` . Entropia e Universitetit - TV-SHENJA

Entropia e Universitetit

Shkruan: Latif Mustafa

Debati mbi universitetin ngjallë domosdoshmërisht relacionin e universitetit dhe dijes, kurse dija ndërlidhet me burimet, mundësitë dhe nevojat njerëzore për dijet e caktuara. Ndër pyetjet kryesore është edhe ajo për nevojën e universitetit ose për atë se çfarë na duhet universiteti e, për me tepër, pyetja, se për çfarë lloj dijesh ka nevojë bashkësia njerëzore dhe si mund të sigurohen këto dije. Përkundër debatit të zgjeruar botëror për rolin e universitetit dhe nevojën e një transformimi radikal të konceptit të universitetit dhe dijeve njerëzore në përgjithësi, në realitetin shqiptar universiteti, në aspektin e paradigmës qendrore të emetimit të dijeve, ka mbetur i kufizuar në kornizat e një versioni vulgar të darvinizmit si ndaj konceptimit të rendit natyror si ndaj rendit shoqëror.

Themelimi i universiteteve tona ndodhë në periudhën e shteteve socialiste në lloje të ndryshme nuancash të nënshtrimit të pushtetit, kur para së gjithash thelbi paradigmatik i shpjegimit të rendit natyror bazohej në teoritë e biologut Charles Darvin. Teoria thelbësore e këtij biologu anglez dihet mirëfilli – bazohej në evolucionin shtazor të qenies njerëzore, përmes zinxhirit ushqimor, ku i forti është dominues në bazë të rregullit natyror dhe idesë së luftës për ekzistencë. Sipas kësaj paradigme, ngjashëm si në nivel global, plotësohet teoritë koncentrike të pozitivizmit shkencor Auguste Comtes-it dhe teorive deri diku shpërfytyruese dhe të vulgarizuara të Marx-it, që në atë kohë quhej marksizëm-leninizëm. Shteti i ri kishte marrë misionin e krijimit të njeriut të ri dhe universiteti ishte tempulli i fabrikimit të këtij njeriu, i preokupuar kryesisht me qenien e tij biologjike, në shërbim të plotë ndaj aparatit dhe ingranazhit shtetëror dhe tërësisht i çshenjtërizuar dhe i tjetërsuar nga Natyra dhe Universi. Me një fjalë, universiteti nuk ishte tempulli që e kthen njeriun në realitet dhe e bën të njëjtë me universin, por në të kundërtën, universi dhe natyra është e kundërta e njeriut të ri socialist.

Shqiptarët, në këtë periudhë, ndodhen para dy regjimeve politike dhe shtetërore, që për nga përnda paradigma janë të njëjtë, por të ndryshëm për nga format dhe intensiteti i manifestimit të pushtetit shtetëror. Shqiptarët, që si popull i përkisnin një korpusi të fortë metafizik të modalitetit të krishterë dhe mysliman dhe që në kuptimësinë qeniesuese të tyren, ekzistencën e vet individuale dhe shoqërore e shihnin të pandashme nga natyrës – physis-it, ndodhen para dy sistemeve më vulgare të manifestimit të modernitetit, gjë që do ta shformësojë qasjen e tyre ndaj universit, natyrës dhe njeriut. Universiteti, në këtë fazë të historisë, përkundër mbrothësisë, krijon idenë e shkëputjes, mbijetesës dhe biologjikes. Në kuptimin social, universiteti do të duhej të ishte kampi i bashkimit të njerëzve të popujve dhe kulturave të ndryshme për ta krijuar “komunitetin e të diturve”. ai shërben për klasifikimin e njerëzve në klasa të kombeve dhe kombësive, të padronëve dhe skllevërve. Të parët ishin të prirë për pushtetin, ndërsa të dytët për nënshtrimin. Universitetet e reja, përpos që ishin konstruktuese, ato ishin edhe justifikuese të një interpretimi partikular të modernitetit shkencor dhe politik.

Entropia është proces i trendit të rënies ose çrregullimit të rendit fizik natyror. Individi dhe shoqëria, duke qenë pjesë e physis-it, i nënshtrohen procesit së entropisë, e që sipas shpjegimeve të fizikës është një fenomen fatalist. Rrjedhimisht, edhe universiteti i është nënshtruar procesit të entropizimit për dekada me radhë, por trendi dhe këndi i tatëpjetës herë forcohet e herë zbutet. Universiteti shqiptar akoma sot e kësaj dite vepron në thelbin paradigmatik darvinian. Universiteti nuk është asgjë më tepër, pos shënjimi dhe domethënia për tempullin kur adresohen studentët për mbijetesën, tregun dhe shkëputjen. Studentët e bëjnë përzgjedhjen e drejtimeve në raport me diktimin e tregut, pasi të kenë diplomuar përpiqen për mbijetesën dhe, krejt në fund, përfundojnë të shkëputur nga realiteti shoqëror si universal dhe Universi si harmoni dhe plotni e qenies.

Shoqëria jonë ka nevojë për një universitet që i ngadalëson trendët e entropizimit të shoqërisë, që vepron brenda një kornize metafizike dhe etike që e koncepton realitetin fizik si pjesë të zinxhirit të madh të qenies dhe që promovon unitetin dhe ndërlidhshmërinë e gjithçkaje që ekziston. Një universitet i tillë do ta çlironte individin nga agjentët dhe operuesit e manipulimit konsumerist, duke e fisnikëruar individin dhe vetëdijesimin, kjo përkundër qasjes eksploatuese ndaj natyrës, për një qasje të harmonizuar dhe në kontemplare me natyrën dhe universin.

Postime të Ngjajshme