` . Erdoğan në Azerbajxhan: TANAP projekt jetik për dy vendet – TV-SHENJA

Erdoğan në Azerbajxhan: TANAP projekt jetik për dy vendet

Gazsjellësi Trans-Anatolian (TANAP) është projekt jetik për Turqinë dhe Azerbajxhanin, tha presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij nga Azerbajxhani Ilham Aliyev në kryeqytetin Baku, Erdoğan, i cili dje u inagurua si presidenti i parë ekzekutiv i Turqisë, tha: “TANAP është një projekt jetik si për ne, ashtu edhe për Azerbajxhanin”.

TANAP, i cili u inagurua në qershor, është gazsjellës natyror që shtrihet nga kufiri turko-gjeorgjian deri në kufirin turko-grek për të furnizuar me gaz natyror Turqinë dhe vendet evropiane.

Gazjellësi prej 1.850 kilometrave është pjesa më e madhe e Korridorit Jugor të Gazit me gjatësi prej 3.500 kilometrave, i cili u inaugurua më 29 maj në Baku.

Erdoğan tha se projekti ka rëndësi të madhe për të ndërtuar lidhje mes Azerbajxhanit dhe Evropës, krahas lidhjes midis Turqisë dhe Azerbajxhanit.

“Ai gjithashtu ka rëndësi në atë që është investim strategjik”, tha presidenti turk.

Presidenti Erdoğan theksoi se marrëdhëniet turko-azere janë forcuar mbi parimin “një komb, dy shtete”, duke iu referuar rrënjëve turke të të dy kombeve.

Udhëtimi i Erdoğanit në Azerbajxhan është vizita e tij e parë zyrtare që nga inaugurimi i së hënës nën sistemin e ri presidencial të Turqisë, duke vazhduar traditën e liderëve turq të cilët vizitojnë Azerbajxhanin dhe Republikën Turke të Qipros Veriore pas marrjes së detyrës.

Turqia zyrtarisht kaloi në sistem të ri presidencial të qeverisjes pasi Erdoğan të hënën u betua për t’u bërë presidenti i parë i Republikës së Turqisë nën sistemin e saj të ri.

Rizgjedhja e tij në zgjedhjet e 24 qershorit solli zyrtarisht tranzicion në sistemin ekzekutiv presidencial, me të cilin, ndër të tjera, u shfuqizua detyra e kryeministrit.

Erdoğan fitoi shumicën absolute në zgjedhjet presidenciale me 52,59 për qind të votave.