bëhet në Strugë, Dibër, Kërçovë, Ohër, Prespë etj. Në këto rrethe ndokund pakësohen paralelet, ndërsa ndokund rrezikohen të mbyllen edhe shkollat! Pikërisht kjo gjendje alarmante ma rikujtoi rrëfimin që vite më parë e kam dëgjuar për fatin e shkollës shqipe në qytetin e Ohrit.

Dhe, pikërisht kur perspektiva e një vendi ose populli bëhet e zymtë, atëherë, për ta gjetur edhe fijen më të hollë që e lidh mbijetesën e qenies kombëtare, i rikujton përvojat dhe historitë e së kaluarës, që mund të shërbejnë për ta shpëtuar të ardhmen. Sidomos përshtypje bëjnë ndodhitë nga e kaluara, të cilat lidhen me të tjerët, por që janë vënë në funksion të mbijetesës sonë.

Shqipja e “esnafëve”

Sidoqoftë, në këtë artikull do të sjellim disa sekuenca që lidhen me rrëfimin mbi komunitetin e “esnafëve” në relacion me shkollën shqipe të qytetit të Ohrit. Nga shqiptarët ky komunitet njihet si magjupë, evgjitë, jevgjit, gjypshi (ose xhipshi), por përfaqësuesit e tyre politikë dhe kulturorë, për t’iu shmangur identifikimit me komunitetin “rom”, po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për ta dëshmuar identitetin egjiptian të tyre. Ndërkohë, vetë këta parapëlqejnë të quhen “esnafë”, ndaj ashtu edhe do t’i quajmë në vazhdim të artikullit.

Dhe, për të qenë simbolika më kuptimplote e këtij rrëfimi, duhet përkujtuar se pikërisht në dy qytetet buzë liqenit janë themeluar edhe subjektet e para të komunitetit egjiptian. Kështu në vitin 1990 në Ohër është formuar shoqata e parë e tyre e quajtur “Egjiptianët”, kurse në vitin 1991 në Strugë është themeluar edhe partia e parë politike e egjiptianëve me emrin Partia e Lëvizjes Demokratike. Meqenëse “egjiptianët” nuk përbëjnë kategori etnike të pranuar kushtetuese, me regjistrimin e fundit të popullsisë në Maqedoni ata janë përfshirë në kategorinë “Të tjerët”.

Gjatë vitit 2000 derisa zhvilloheshin gërmimet arkeologjike në teatrin antik të Ohrit, pak ditë me vonesë m’u mundësua edhe mua që të inkuadrohem në ekipin hulumtues. Që ditën e parë më priti një befasi e këndshme. Teksa drejtuesi i ekspeditës arkeologjike Vllado Malenko më informonte shkurtimisht me punët e kryera dhe rezultatet e gërmimeve, pjesa dërmuese e punëtorëve të krahut dëgjoja se po flisnin shqip. Sigurisht që ata nuk ishin shqiptarë, sepse i vetmi shqiptar në atë ekspeditë isha unë, por ata ishin jevgj ose, siç parapëlqejnë ata vetë t’i thërrasim, “esnafë”. Pasi që nuk e dinin se kush jam unë, si dhe duke u ndier edhe komod pasi iku drejtuesi i gërmimeve, pa e përfillur praninë time aty, ata vazhduan ta zvarrisin akoma më shumë punën.

Por, në momentin kur unë e urdhërova ashpër shqip më “kapadaiun” e tyre, i cili rrinte shtrirë, që t’i rreket punës, dikush nga të pranishmit foli me zë të ulët “po ky qenka prej tanëve”. Nënteksti i kësaj thënie të njohur të këtij komuniteti do të thotë se “ne jemi një”! Në fakt, edhe ashtu dukej, sepse ata flasin gjuhën shqipe si ne, bile edhe pak më ndryshe. Ky komunitet flet një shqipe që është mjaft e përafërt me të folmen korçare, por e përcjellë me sllavizma dhe barbarizma të ndryshme. Njoftimi me ta, që filloi me atë batutë të ashpër, për gjashtë muaj me radhë vazhdoi të zhvillohet në raporte shumë miqësore.

Sidoqoftë, duhet pranuar se asaj vere të nxehtë unë mësova shumëçka për këtë komunitet, i cili mbijeton falë një filozofie të çuditshme jetësore. Por, ajo që më mbeti e pashlyer në kujtesën time kishte të bëjë me më thelbësoren për një komb, pra me gjuhën e shkollimit. Derisa një ditë një punëtor maqedonas i thoshte në shaka njërit nga “esnafët” se kur të vijë dita ai do t’i bëjë “sapun” jevgjit, unë me shaka u thashë: “Mbani anën e maqedonasve ju edhe më tutje….”. Por, njëri nga “esnafët” më të moshuar ma ktheu: “Po, ama ishim ne esnafët ata që e shpëtuam shkollën shqipe këtu në Ohër”. Kështu, përderisa ata vazhdimisht mburreshin për shqipen, këngët dhe sazet e tyre, unë përpiqesha t’i jap shpjegim lidhjes së tyre me tabanin shqiptar. Por, sigurisht që rrëfimi për gjestin e tyre në lidhje me shkollën shqipe më dukej shumë interesant dhe domethënës.

Shkolla shqipe

Këtu duhet përkujtuar se për ta kompletuar artikullin sigurisht që janë të pashmangshme pasqyrimet historike dhe të dhënat statistikore për ta evidentuar një gjest me rëndësi për shkollën shqipe në qytetin e Ohrit. Duhet përkujtuar ndonëse për këtë gjest është folur mjaft, por nuk është shkruar pothuajse fare deri më tani.

Disa burime flasin se Ohri ka pasur shkollë shqipe menjëherë pas hapjes së Shkollës së parë shqipe në vitin 1887 në Korçë të Shqipërisë. Mendohet se një shkollë është hapur në vitin 1892 edhe në qytetin e Ohrit!!! Por, një rol të veçantë në gjallimin e arsimit shqip ka luajtur sidomos dega e klubit “Bashkimi”, që është themeluar në Ohër në vitin 1909, një vit pasi klubi qendror ishte hapur në qytetin e Manastirit. Dëshmi e ekzistimit të këtij klubi, përveç dokumenteve arkivore, janë edhe fotografitë e mbetura nga objekti ku e ka pasur selinë e tij ky klub në qytetin e Ohrit.

Por, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, për arsimin shqip në Ohër fillon një epokë e re, por edhe një golgotë pa fund! Për shtatë dekada me radhë shkolla shqipe do të përjetojë ngritje dhe rënie të shpeshta, për të arritur kështu deri në tkurrjen e tanishme të saj. Nga pohimet e më shumë bashkëbiseduesve mësuam se veprimtaria arsimore ndër shqiptarët e Ohrit ka pasur edhe protagonistët e saj. “Themelues të shkollës shqipe në Ohri në vitin 1945 kanë qenë mjeku (kirurgu) i njohur i këtyre anëve, Petrit Agolli, dhe e motra e tij Sherijari. Dhe, në mungesë të nxënësve shqiptarë, për ta plotësuar numrin e nevojshëm për një klasë, për të mësuar shqip janë regjistruar edhe fëmijë nga komuniteti egjiptian”, thotë veterani i arsimit Ruhi Islami (78 vjeç). Por, shkolla shqipe në Ohër lulëzimin e saj e ka përjetuar pas vitit 1950-të, kur drejtor i saj ka qenë intelektuali dhe veprimtari i njohur i këtyre anëve, Abdulqerim Seiti, nga fshati Koroshishtë i Strugës, pohon ish-mësimdhënësi.

Shkolla e Ohrit fillimisht është quajtur “Evlia Çelebiu”, pastaj deri në vitin 1949 ka mbajtur emrin “Marshall Tito”, kurse pas vitit 1950-të ajo e merr emrin “Vëllazërim-Bashkimi”. Ndonëse emër me karakter ideologjik komunist, këtë emër e mban edhe sot e kësaj dite. Drejtori i tanishëm i kësaj shkolle, Muamer Doko, përmes disa të dhënave statistikore e pasqyron më së miri gjendjen në këtë shkollë. Gjithmonë sipas tij, në vitin 1974/75 në këtë shkollë kanë mësuar 1200 nxënës shqiptarë dhe 800 nxënës turq. Nëse gjatë vitit shkollor 1983/84 kanë mësuar 897 nxënës në gjuhen shqipe, në vitin 2013/14 mësonin vetëm 303, ndërsa në vitin 2014/15 numri ka rënë në vetëm 267 nxënës shqiptarë. Këto të dhëna flasin për rënien shumë të theksuar të nxënësve shqiptarë në qytetin e Ohrit.

Kaq shumë sa ka rënë numri i nxënëseve shqiptar, akoma ma shumë, pothuajse krejtësisht, ka rënë edhe numri i nxënësve nga komuniteti “esnaf”. “Kur kam qenë unë nxënës, por edhe pasi fillova si mësimdhënës në këtë shkollë, shqip mësonin shumë fëmijë të këtij komuniteti. Por, viteve të fundit në gjuhën shqipe mësojnë një, dy ose tre nxënës nga komuniteti ‘esnaf’. Të gjithë të tjerët mësojnë maqedonisht”, thotë drejtori, Muamer Doko.

Shpërnguljet e shqiptarëve

Numri i shqiptarëve në qytetin e Ohrit gjatë historisë, varësisht nga rrethanat socio-politike në vend, sigurisht që ka pësuar rritje, por edhe rënie. Rënia më e theksuar e numrit të tyre në masë të madhe erdhi si rrjedhojë e “shpërnguljeve të dhunshme të popullsisë shqiptare për në Turqi”, që ishte e nxitur nga politikat e të gjitha regjimeve jugosllave. Historikisht njihen disa fushata të shpërnguljeve më masive të shqiptarëve nga trojet e tyre për në Turqi. Njëra ndër fushatat më të fuqishme të shpërnguljes ka filluar menjëherë pas luftërave ballkanike, kurse tjera midis dy luftërave botërore.

Por, ajo që lidhet me thelbin e temës së artikullit ka të bëjë me faktin se hartuesit e këtij dokumenti e kanë stimuluar shpërnguljen masive të popullsisë shqiptare për në Turqi edhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, sidomos gjatë periudhës kohore 1951-1968. Atë që e kishte filluar Garashanini me “Naçertanien” famëkeqe të tij, e pat ripërtërirë Vasa Çubrilloviqi nëpërmjet politikës të shpërnguljes së shqiptareve dhe kolonizimin e trojeve te tyre me popullatë sllave.

Të dhënat statistikore flasin se pikërisht gjatë kësaj periudhe edhe shumë shqiptarë të Ohrit dhe Strugës janë shpërngulur për në Turqi. Gjatë kësaj periudhe edhe ata pak intelektualë që sapo kishin mbaruar shkollimin i braktisën përgjithmonë vatrat e tyre për t’u tretur përgjithmonë në dhe të huaj.

Presionet ndaj “esnafëve”

Gjatë fushatës së fundit të shpërnguljes së shqiptarëve është shtuar edhe presioni ndaj “esnafëve” të Ohrit. Si rezultat i shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, gjatë viteve të pesëdhjeta të shekullit XX, kishte rënë dukshëm edhe numri i nxënësve shqiptarë. Meqenëse nëpër paralelet me mësim në gjuhen shqipe mësonin edhe nxënës të përkatësisë egjiptiane, autoritetet shtetërore jugosllave (por edhe sllavo-maqedonase), për ta realizuar planin e kamotshëm për mbylljen e tyre, u patën bërë presion të paparë për t’i braktisur ato dhe të kalojnë në paralelet me mësim në gjuhen maqedonase. Por, prindërit e tyre nuk janë nënshtruar para presioneve të ushtruara nga ana e pushtetit sllavo-komunist. Duke e ndjerë si gjuhë amtare shqipen, fëmijët e tyre vazhduan mësimin bashkë me nxënësit shqiptarë. Për këtë na pohojnë edhe disa nga ish nxënësit e asaj periudhe kohore. Një ndër ata është edhe arsimtari i pensionuar Asan Alim (dikur Alimi – 74-vjeçar) me përkatësi etnike egjiptian, i cili edhe shkollimin e ka kryer në gjuhen shqipe, por edhe ka punuar si mësimdhënës nëpër shkollat shqipe të Strugës dhe Ohrit. Pyetjes nëse me të vërtetë “esnafët” ishin ata që e mbajtën gjallë shkollën shqipe, bashkëbiseduesi ynë iu përgjigj pa hamendje: “Po ashtu ishte, sepse ne e mbajtëm gjallë shkollën shqipe. Në klasën time më shumë ishim ne s sa nxënësit shqiptarë. Por, kishte edhe nxënës me përkatësi turke, të cilët kishin dëshirë të mësonin shqip”. Në lidhje me presionet nga ana e regjimit të kohës ndaj prindërve të komunitetit tij, mësuesi Asan na tha se ka qenë shumë i vogël që të dinte për gjëra të atillë, por i kujtohej se jo të gjithë egjiptianët mësonin shqip. Kjo mendon ai mund të ketë qenë nga shkaku i presionit nga pushteti. Atij gjithashtu i kujtohet se kanë mësuar në kushte shumë të vështira dhe se në vitet e para shqip mësohej vetëm deri në klasën e katërt fillore. Ndërkaq, aty kah viti 1950/51 është hapur edhe tetëvjeçarja në gjuhen shqipe dhe është ndërtuar edhe godina e re shkollore.

Kështu, duke mësuar shqip, nxënësit e këtij komuniteti e mbajtën gjallë shkollën shqipe në Ohër, duke i dhënë njëherësh jetëgjatësi jo vetëm arsimit, por edhe mbijetesës së qenies shqiptare në këtë qytet. Prandaj me të drejtë mund të konstatohet se kontributi i “esnafëve” në mbijetesën e shkollës shqipe në qytetin e Ohrit ka qenë komponent më se i rëndësishëm, ndaj për këtë ky komunitet meriton konsiderata dhe mirënjohje nga ana shqiptarëve.

Por sot!?

Përderisa “esnafët” për dekada e shekuj me radhë komunikuan, mësuan dhe kënduan shqip, edhe përkundër presioneve të ndryshme, me ardhjen e pluralizmit politik në Maqedoni gjendja për fat të keq mori një kahe tjetër. Shqiptarët, në vend të Turqisë për t’u shpërngulur kanë zgjedhur shtetet perëndimore. Dhe, nëse atëherë “esnafët” ishin ata të cilët e ndihmuan shkollën shqipe, si do të mbijetojë kjo shkollë sot kur numri i nxënësve shqiptarë po bie dukshëm? Viteve të fundit fëmijët e këtij komuniteti pak e më pak komunikojnë, mësojnë dhe këndojnë shqip. Pothuajse deri më një ata mësojnë maqedonisht. Pse? Kjo është çështje e cila kërkon vëmendjen e atyre që bëjnë politikën. Para se gjithash me këtë duhet të merren seriozisht politikanët shqiptarë.

Opinionet e artikullshkruesve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe qëndrimin e redaksisë.

Postime të Ngjajshme