` . Enis Sulstarova: Bashkimi kombëtar nuk zëvendësohet nga integrimi evropian - TV-SHENJA

Enis Sulstarova: Bashkimi kombëtar nuk zëvendësohet nga integrimi evropian

“Sa më shumë aktorë që të shtosh në fushën ballkanike të lojës, aq më të ndërlikuara bëhen kombinimet. Është e vërtetë se secila fuqi është një pol që tërheq aktorët vendorë. Për ta thjeshtuar disi, unë lojën diplomatike e shoh midis Perëndimit, Rusisë e Turqisë. Turqia mendoj se do të shmangë përplasjet e drejtpërdrejta me SHBA, por mund të ketë të tilla me Gjermaninë, e cila nga ana e saj ka në dispozicion mekanizmat BE-së”, thotë Sulstarova.

Intervistoi: Ismail SINANI

 

Enis Sulstarova, ndonëse në moshë të mesme ose të re, ka bërë emër dhe vend të veçantë në studimet shqiptare mbi nacionalizmin, orientalizmin dhe, përgjithësisht, duke u bërë një burim i pashmangshëm reference në studimin e nacionalizmit shqiptar. Ndonëse ka një angazhim jo shumë të madh në Lëvizjen VETËVENDOSJE! (anëtar i Këshillit të Përgjithshëm), ai di të flasë me objektivitetin shkencor dhe paanshmërinë e studiuesit, duke e mbrojtur dhe shqiptuar të vërtetën pavarësisht se mund të mos i pëlqejë dikujt. Në të vërtetë, edhe përkatësinë politike ai e mbështet në arsyetime shkencore, për të cilat flasin edhe disa nga veprat e tij tashmë të njohura gjithandej për publikun shqiptar. Me këtë gjuhë të mprehtë ai flet edhe në këtë intervistë të gjatë për revistën Shenja.

 SHENJA: Kosova po shkon në zgjedhje. Si njohës i zhvillimeve në këtë vend, si e shihni krijimin e blloqeve të reja politike? Në fakt, se si e komentoni faktin që politikanët që deri dje nuk lanë pa thënë gjë për njëri-tjetrin, sot flasin për projekte të përbashkëta?

SULSTAROVA: Më shumë se njohës i zhvillimeve në Kosovë jam një person që shqetësohet për zhvillimet në Kosovë dhe kudo ku jeton kombi shqiptar. Kam mendimin se më shumë se dijes së specialistëve të një fushe duhet t’i paraprijë shqetësimi. Ne shqiptarët kemi shumë specialistë të mirë të fushave të ndryshme dhe shumë analistë mesatarë të zhvillimeve shqiptare, por na duhen më shumë profesionistë që shqetësohen me gjërat që nuk shkojnë mirë në fushën e tyre të specialitetit dhe me ecurinë e përgjithshme të kombit. Për të ardhur te pyetja juaj, më parë duhet të shqetësohemi pse u ndanë, pse Haradinaj formoi AAK-në dhe nuk u përfshi qysh në fillim me partinë e “krahut të luftës”, pse Limaj e Krasniqi ikën nga PDK-ja, pse Kusari-Lila e la AKR-në, pse Ilir Deda hyri e doli nga Lëvizja Vetëvendosje! e kështu me radhë? A e bënë sepse ishin të shqetësuar pikësëpari për Kosovën apo për interesat e tyre të përveçme? Mua më rezulton se në gjykimin e tyre kanë peshuar më shumë llogaritjet e interesave të përveçme dhe po këto llogaritje i shtyjnë që të bashkohen me dy partitë më të mëdha që mbajnë edhe përgjegjësinë më të madhe për keq-qeverisjen së bashku të Kosovës. Ata janë bashkuar pasi kanë parë se përqindjet në sondazhe i kanë të gjithë në rënie. Është një bashkim i përkohshëm…. sërish do të ndahen kur të mos u dalin llogaritë. Të shqetësuarit me keq-qeverisjen në Kosovë tashmë e kanë gjetur shtëpinë e tyre dhe kjo është Lëvizja Vetëvendosje!

SHENJA: Gjykata Speciale pritet së shpejti “të fillojë me punë”. Sipas jush, koalicioni i krijuar në Kosovë a është rezultat i frikës së krijuar nga veprimet e këtij institucioni apo ka ndonjë përgjigje tjetër?

SULSTAROVA: Nuk përjashtohet që të ketë edhe shtytje të jashtme, siç është edhe frika nga Gjykata Speciale, e cila do të shenjëstrojë ish-komandantët e UÇK-së, që dyshohen se kanë bërë krime. Por, mund të ketë edhe interesim nga shtetet e huaja që janë “kujdestare” jozyrtare të Kosovës, që zgjedhjet e ardhshme të prodhojnë qeveri koalicionesh të gjera, që të jenë më të qëndrueshme përballë sfidave me të cilat do të ballafaqohen. Fatkeqësisht, këta shtete perëndimore po e shohin Kosovën më shumë me syrin e interesave gjeopolitike dhe po ngulin këmbë në përmbylljen e proceseve të ngelura pezull e që janë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës, si Gjykata Speciale, miratimi në Kuvend i demarkacionit të gabuar të kufirit më Malin e Zi ose zbatimi i marrëveshjes mbi “Zajednicën”. Kam bindjen se nëse populli i Kosovës i ndëshkon me votë firmosësit e këtyre marrëveshjeve të dëmshme, shumëçka do të ndryshojë dhe se “Zajednica” nuk do të rikthehet, me Malin e Zi do të ketë një demarkacion të drejtë për kufirin e përbashkët dhe vendosja e drejtësisë së paanshme në Kosovë do t’i minimizojë efektet e pakëndshme të Gjykatës Speciale. Qytetarët e Kosovës e kanë të domosdoshëm një sistem drejtësie të pakapur nga krimi dhe interesat e pushtetarëve, e jo një gjykatë “speciale” që heton krimet e supozuara të UÇK-së, por jo ato të shtetit serb që nga koha e Millosheviqit e deri tani.

SHENJA: Çfarë po ndodhë në Shqipëri? A do të krijojë marrëveshja Rama-Basha perspektivë pozitive mes dy blloqeve apo edhe më tej Shqipëria do të vendnumërojë?

SULSTAROVA: Fjala “vendnumërim” i shkon për shtat situatës politike në Shqipëri. Partitë kryesore – PS, PD e LSI – i vënë stërkëmbëshin qeverisjes së Shqipërisë sa herë që u intereson atyre apo aktorëve të huaj që janë të interesuar që Shqipëria të mos jetë ndonjëherë e stabilizuar dhe e qartësuar në ndjekjen e interesave të kombëtare. Marrëveshja Rama-Basha është vetëm një armëpushim dhe kjo e ka shqetësuar me të drejtë Metën, se mos dy të parët i drejtojnë armët politike, por edhe ligjore, kundër tij. Tani ai është i interesuari kryesor që ta prishë marrëveshjen, edhe me koston e lënien së detyrës së presidentit të republikës, që nuk e ka filluar ende. Vini re se sa poshtë e kanë degraduar shtetin, duke nëpërkëmbur ofiqin më të lartë të tij. Shqipëria është kthyer në “meta-republikë”. Këtë e them duke u nisur nga emri i presidentit të tanishëm, por kuptimi shkon edhe përtej personit të tij. Për bindjen time, Ilir Meta nuk duhej lejuar të kandidonte për ofiqin më të lartë të republikës, mirëpo emërimi i tij president është përfaqësimi më i mirë i klasës së sotme politike, sepse të gjitha partitë në Shqipëri po funksionojnë si LSI-ja dhe pothuaj të gjithë politikanët në Shqipëri nuk kanë ndonjë dallim të madh nga Ilir Meta. Pra, ai është përfaqësues i merituar i sistemit politik, që në trajtë është republikë, por në përmbajtje nuk është në shërbim të publikes shqiptare, sepse u shërben personave që e shohin veten mbi qytetarët dhe përtej qytetarëve të republikës. Prandaj e kam pagëzuar si “meta-republikë”.

SHENJA: Kur e shikoni situatën politike aktuale politike në Shqipëri dhe Kosovë, me këso zhvillime të panatyrshme, a keni shpresë se politikanët e këtillë kanë vizion për shqiptarët në Ballkan dhe për të ardhmen e kombit në përgjithësi në këto hapësira?

SULSTAROVA: Përgjigjen e pyetjes së parë e hapa me shqetësimin që duhet të kemi të gjithë për kombin, aq më shumë qeveritarët që marrin mandatin si përfaqësues të vullnetit të shqiptarëve. E thënë thjesht, politikanët që na përfaqësojnë në të gjitha shtetet ku na kanë shpërndarë, nuk kanë vizion për shqiptarët në Ballkan, sigurisht me përjashtimin e Lëvizjes Vetëvendosje!, e cila jo më kot e ka këtë emërtim, dhe deri diku edhe të Lëvizjes BESA, e cila nënkupton një besëlidhje ose zotim të politikanëve të saj me popullin shqiptar në IRJM. Me të vërtetë, vizioni i një force politike dallohet qysh në emërtimin që zgjedh për veten. Në Shqipëri, Kosovë e IRJM – për t’u përqendruar te shtetet ku jetojnë shumica e shqiptarëve – kemi plot parti që vetëquhen “demokraci” e “integrim”, por pak syresh që vetëquhen “bashkim” apo “unitet”. Kemi parasysh që fjala “integrim” përdoret rëndom për “integrimet evro-atlantike” dhe jo për integrimin brenda-shqiptar. Në IRJM partia e parë shqiptare në parlament është “Bashkimi Demokratik për Integrim”, kurse në Kuvendin e Shqipërisë kemi “Lëvizje Socialiste për Integrim”, si edhe një parti që është shpallur për “drejtësi, integrim, unitet”. Politikanët tanë, pra ata burra e gra që marrin mbi supet e veta drejtimin e shqiptarëve, e kanë vendosur se “bashkimi” nuk është vizioni ynë, se në rastin më të mirë çështja kombëtare duhet radhitur pas demokracisë e integrimit në BE e NATO. Nuk them se demokracia dhe integrimi evro-atlantik nuk duhet të jenë pjesë e vizionit politik të shqiptarëve, patjetër që duhet të jenë, por më shqetëson “harresa” në lidhje me adresimin e problematikës kombëtare. Në fund të fundit, BE dhe NATO nuk varen krejtësisht nga ne, janë projekte strategjike ndërkombëtare ku shqiptarët duhet të kyçen. Mirëpo, ndërsa themi se jemi një komb dhe dihet se kombi nënkupton njësimin kulturor e politik, shqetësimi për çështjen shqiptare duhet të burojë vetvetiu, si të thuash, nga qenia shqiptare si e tillë. Mungesa e programeve dhe strategjive të shumicës së partive shqiptare për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare,tregon se këto forca nuk kanë besim në vetvete dhe në fuqinë e kombit shqiptar dhe se presin zgjidhje nga integrimet mbikombëtare. E thënë shkurt, nuk kanë vizion autentik politik, por të huazuar. Kjo është shumë e dëmshme për kombin tonë, për të mos thënë fatale, sepse e nxjerr atë të papërgatitur para rrebesheve të gjeopolitikës, por edhe të proceseve shumëplanëshe globalizuese.

SHENJA: Kur jemi te kriza në rajon, në çastin kur të gjithë menduam se amerikanët e kanë “harruar” këtë pjesë të globit, erdhi Zëvendësi i Ndihmës-Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Hoyt Brian Yee. Të paktën nga perspektiva e sotme ai duket se është “buldozeri i ri amerikan”. Megjithatë, duhet pyetur se nëse administrata e re amerikane do ta ndryshojë kursin e veprimit politik në raport me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën?

SULSTAROVA: Kursi i përgjithshëm amerikan për shqiptarët nuk besoj të ndryshojë me administratën e re, por të mos presim që ai të avancojë në favorin tonë pa përpjekjet tona. Për shkakun se shqiptarët nuk kanë aleatë të qëndrueshëm historikë. Aleanca me Amerikën është jetike për ne dhe këtë gjë amerikanët e dinë. Ata e kanë të qartë se në Ballkan nuk kanë aleatë më të sinqertë dhe më të bindur se shqiptarët, sidomos kur bëhet fjalë për të përballuar ndikimet ruse. Amerika nuk do të lejojë agresione të hapura kundër shqiptarëve. Mirëpo, edhe ne duhet ta dimë se Amerika ka interesa më të gjera në rajon, se politika e jashtme amerikane po interesohet seriozisht për Serbinë, që ta shkëpusë nga lidhja tradicionale me Rusinë. Për hir të interesave të veta dhe për të përkrahur edhe interesat e Bashkimit Evropian në rajon, Amerika mund t’i quajë legjitime disa nga pretendimet e Serbisë në Kosovë dhe kërkon një “pajtim” serbo-shqiptar, i cili – e vërteta duhet thënë deri në fund, sado hidhur të na vijë – po kundërshtohet më shumë nga qeveritarët serbë se ata shqiptarë. Gjithashtu, investimet dhe projektet strategjike perëndimore i japin një rol më të rëndësishëm Serbisë se sa fqinjët e saj më të vegjël dhe të pafuqishëm: Mali i Zi, Kosova, IRJM. Në këto kushte, çfarë mund të bëjmë ne për ta mbrojtur interesin tonë kombëtar që rrezikohet nga politika e Serbisë për afrimin me Perëndimin pa prishur lidhjen tradicionale me Rusinë? Neve na del detyra e mbrojtjes me vendosmëri e interesave jetike kombëtare, si në rastin e “Zajednicës”, të demarkacionit me Malin e Zi dhe të realizimit të trajtimit të barabartë të popullit shqiptar me atë sllavomaqedonas në IRJM. Për këtë duhet unitet i qëndrimeve brenda-shqiptare dhe dialog i vazhdueshëm me Perëndimin, sidomos me SHBA-në, për rreziqet që i vijnë paqes së qëndrueshme në rajon nga Beogradi. Kam shpresën se qeveria e re në Prishtinë, e kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje!, do të ndjekë këtë linjë veprimi, në raport me Tiranën dhe me partnerët ndërkombëtarë, sidomos diplomacinë amerikane. Serbinë duhet të jemi në gjendjen ta përballojmë si Shqipëri e Kosovë marrë së bashku. Edhe në IRJM shqiptarët kanë përballë lidhjen ruso-serbe të përfaqësuar nga VMRO-DPMNE-ja. Vetëm me vendosjen e drejtpeshimit real shqiptaro-serb mund të jemi një faktor për t’u marrë në konsideratë nga diplomacia amerikane. Atëherë kur emisarët amerikanë i thërrasim për të vendosur paqen Rama-Basha, kur politikanët tanë harxhojnë para të madhe në lobime në Uashington për interesat vetjake, të mos të na vijë keq kur diplomacia amerikane e quan bezdisje të merret me problemet shqiptare. Ata duan të dëgjojnë se çfarë mund të bëjmë ne si komb për interesat amerikane në rajon dhe jo se çfarë mund të bëjnë ata për të shuar sherret midis partive politike shqiptare.

SHENJA: SHBA, Rusia, Turqia dhe Gjermania. Të gjitha këto vende edhe në bazë të sondazhit të fundit të IRI-t shihet se janë me një ndikim të madh në Maqedoni, pse jo edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Nisur nga ky fakt, cilat mund të jenë balancat e reja politike në këto tre vende?

SULSTAROVA: Sa më shumë aktorë që të shtosh në fushën ballkanike të lojës, aq më të ndërlikuara bëhen kombinimet. Është e vërtetë se secila fuqi është një pol që tërheq aktorët vendorë. Për ta thjeshtuar disi, unë lojën diplomatike e shoh midis Perëndimit, Rusisë e Turqisë. Turqia mendoj se do t’i shmangë përplasjet e drejtpërdrejta me SHBA-në, por mund të ketë të tilla me Gjermaninë, e cila nga ana e saj i ka në dispozicion mekanizmat BE-së. Turqia do të përpiqet që ta rifitojë imazhin e saj në Ballkan, të dobësuar nga ngjarjet e brendshme në atë vend dhe nga përplasjet me BE-në. Këtë do ta bëjë në të njëjtën mënyrë si më parë, me investime strategjike ekonomike, me projekte kulturore dhe duke përdorur trashëgiminë osmano-islamike, që e lidh kulturalisht me Ballkanin. Turqia as e ka qëllim dhe as që mundet të ndikojë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të shkëputen nga linja e integrimit me Perëndimin. Loja e Rusisë është më e rrezikshme për interesat perëndimore, por pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO nuk i mbetet shumë hapësirë veprimi, me përjashtim të Serbisë, Republikës Serbe në Bosnjë dhe sllavomaqedonasve të Gruevskit. Mendoj se veprimi i Rusisë në Ballkan është thjesht subversiv, për ta mbajtur Perëndimin të angazhuar në këtë rajon, sepse interesat e vërteta i ka në Ukrainë, Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore. Gjithsesi, siç e ka vërejtur më parë Abdi Baleta, ne shqiptarët bëjmë pjesë në një zonë gjeopolitike me tension të lartë, e cila shtrihet nga Adriatiku gjer në Afganistan, prandaj pritet që zhvillime madhore tjetërkund ta kenë valën e tyre të ndikimit edhe tek ne. Shqipëria, Kosova e IRJM-ja do të rreshtohen me Perëndimin, ndërkaq parti që dalin humbëse nga gara politike mund të flirtojnë me Rusinë. Mirëpo, dua të besoj se takimi i paradokohshëm i Lulzim Bashës me ambasadorin e Rusisë në Tiranë ishte një gjest i pamenduar mirë, për t’i shprehur nervozizmin e tij Perëndimit. Në planin kombëtar, ne shqiptarët me Rusinë i kemi mbyllur hesapet qysh më 1878-tën, në mos më herët, dhe nuk presim mbështetje prej andej. Edhe vendosja e regjimit komunist në Shqipëri ishte më shumë pasojë e Jaltës se sa e zhvillimeve të brendshme.

SHENJA: Maqedonia tani do të udhëhiqet nga një bllok i ri politik i kryesuar nga LSDM. Te ndërkombëtarët ka një entuziazëm të paparë për ta mbështetur Zaevin, por megjithatë një pjesë e madhe e analistëve të pavarur kanë drojë se megjithatë kjo eufori e krijuar për LSDM-në, në periudhë më afatgjate, mund të jetë e dëmshme për shqiptarët, ngase shkon në dëm të identitetit të tyre kombëtar. Ju si e shihni këtë proces?

SULSTAROVA: Të tjerët le tëshprehin eufori, ne shqiptarët le të shohim problemet tona, se kemi plot. Tani partitë shqiptare kanë një platformë të përbashkët, përveç Marrëveshjes së Ohrit, dhe duhet t’ua bëjnë të qartë ndërkombëtarëve se kërkojnë shtet dykombësh e demokratik, pavarësisht se cili është kryeministri aktual në Shkup. Me sulmin që ndodhi në parlament, sidomos ndaj Zijadin Selës, partitë shqiptare e kanë argumentin për të treguar se asnjë shqiptar nuk ndjehet i sigurt në një shtet ku ata kanë vetëm “çelësat e kashtës”. Kur ndërkombëtarët t’u thonë shqiptarëve që t’i japin besimin Zaevit, ata t’u thonë diplomatëve se Zaevi duhet ta fitojë me vepra besimin e shqiptarëve, duke hetuar për sulmin në parlament dhe duke liruar e dëmshpërblyer të pafajshmit e proceseve të montuara. A do të munden partitë shqiptare të flasin njëzëri në këtë mënyrë? Deri tani më është krijuar përshtypja se partitë shqiptare më të lehtë e kanë të komunikojnë me partitë sllavomaqedonase se sa me njëra-tjetrën. Sidomos partitë e reja shqiptare e kanë detyrën që ta shprehin politikisht vullnetin e shqiptarëve të IRJM, sepse e ardhmja u takon atyre. Për mendimin tim, PDSH dhe BDI janë parti që nuk kanë ide që t’i shtyjnë përpara dhe kanë hyrë në fazën e inercisë.

SHENJA: Kur jemi te Maqedonia, si e shihni kampin politik shqiptar? A shihni shpresë se megjithatë në Maqedoni shqiptarët po ndërtojnë përfaqësim dinjitoz dhe cili është shpjegimi juaj për vajtjen e shqiptarëve në një parti maqedonase, siç është LSDM?

SULSTAROVA: Për ta vazhduar argumentin që shpreha mbi idetë në politikë, ato janë të nevojshme për të krijuar frymën popullore, e cila i motivon njerëzit që të organizohen dhe të votojnë. Pa ide për zhvillim, pa shpresë për një të ardhme më të mirë, politika kthehet në pazar të shitjes së votës. Unë kështu e shpjegoj votën shqiptare për LSDM-në, pra si një këmbim të votës për premtime që LSDM-ja mund t’u ketë bërë shqiptarëve të veçantë, por jo popullit shqiptar në IRJM. Meqenëse “e keqja” në politikën shqiptare në IRJM ka kohë që kërkohet te PDSH-ja dhe BDI-ja, unë “të mirën” e kërkoj te partitë e reja, te Lëvizja BESA dhe te Aleanca për Shqiptarët. Pavarësisht nga numri i deputetëve që kanë për momentin, më me rëndësi është fryma që mund të krijojnë. Ato nuk e kanë luksin të jenë parti të krerëve, por duhet të jenë parti të brezave të njëpasnjëshme, që edukohen me idenë e të qenit popull dhe jo pakicë.

SHENJA: Kur flasim për shqiptarët e Maqedonisë, edhe një pyetje pak më teorike: a mendoni se ka një qasje orientaliste nga Shqipëria e Kosova ndaj tyre dhe si shpjegoni këtë? A janë shqiptarët e Maqedonisë periferi shqiptare apo janë një bërthamë e veçantë e shqiptarisë?

SULSTAROVA: Për ata që e matin emancipimin në raport të zhdrejtë me numrin e grave që mbajnë shami në kokë, Shqipëria është në vend të parë, Kosova pas saj dhe Maqedonia në fund, që do të thotë se shqiptarët në IRJM i cilësojnë si më orientalë. Mirëpo, ka edhe forma të tjera të klasifikimit. Për nga shtypja sistemike që u ndodh shqiptarëve, unë Luginën e Preshevës do të vendosja në fillim, më pas ata të veriut të Kosovës, më tutje shqiptarët e Shkupit e të Manastirit, çamët e kështu me radhë, deri te më të varfrit në periferi të Tiranës e Prishtinës. Periferi ka kudo te shqiptarët, mjafton që të mësohesh ta vëresh atë që ka rëndësi. Në aspektin kombëtar, secila pjesë e atdheut është një gjymtyrë që rreket t’i afrohet së tërës. Secila pjesë e kombit është, në këtë kuptim, një bërthamë shqiptarie, e cila e kryen detyrën e vet në raport me kombin. Detyra duhet kryer edhe kur bërthamat e tjera nuk e bëjnë këtë, sepse gjithsesi afrimi ndodhë. Për të marrë shembullin e subjektit politik më të përparuar shqiptar, Lëvizjes Vetëvendosje!, a duhej vallë ajo të priste që Tirana të reagonte për demarkacionin dhe “Zajednicën” apo duhej të hidhej në veprim për t’i ndalur këto plane? Unë mendoj se u tregua në lartësinë e duhur që i ndali, pavarësisht heshtjes së turpshme të politikanëve të Tiranës e kolaboracionizmit të qeverisë së Prishtinës. Po kështu, unë mendoj se shqiptarët e IRJM-së duhet të shohin vazhdimisht për nga Tirana e Prishtina, por jo të harrojnë detyrën e tyre kombëtare. Nëse qeveritarët në Tiranë e Prishtinë u dalin në krah, mirë bëjnë; nëse në vend që t’i ndihmojnë, i këshillojnë mbrapsht, atëherë atyre duhet t’u thuhet: “Faleminderit për këshillat, ne do të vazhdojmë detyrën tonë ndaj kombit e atdheut”.Vështirësia më e madhe është që ta mbash besën që ke me veten e të mos vetëmashtrohesh.

SHENJA: Fenomeni i vajtjes së shqiptarëve të Maqedonisë në LSDM detyrimisht e shtron edhe një temë, që ju e keni studiuar mjaft. A kanë shqiptarët mungesë të nacionalizmit apo kemi të bëjmë me një nacionalizëm heterogjen, që nuk arrin të ngjizë një ide të përgjithshme shqiptare, rreth së cilës do të lidheshin të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe në mërgatë?

SULSTAROVA: Nuk e di se çfarë mund të kuptohet me “nacionalizëm heterogjen”, sepse nacionalizmi mëton njësimin e kombit. Nëse e keni fjalën për nacionalizëm pa objektiva konkrete, është e vërtetë se nacionalizmi shqiptar mbetet i pashtjelluar në programe e strategji politike e shoqërore, se ai nuk është zbërthyer ende sa duhet në plane për veprime konkrete, prandaj u duket i paqartë e utopik një pjese të shqiptarëve. Lëvizja Vetëvendosje!, subjekti që ka për synim referendumin për bashkim, në programin e saj qeverisës e ka të integruar vizionin kombëtar, pra e ka të menduar se çfarë do të bëjë në vitet e ardhshme dhe se si hapat e veçantë e ndikojnë afrimin e shqiptarëve. Disa kërkojnë ta zënë mat Lëvizjen Vetëvendosje!, duke i drejtuar pyetjen se si do ta bëjë ajo bashkimin kur qeveritë ose partitë e tjetra në Kosovë e Shqipëri nuk duken gati ta bëjnë këtë gjë. Faktikisht, ata që e bëjnë këtë pyetje, e zënë mat veten, sepse pyetja mund t’u kthehet mbrapsht atyre vetë. Po ata që bëjnë pyetjen, po ne të tjerët, a po e bëjmë detyrën tonë kombëtare në rolet qe i kemi si qytetarë, si profesionistë, si prindër, si fqinjë, si shqiptarë që jetojmë mbi eshtrat e të parëve tanë? Kur e shtron në këtë mënyrë, bashkimi nuk është te një fiat, por ndodhet i padukshëm në mijëra hapa të vegjël të përditshmërisë sonë. Mendoni me sa pak gjë e nisën idenë e kombit njerëz si Veqilharxhi, Kristoforidhi, vëllezërit Frashëri, Hasan Prishtina etj. dhe sa mundësi të pashfrytëzuara kemi ne sot!

SHENJA:Një dileme tjetër që duhet theksuar është edhe admirimi i shqiptarëve për Europën. Ju jeni marrë me këtë temë. Meqë në Europë po ndodhin zhvillime që po e tronditin Unionin dhe meqë zgjerimi i BE-së po duket shumë i largët, a mendoni se kanë shqiptarët ide dhe vizion për kombin nëse nuk ndodhë BE-ja edhe te shqiptarët?

SULSTAROVA: Siç e shoh unë, bashkimi kombëtar është detyra e shqiptarëve, integrimi evropian është interesi ynë kombëtar. Shprehur në këtë mënyrë, bashkimi kombëtar nuk ka përse të ndodhë për “inat të Evropës”, pra në rastin se procesi i integrimit evropian ngec. Rama e Thaçi u shprehën gabim, duke e paraqitur bashkimin e shqiptarëve si gogol për Evropën. Nëse ka në Evropë politikanë që e shohin në këtë mënyrë, nuk kemi përse ne shqiptarët ta paraqesim kështu problemin. Në krahun tjetër, ne e dimë se procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor është ndalur, të paktën për pesë vjet, por edhe më shumë. Ku e kanë Rama e Thaçi “alternativën” e bashkimit kombëtar? Ato 10 komisione të krijuara nga mbledhja e qeverive çfarë kanë bërë deri tani, a kanë raportuar, para kujt dhe çfarë kanë raportuar, ku i kanë sukseset, ku dështimet? Që të luash blofin, minimumi që duhet është të kesh disa letra në dorë. Ku i kanë këta? Bashkimi kombëtar nuk mund të zëvendësohet nga integrimi evropian, ndërsa ky i fundit është një proces që e favorizon të parin. Për kombet e ndara në disa shtete, si i yni, procesi i integrimit evropian ofron frymëmarrje e mundësi që duhen shfrytëzuar. Për të dhënë një shembull, tani që Kosova është shtet, çfarë e pengon Shqipërinë dhe Kosovën që ta ndjekë rrugën e integrimeve ekonomike që ndërmorën Gjermania e Franca në fillimet e BE-së? Ne shembullin e pajtimit Gjermani-Francë e përdorim për të nxitur pajtimin Serbi-Kosovë, mirëpo po ta marrim seriozisht shembullin duhet ta zbatojmë fillimisht te shtetet shqiptare, sigurisht jo në emër të pajtimit, se nuk ka përse të pajtohen shqiptarët e dy anëve të kufirit. E kam fjalën, ku i kemi ne institucionet e përbashkëta në sektorët strategjikë, ku janë komisionet e përbashkëta parlamentare, ku janë planet që ekonomitë tona të jenë plotësuese e jo konsumuese të prodhimeve serbe? A po i shfrytëzojmë maksimalisht ato hapësira veprimi që proceset integruese u kanë krijuar pjesëve të ndara të kombit? Bashkimi kombëtar do të jetë rrjedhojë e natyrshme e një kërkese mbarëshoqërore për një liri më të madhe veprimi, pra atëherë kur të kemi shteruar mundësitë e gradëve të tanishme të lirisë.

Postime të Ngjajshme