` . Erdoğan dënon vrasjen e afroamerikanit Floyd nga dhuna policore - TV-SHENJA

Erdoğan dënon vrasjen e afroamerikanit Floyd nga dhuna policore

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, e dënoi ashpër dhunën policore nga e cila jetën humbi afroamerikani George Floyd në SHBA, duke shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Qasja raciste dhe fashiste që çoi në vdekjen e George Floyd në qytetin amerikan Minneapolis si rezultat i torturës, jo vetëm që na ka trishtuar thellë të gjithë ne, por gjithashtu është bërë një nga manifestimet më të dhimbshme të rendit të padrejtë që i qëndrojmë kundër në gjithë botën”, shkroi Erdoğan në Twitter.

George Floyd, 46 vjeç, u arrestua të hënën në Minneapolis, Minesota, pasi, siç thuhet, u denoncua për përdorim të një banknote të falsifikuar prej 20 dollarësh në një dyqan lokal.

Në videon e përhapur në rrjetet sociale ai shfaqet i prangosur dhe bashkëpunues.

Megjithatë, policia pohoi se ai i ka rezistuar arrestimit. Njëri prej policëve vendosi gjurin mbi qafën e tij, përkundër përgjërimeve të përsëritura të Floyd: “Nuk mund të marr frymë”.

Më pas, Floyd shihet duke humbur vetëdijen, por oficeri i policisë vazhdon të mbajë gjurin e tij mbi qafën e viktimës.

Ai humbi jetën menjëherë pasi u dërgua në spital.

Katër policë janë pushuar nga puna për vrasjen, e cila ka shkaktuar protesta masive dhe revoltë kundër brutalitetit të policisë.

Presidenti Erdoğan më tej tha se e dënon këtë “mentelitet çnjerëzor, si një anëtar i civilizimit islam, i cili na mëson të duam njerëzimin për shkak të Krijuesit”.

“Turqia gjithmonë qëndron kundër të gjitha sulmeve që e kanë në shënjestër njerëzimin, pavarësisht se ku, me çfarë preteksti ose në çfarë forme kryhen”, shtoi ai.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të mbrojtur të drejtat e gjithë njerëzimit pa asnjë diskriminim të bazuar në racë, ngjyrë, fe, gjuhë ose besim, në përputhje me parimin e profetit tonë, ‘Një i bardhë nuk ka epërsi mbi një të zi, dhe as një e zi nuk ka epërsi mbi një të bardhë'”, theksoi më tej Erdoğan.

Ai shprehu bindje se “autorët e këtij veprimi çnjerëzor” do të marrin dënimin e merituar.

“E kujtoj me respekt George Floyd-in dhe i shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe të dashurve të tij”, deklaroi presidenti i Turqisë.