` . Erasmus+: Një portë drejt ardhmërisë - TV-SHENJA

Erasmus+: Një portë drejt ardhmërisë

Kolegët dhe miqtë në këtë program ishin nga të katër anët e botës. Duke filluar nga Turqia e deri te shtetet skandinave, nga SHBA-të e deri te Kina. “Erasmus +” më mësoi se sa egocentrikë jemi ne ballkanasit, më mësoi se bota është shumë më e madhe dhe më e bukur sesa horizonti jonë i kufizuar

Shkruan: Ardit BAJRAMI, Tetovë

Programi “Erasmus +” është një projekt i Bashkimit Europian për arsim, stërvitje, rini dhe sport, që rreth katër milionë studentëve u ofron mundësi për studim, aftësim, arritje përvojash dhe për vullnetarizëm jashtë vendit. Ai është një projekt i mobilitetit akademik, i harmonizimit të programeve, bashkëpunimit, inovacionit dhe kualifikimit të stafeve. Deri më tani, për 30 vite, koha e ka dëshmuar se “Erasmus +” është shndërruar në një nga projektet më të suksesshme europiane. Motoja e këtij projekti, që do të vazhdojë deri më 2020, është: “Begati jete, hapje e mendjes për 30 vite”. Si target kryesor i këtij programi është shkëmbimi i përvojave ndërmjet studentëve dhe profesorëve, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe ndërmarrjeve private e aktorëve të tjerë, duke sjellë mundësi të reja për institucionet e arsimit të lartë, për studentët dhe stafin e tyre, gjithë kjo me qëllim të lehtësimit dhe transferimit të dijeve në përshtatje me nevojat e tregut të punës, por ngritjes së kapaciteteve të stafeve të institucioneve nga vendet partnere. Numri i shfrytëzuesve të këtij programi është në rritje eksponenciale nga viti në vit dhe suksesi i “Erasmus +” sot i kalon kufijtë europianë dhe është i pranishëm si në Amerikë të Veriut ashtu edhe në Azi. Një numër i konsiderueshëm universitetesh i obligojnë studentët e tyre që, të paktën, një semestër ta shfrytëzojnë programin “Erasmus +”, pra të qëndrojnë në ndonjë universitet tjetër.

Pas kryerjes së shkollës së mesme, ashtu si për shumë të rinj të tjerë, edhe ëndrra ime ishte të regjistrohesha në universitet dhe të frymoja si student edhe jashtë vendit. Këtë mundësi ma dha Universiteti i Europës Juglindore, që për mua është një yll i akademizmit shqiptar. Ky institucion, si një portë për ta shijuar fjalën student në të gjitha dimensionet e veta, qoftë Europë ose në Ballkan, si një nga universitetet me nuanca të universiteteve europiane (Graz, Oxford Brooks, Nantes) dhe amerikane (Indiana, Pittsburgh), ofron mundësi më tepër se gjithkund tjetër në spektrin e arsimit të lartë shqiptar. Si student, këtë program e kemi shfrytëzuar dy herë në kuadër të bashkëpunimit që UEJL-i e ka me botën akademike dhe Bashkimin Europian. Mundësia e studimit jashtë vendit ishte një përvojë e jashtëzakonshme, kishte ndryshim të klimës shkollore, fytyra të reja, mësimdhënës të rinj, mënyrë tjetër të nxënies së mësimit, literaturë diverse. Në kuadër të “Erasmus +” kemi qëndruar në Lubjanë të Sllovenisë, gjegjësisht në Universitetin e Lubjanës: herën e parë në nivelin e studimeve të rregullta, ndërsa herën e dytë – në semestrin e kaluar në studimet master. Ndonëse Sllovenia nuk është shumë larg gjeografikisht dhe ajo ka një histori të ngjashme me shtetin tonë nga e kaluara jugosllave, duke jetuar në kryeqytetin e saj si student vërejta dallimet e dukshme ndërmjet dy shoqërive, që shihen gati se në të gjitha sferat e jetës: që nga lehtësimet që shteti ua ofron studentëve, deri te burokracia efiçente dhe efikase, respekti ndaj natyrës, toleranca etj. Dimension ekologjik është një narrativë në vete. Jo më kot Lubjana është fituese e çmimit “Green City 2015” si kryeqyteti më ekologjik europian.

Kolegët dhe miqtë në këtë program ishin nga të katër anët e botës. Duke filluar nga Turqia e deri te shtetet skandinave, nga SHBA-të e deri te Kina. “Erasmus +” më mësoi se sa egocentrikë jemi ne ballkanasit, më mësoi se bota është shumë më e madhe dhe më e bukur sesa horizonti jonë i kufizuar. Nuk janë të paktë edhe ata që e konsiderojnë këtë territor si qendrën e botës, kurse në të vërtetë Ballkani është thjesht një vorbull që prodhon dekonstruktivitet dhe konflikte nga më të ndryshmet. Në mungesë të sukseseve bashkëkohore, ballkanasit shpesh gjejnë prehje në historitë e mijëvjeçarëve të kaluar dhe kështu mbeten letargjikë dhe jokonkurrentë me botën e përparuar. Në të shumtën e rasteve ne ballkanasit e përçmojmë atë që është ndryshe nga ne.

Duke u shoqëruar me njerëz të rinj nga vende të ndryshme, ne jemi vetëdijësuar se sa pak dimë, se shumë kemi për të mësuar dhe se pikërisht diversiteti dhe ndryshimet nga njëri-tjetri janë elementi që na mbledh bashkë. Gjithashtu te ne mbizotëron perceptimi se në vende më të zhvilluara, si ato skandinave, gjithçka është gati se perfekte, se atje cilësia e jetës i kap majat, se ka prosperitet politik, ekonomik e social, se shkalla e krimit është shumë e vogël, por kur komunikon me të rinj të këtyre vendeve, konstaton se edhe ata nuk janë të kënaqur nga vendi i tyre. Kjo mund të shpjegohet me faktin se brezi 20+ nuk është asnjëherë i kënaqur, se kërkon çdoherë më shumë ose me atë se shoqëritë e avancuara kanë objektiva siutopike.

Në planin akademik ishte privilegj të jem pjesë e një universiteti me traditë gati njëshekullore (themeluar më 1919), thjesht më i miri në Ballkan, në kategorinë 500 universitetet më të mira botërore për vitin 2016. Aty kisha fatin të kem ligjërues të cilët në të kaluarën kanë qenë bartës të funksioneve më të larta publike, qofshin këto poste ministrore ose ambasadorë në vende të ndryshme. Gjithashtu një privilegj i jashtëzakonshëm ishte komunikimi me profesorë si Marat Shterin, profesor në “King’s College” të Londrës ose Atsushi Sugita, profesor në “Hosei University” të Tokios, të cilët semestrin e kaluar në Lubjanë qëndronin në kuadër të programit të shkëmbimit akademik. Metodologjia e tyre e punës, si dhe relacioni që e krijonin me studentët, ishin vërtet unik. Ishte kjo një sinteze me dy kultura akademike të ndryshme. Shterin dhe Sugita i preferonin projektet në grupe, ku duke marrë parasysh përbërjen e ndryshme të studentëve dhe rezultatet ishin vërtet impresionuese. Përmes leksioneve dhe ushtrimeve, mësonim përvoja, realitete dhe fakte nga vendet e tjera, nga kultura, historia ose mënyra e jetesës së të tjerëve, që do të na shërbejnë në jetën tonë të mëtutjeshme shkollare dhe jo vetëm. Nuk mungonin edhe ligjërata speciale nga mysafirë, si presidentë të shteteve të ndryshme, ose nga persona të tjerë të dëshmuar në profesionin e tyre. Një dimension tjetër i eksperiencës sime sllovene, si student i diplomacisë, ishte edhe mikpritja e ngrohtë nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Lubjanë, i cili na mundësoi që të njihemi më për së afërmi me anën praktike të diplomacisë dhe i cili nuk ngurronte të na ftonte në evenimente të ndryshme ku mësoheshin finesat e “artit të diplomacisë”. Ambasodori në fjalë shpesh na thoshte se kjo është ambasada e shqiptarëve e jo e Shqipërisë.

Një tjetër element i bukurqëndrimit në Slloveni ishte vizita e bukurive natyrore të këtij vendi. Lokacionet turistike, si Bledi, Shpella e Postojnës e Koperi, janë thjesht destinacione, që të lënë mbresa sa të jesh gjallë. Vizitat në Italinë e veriut, në vende si Venecia, Verona ose Triesta, në Austri në Salzburg ose Vjenë, si dhe në Kroaci në Zagreb, janë vlerë e shtuar e kësaj super-eksperiencë studentore. Gjatë kësaj kohe jemi pasuruar si në aspektin personal, ashtu edhe në atë profesional dhe akademik. Më vjen mirë kur shoh se interesimi nga studentët e trojeve tona për “Erasmus +” është në rritje e sipër nga viti në vit.

Tekstet e shenjta, mes tjerash, nxisin shëtitjen në për botë, si dhe parimin e njohjes me njëri-tjetrin, kërkimin e diturisë në çdo cep të botës. Universitetin e Lubjanës do ta kem në jetëshkrimin tim dhe në qenien time. Faleminderit “Erasmus +”, faleminderit UEJL!

Postime të Ngjajshme