` . Emri, nesër fillojnë negociatat në Nju Jork – TV-SHENJA

Emri, nesër fillojnë negociatat në Nju Jork

Shkupi dhe Athina fillojnë nesër në Nju Jork një raund të ri negociatash për zgjidhjen e kontestit bilateral. Negociuesit nga Maqedonia kanë propozuar që emri i ri i shtetit të jetë “Republika Ilinditase e Maqedonisë” dhe nëse kjo pranohet, atëherë do të pranohen edhe kërkesat greke për erga omnes dhe ndryshim të Kushtetutës. Por, pala greke ka refuzuar këtë propozim, duke thënë se preferojnë njërin nga propozimet e parashtruara të ndërmjetësuesit Metju Nimic. Ministrat e Jashtëm Dimitrov  dhe Kocias do të takohen gjatë dy ditëve të ardhshme në Nju Jork në praninë e të dërguarit të posaçëm të OKB-së Metju Nimic, ndërsa paralelisht do të mblidhen edhe grupet e ekspertëve.  Ministri i Jashtëm grek që ndodhet prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara, tha se e diskutoi gjerësisht këtë çështje edhe me ndihmës-sekretarin e shtetit, Ves Miçell.

NIKOS KOCIAS, MINISTËR I JASHTËM I GREQISË

“Nuk na bëhet asnjë presion dhe as pranojmë të na bëhet presion. Por pala amerikane interesohet jashtëzakonisht dhe po përpiqet të kuptojë se në ç’pikë ndodhen negociatat dhe cilat janë pikat e vështira”.

Ndërkaq, zëvendësministi i Jashtëm grek, Jorgos Katrugalos, ka thënë se nëse kontesti nuk zgjidhet me rishikim të kushtetutës, marrëveshja nuk do të shkojë në Kuvendin e Greqisë.  Ai sqaroi se me partnerin e koalicionit Grekët e Pavurur nuk kanë dallime.

JORGOS KATRAGULOS, ZV/MINISTËR I JASHTËM I GREQISË

“Kamenos thotë qartë se nëse kontesti nuk zgjidhet me rishikim kushtetues, nëse pala tjetër nuk e kryen atë detyrim, marrëveshja nuk do të vjen në Kuvend dhe ajo është e vërtetë. Ne vlerësojmë se zgjidhja e ergo omnes, pranimi që emri të përdoret edhe brenda edhe jashtë me rishikim kushtetues është njëri ndër parakushtet e marrëveshjes në pako. Kjo është diçka që e kemi potencuar edhe ne dhe për këtë nuk kemi dallime me Grekët e Pavarur”.

Lideri i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos, ka përsëritur dje se partia e tij nuk do të votoj për emër të përbër i cili përmban termin Maqedoni. Ai ka shtuar se parakushtet e marrëveshjes janë ndryshimet kushtetuese, për të cilën është shprehur i bindur se nuk do të kalojnë në Kuvendin e Maqedonisë. Teuta Buçi /SHENJA/