` . Erdoğan: Turqia do të zhvillojë energjinë bërthamore – TV-SHENJA

Erdoğan: Turqia do të zhvillojë energjinë bërthamore

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, shprehu vendosmërinë që Turqia të zhvillojë energji bërthamorë, pavarësisht nëse dikush ndihet i shqetësuar nga kjo, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne do të zhvillojmë energjinë bërthamore, pavarësisht nëse disa ndihen të shqetësuar nga kjo gjë”, tha Erdoğan në një ceremoni inaugurimi në sektorin e investimeve në Energji në Ankara, organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Resurseve Natyrore.

Erdoğan tha se Turqia ka hedhur hapa të rëndësishëm në sektorin e energjisë, përfshirë atë termoenergjinë, energjinë diellore dhe atë të erës, duke theksuar se tani do të hedhin hap në drejtim të zhvillimit të energjisë bërthamore.

Presidenti turk po ashtu kritikoi personat dhe qarqet që përpiqen ta sabotojnë projektin e energjisë bërthamore të Turqisë, duke thënë se kundërshtimi i centralit bërthamor të Turqisë do të thotë varësi e Turqisë ndaj resurseve të jashtme energjike.

“Ata që dje u shërbyen puçistëve dhe kujdestarëve të tyre, sot janë shërbyes të atyre që përpiqen t’i sabotojnë investimet e Turqisë në fushën e energjisë”, tha Erdoğan.

Ndryshe, Turqia aktualisht planifikon të ndërtojë tri centrale bërthamore, përfshirë centralin Akkuyu në provincën jugore turke Mersin, ndërtimi i të cilit pritet të fillojë në fillim të vitit 2018 dhe funksionalizohet në vitit 2023, njoftoi të hënën Ministri i Energjisë dhe Resurseve Natyrore i Turqisë, Berat Albayrak.