` . Erdogani dhe dëshira për liri pa bedene gjeografike - TV SHENJA

Erdogani dhe dëshira për liri pa bedene gjeografike

(P.S. Portali Shenja që para 291 ditëve ia kishte tërhequr vëmendjen opinionit të gjerë shqiptar për disa çështje të rëndësishme në lidhje me Republikën e Turqisë dhe me vizionin të cilin e paraqet kryetari i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Jua përcjellim edhe një herë  pa ndryshuar asgjë tekstin me qëllim që të krahasohet me ngjarjet e fundit në Turqi).

Shkruan: Metin Izeti

Çështja më e vështirë që mund të ndërmirret, që bëhet edhe e rezikshme në sendërtimin e vet  dhe që nuk e ka të sigurtë suksesin  është aplikimi i idesë për të ndryshuar. Pse? Për shkak se paraqitet një dikitomi ndjekëse në mes të atyre që janë mësuar të mendojnë dhe veprojnë në trajta të amortizuara dhe atyre që kanë dëshirë të hapërojnë me realitetin hapësinor dhe kohor.

Një numër i madh i intelektualëve dhe burrështetasve në histori nuk kanë pasur guxim që të ndryshohen edhe pse e kanë vërejtur të vërtetën që me zë të lartë iu drejtohet. Por është më se e vërtetë se  ndryshimi është hapi i parë  dhe elementar i suksesit afatgjatë. Asnjë zhvillim i rëndësishëm shoqëror nuk ka ardhur pa përjetimin e ndryshimit drejtë trendeve pozitive.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan paraqet një vijë të  qëndrueshme drejt ndryshimit dhe zhvillimit, rrjedhimisht largimit të bedeneve të superioritetit apo inferioritetit midis Orientit dhe Oksidentit,  vullneti i brendshëm i tij bëhet i shqetësuar, i përhumbur dhe bëhet lakmitar i ndryshimit , dhe siç thotë Niçeja, ai nuk ndjen lumturi në letargjinë aktuale  por  e sfidon kënaqësinë e sprovës për më të mirën.

Njeriu në përgjithësi e kërkon lirinë, ai ka një vrull të madh drejtë lirisë, mirëpo jo rrallë edhe bie në kurthin e skllevërisë. Në Fenomenologjinë e shpirtit të Hegelit ka mendime interesante në lidhje me pronarin dhe skllavin. Këtu nuk bëhet fjalë për kategoritë shoqërore të pronarit dhe skllavit por për diçka më të thellë. Aty bëhet fjalë për strukturën e ndryshimit dhe zhvillimit dhe strukturën e dijes për këtë.

Çështja që moderniteti ia shtoi dy kategorive të lartëpërmendura të skllavit dhe pronarit është njeriu i lirë. Pronari dhe robi janë në korelacion dhe nuk mund të ekzistojnë njëri pa tjetrin. Ndërsa, njeriu i lirë ekziston për veten, ai në vete e ka kualitetin pa korelacion me të kundërtën. Është fakt se imponimi i inferioritetit në drejtim të lindjes ka dy shekuj që ia ka humbur kënaqësinë lirisë në botë.

Ndryshimet dhe zhvillimet shoqërore, që me siguri në rastin e vizionit të ri që shprehet në platformën e filozofisë politike të Erdoganit nuk janë karakteristike vetëm për Turqinë por për mbarë njerëzimin, bazohen në lirinë dhe aktin krijues të njeriut, aty zbulohet natyra gjeniale e tij. Mirëpo mosekzistimi i kësaj lirie e zbulon edhe tragjedinë e krijimtarisë njerëzore.

Gjithsesi ndryshimi  dhe zhvillimi paraqitet si rezultat i relacionit të drejtë  mes veprës, mendimit dhe prodhimit krijues. Më konkretisht,  mendimi i fosilizuar krijon vepra retrograde dhe prodhon defekte shoqërore.

Studimi i qytetërimeve të ndryshme që pasojnë njëri tjetrin që nga fillimi i botës, tregon se roli udhëheqës në zhvillimin e tyre i ka përkitur gjithmonë një numri mjaft të vogël idesh themelore në fushën e filozofisë, fesë, kulturës, diturisë dhe politikës.

Kur ndonjë qytetërim ka arritur të krijojë brenda një periudhe të caktuar idetë themelore në këto fusha, atherë ai qytetërim është vlerësuar si i suksesshëm dhe i shkëlqyer. Antropologjia kulturore na flet se ecuria e suksesshme e qytetërimeve rrjedh kryesisht nga karakteri , gjegjësisht nga ndjenjat e trashëguara të popullit ku ky qytetërim është shfaqur.

Por, idetë mund të kenë veprim të vërtetë mbi shpirtin e popujve vetëm atëherë kur ato zbresin ga sferat e lëvizshme të mendimit në fushën e veprimtarisë reale gjeografike. Ideja që ka patur parasysh realitetin hapësinor, kohor dhe njeriun si factor faktori ka ndërtuar qytetërimet më respektabile të historisë së njerëzimit, ndërsa ata që janë bazuar në ide utopike në fushat e lartpërmendura janë përmbysur.

Si pasojë e kësaj të vërtete Kanti  në Kritikat e tij ka dalluar gjykimin në lidhje  me çështjet e domosdoshmërisë natyrore dhe lirisë së gjykimit.  Hapësira dhe koha e përfaqësimit të ideve mbi ndërtimin  e qytetërimit dhe si rrjedhojë  të sistemit ka peshë evidente për suksesin e tyre. Nuk ka aspak dyshim se përfaqësimi I ideve varësisht nga koha dhe hapësira kanë formë dhe dukje të ndryshme.

Në periudhën e fundit, Republika e Turqisë dhe sistemi i vlerave i prezantuar në udhëheqjen disavjeçare të Rexhep Taip Erdoganit dhe ekipit përreth tij, është  ballafaquar me një agresivitet irracional në imponimin hapësinor të ideve të caktuara të cilat nga  elementet bazë të ndërtimit të sistemit që u theksuan më lart janë të tjetërsuara, por në vete e kanë vetëm elementin prishës dhe shkatërrues e deformues , që është imponimi dhe dhuna.

Mirëpo, çka është duke ndodhur. Erdogani  me vetëdije të plotë  për presionet, vendosi  ta ndjekë rrugën e tejkalimit të vështirësive sistemore të cilat  i ka momentalisht bota dhe t’i thotë fund superioritetit të një centrizmi, i cili nuk arriti ta ndryshojë për të mire botën, në veçanti pas shpartallimit të blloqeve dhe e ndoqi rrugën e ndryshimit të perceptimit të çështjeve por edhe  të essences së tyre. Përpjekje të mëdha u bënë  që idetë (simbolet, informatat, teoritë, qëndrimet) nga ana e njerëzve të vlerësohen nga aspekti I përmbajtjes së tyre dhe jo vetëm nga aspekti I funkcionalitetit të tyre në jetën individuale dhe kolektive. Kjo do të thotë se një ide duhet të vlerësohet nga aspekti se a është esencialisht humane ose jo, dhe jo nga konteksti se sa ideja është në kuadër të dëshirave dhe interesave individuale dhe grupore.

Zullumi dhe prirjet zullumqare, që një kohë të gjatë jemi duke i përjetuar ne si muslimanë në mbarë botën, duke filluar nga më të zezat e shekullit të kaluar dhe fillimit të mijëvjeçarit të tretë, kanë për qëllim të zbehin un’in individual, ta shkatërrojnë sistemin e punës dhe kaosin e të tjerëve ta tregojnë si rregull, ndërsa çdo rregull tonin si kaos dhe si fund të përpiqen që njeriun/muslimanin ta çlirojë nga pesha e lirisë. A e dini çka don të thotë të lirohesh nga pesha e lirisë? E dini, por ja ta them edhe unë: të bëhesh skllav. Skllavëria nuk është rezultat i pushtetit të fortë, por i bindjes për pafuqinë dhe paqëndrueshmërinë individuale. Nëse për asgjë tjetër por për hir të rejtingut të parimit të quajtur, fe e pastër, etikë shpirtërore duhet të përpiqemi maksimalisht ta ruajmë vlerën e vepërmirësisë dhe të përpiqemi për mbretërimin e saj në përgjithësi në botë.

Turqia në periudhën e udhëheqjes së kryeministrit aktual, Rexhep Tajjib Erdoganit është ngritur në një shtet me integritet dhe famë botërore. Janë mënjanuar të gjitha inferioritet  ndaj të tjerëve dhe është kthyer dinjiteti në kuadër të trungut origjinal. Ndërsa mos të diskutojmë për infrastrukturën e brendshme, ndërtimin dhe organizimin shoqëror marramendës. Vetëm në këtë periudhë Turqia është marrë me të drejtat e popujve të tjerë jashtë Turqisë, vetëm në këtë periudhë shqiptarët , institucionet dhe vendzënia e jonë në kuadër të mekanizmave ndërkombëtare është diskutuar , motivuar dhe mbëstetur nga Turqia.

Në këtë rast Turqia, nga aspekti i të gjithë muslmanëve, por edhe nga aspekti i demokracisë dhe lirisë, aq shumë të përfolur të bashkëkohësisë, është shumë e rëndësishme, por më e rëndësishme është qëndrimi kokëlartë dhe krenar me të kaluarën tonë dhe vepërmirësinë shoqërore në kuadër të procedurave bashkëkohore dhe argumentimi ndaj vetes , së pari, se jemi dhe kemi, siç do të kishte thënë Fromi.

Presidenti i Turqisë me guxim të pashoq ka qëndruar edhe kundër të gjitha paraorganizimeve që popullsinë myslimane të botës e kanë margjinalizuar nga ndryshimet dhe zhvillimet reale botërore. Mbijetesa e myslimanëve, kjo është me rëndësi të veçantë për ne myslimanët, në periudhën postmoderne është në guximin e të mirëve dhe prezentimin e platformave ontologjike, epistemologjike, etike dhe aksiologjike që do ta shuajnë etjen e njeriut të sotshëm. Vetëm në këtë mënyrë do të arrihet që feja të hyjë nëpër dyer, siç thotë Andre Gide, dhe zjarrmia e përjetuar nga mospasja e saj mos t’i pëlcasë dritaret.

Gjithashtu, Turqia viteve të fundit, përderisa nga njëra anë i ka luftuar deformimet shoqërore të shoqërive mysliamne nga ana tjetër ka qëndruar përballë islamofobisë dhe “epërsive ontologjike” të paraqitura si pasojë e eurocentrizmit.

Gjithashtu në këto momente të rëndësishme për Turqinë por edhe për mysliamanët në mbarë botën, kur me të madhe ka përpjekje për relativizimin e elementit mysliman,  zgjedhësi i Turqisë  duhet të ketë parasysh se kush ka mundësi të thotë jo, të revoltohet me padrejtësinë, ta ngre zërin ndaj nëpërkëmbjes së të drejtave dhe lirive bazë të njeriut.  Është fakt se çdokush do të përgjigjet për veprimet e veta, mirëpo dëmet e veprimeve nuk i përjetojnë vetëm individët që do të përgjigjen, por e tërë popullata, madje edhe gjeneratë pas gjenerate. Përgjegjësia e popullatës është në çështjen e vendimit dhe gjatë këtij vendimi duhet të ndiqet zëri i brendshëm i ndërgjegjes dhe vetëdijes e jo sajimet dhe mashtrimet përrallore.

Unë duke marrë mbi vete rrezikun që të akuzohem se jam subjektiv, por gjithnjë me idealin se jam me të vërtetën, do të them siç vijon: Rexhep Taip Erdogan dhe ekipi i tij ka kapacitet intelektual dhe moral që Turqisë t’ia ruajë, madje edhe t’ia shtojë imazhin e qendrës së myslimanëve të mbarë botës.

Rexhep Taip Erdogan dhe ekipi i tij ka kapacitet për grumbullimin e potencialit mendor dhe veprues aplikativ të Turqisë në shërbim të ngritjes qytetëruese, kulturore dhe estetike të njerëzimit.

Rexhep Taip Erdogan ka energji që të rregullojë infrastrukturën dhe dukjen e Turqisë dhe me gjerë. Në këtë kontekst mendoj se ai së bashku me ekipin  do të jetë dritare e hapur për bartjen e idesë për të mirën dhe të njerëzishmen edhe jashtë Turqisë/

Rexhep Taip Erdogan dhe kjo trajtë e mendimit dhe veprimit i nevojitet më tepër se kurrë Turqisë, prandaj etika e zgjedhësit të Turqisë do të duhej të orientohet në votimin e këtyre vlerave.

Postime të Ngjajshme