` . Erdogan: Ne nuk kemi vendosur asnjëherë në objektiv civilët – TV-SHENJA

Erdogan: Ne nuk kemi vendosur asnjëherë në objektiv civilët

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se “Ne nuk kemi vendosur asnjëherë në objektiv civilët. Afrini do të kishte rënë me kohë nëse ne do të kishim vënë në objektiv civilët”, raporton Anadolu Agency (AA).

“3.400 terroristë janë neutralizuar që nga fillimi i operacionit ‘Dega e Ullirit’. Kemi hyrë dhe po hyjmë në Afrin, nuk ka mbetur edhe shumë, por ne në Afrin nuk po hyjmë për pushtim. Ne në Afrin po hyjmë që t‘ua dorëzojmë ato rajone pronarëve të vërtetë”, ka thënë presidenti Erdoğan gjatë programit “Çmimet e Mirësisë” të zhvilluar në Qendrën kulturore dhe të kongreseve në rezidencën presidenciale Beştepe në Ankara.

“Duke mos bërë tolerime nga humanizmi, drejtësia dhe duke mos humbur sensin e mëshirës ne do të pastrojmë plotësisht Afrinin, Munbixhin dhe veriun e Sirisë nga këto tufa vrasësish pavarësisht propagandës së zezë për njollosje që ata e bëjnë kundër nesh”, theksoi Erdoğan.

“I shikoni edhe ju pamjet jonjerëzore që reflektohen nga Afrini. Dalngadalë po bie makiazhi i organizatës terroriste e cila përdor si mburojë e gjallë civilët dhe e cila masakron fëmijët me kurthet që ajo vendos me mina”, tha presidenti turk.

Duke vënë theksin se disa po përpiqen t’i dënojnë nëpërmjet perceptimeve të rreme të fesë që përfaqësohen nga FETO, DEASH dhe Boko Haram, presidenti Erdoğan tha se “(FETÖ dhe DEASH) janë Kali i Trojës, i futur në mesin e muslimanëve, brenda të cilëve është fshehur intriga”.

“Fytyrat e egra, brutale dhe vrasëse të terroristëve, të tregtuara nën ikonën e modës në Perëndim, po zbulohen. Ushtarët tanë së bashku me Ushtrinë e Lirë Siriane me çdo pjesë territori që pastrojnë nga terroristët gjithashtu shpëtojnë edhe të ardhmen e popullit të rajonit”, tha Erdoğan.

“Me vullnetin e Zotit, lutjen e kombit tonë, luftën e ushtarëve tanë heronj ne kemi dhe po shkatërrojmë përpjekjet për të qefinosur pozitën tonë gjeografike nën justifikimin e DEASH-it”, theksoi në fjalën e tij presidenti Erdoğan.

Duke vënë theksin se do t’i bëjnë të gjitha këto rajone të përshtatshme ku vëllezërit sirianë do të rikthehen dhe do të jetojnë të sigurtë, Erdoğan tha se “Në këtë mënyrë do të shpëtojmë vëllezërit tanë kurdë, arabë dhe turkmenë në rajon nga persekutimi i organizatave terroriste por në të njëjtën mënyrë do të ndërmarrim edhe një hap kuptimplotë për rindërtimin e Sirisë”.