` . Epokë spanjollësh në Moto GP: Marc Marquez sërish kampion! - TV-SHENJA

Epokë spanjollësh në Moto GP: Marc Marquez sërish kampion!

Në Valencia shpërthen festa. Mbi 110.000 ndjekës të garave të shpejtësisë me motorë janë dëshmitarë të fitimit të trofeut të katërt të Marc Marquez-it në Moto GP.

Eshtë epokë spanjollësh, të kurorëzuar në një pistë përmbyllëse si ajo e Valencias. Nga 2012-ta, pa ndërprerje, janë veç pilotët spanjollë mbajtës të trofeut të Moto GP-së. Kësisoj, që nga ai vit: Lorenzo, Marquez, Marquez, Lorenzo, Marquez, Marquez!

Repsol Honda ka fluturuar sot, me Pedrosa-n në vend të parë, e me Marquez-in në të tretin. Me Zarco-në që meritonte të fitonte për atë kryesim të gjatë, të rrëmbyer në fund nga Pedrosa. Francezi duhet të kënaqet vetëm me vendin e dytë në podium.

Diferenca prej 21 pikësh para garës së Valencias nuk i jepte shumë shpresë Dovizioso-s, që megjithatë nuk do të dorëzohej, edhe pse vetëm në vend të pestë për shumë minuta.

Drama do të niste kur do të mbeteshin vetëm shtatë xhiro. Më së pari do të rrezikonte Marquez, që për pak gjë do t’i shpëtonte rrëzimit fatal. Por nuk do të kishte të njëjtin fat rivali për titull. Italiani i Ducati-t do të dilte jashtë piste vetëm një xhiro më pas, për t’i dhënë fund asaj pak dileme.

Dovizioso jashtë gare, Marquez kampion! Gjithçka tjetër është vetëm festë, bashkëshoqëruar me shpërthimin e Pedrosa-s në kilometrat e fundit. /tesheshi.com/

Postime të Ngjajshme