` . Emrat dhe mosha e viktimave në Gjilan - TV-SHENJA

Emrat dhe mosha e viktimave në Gjilan

Pesë persona humbën jetën sot në Gjilan. Rreth orës 13:00 në lagjen ‘Bujanina’ të qytetit të Gjilanit një ngjarje tragjike ndodhi që shokoi thuajse gjithë vendin.

Zyrtarja policore, Valdete Bllaca privoi nga jeta prindërit e saj, dy vëllezërit dhe në fund veten.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur emrat dhe moshën e të pesë anëtarëve të familjes Bllaca që sot u ndanë nga jeta.

Prindërit Zeqir Bllaca 70 vjeçar dhe Hanife Bllaca 66 vjeçare, vëllezërit Blerim Bllaca 33 vjeçar si dhe Fisnik Bllaca 34 vjeçar dhe vetë dorasja Valdete Bllaca e moshës 45 vjeçare.

Rasti në fjalë është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Gjilan të cilët bënë të ditur se e ndjera Valdete Bllaca, zyrtare policore në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan me armë zjarri ka privuar nga jeta katër anëtarët e familjes së saj dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

Nga Policia e Kosovës në Gjilan nuk pati ndonjë informacion shtesë lidhur me rastin dhe të njëjtit kanë deklaruar se tashmë rasti ka kaluar në kuadër të Prokurorisë së Gjilanit.

Rasti po vazhdon të hetohet dhe tashmë në vendin e ngjarjes kanë arritur edhe pjesëtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe shumë përfaqësues të tjerë ligjore./Indeksonline/