` . Ekspozitë e piktorit Omer Kaleshi në ITKSH – TV SHENJA

Ekspozitë e piktorit Omer Kaleshi në ITKSH

Piktori me famë botërore, Omer Kaleshi ka hapur sot një ekspozitë të përhershme me 24 vepra në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore në Shkup. Pra, bëhet fjalë për një pjesë të botës së tij artistike, që piktori, i cili njihet ndryshe edhe si piktori i kokave, ka vendosur t’ia dhurojë Shkupit, ndërsa në të ardhmen do të jenë pjesë e galerisë që do të mbaj emrin e Omer Kaleshit.

“Kjo është galeri me emrin tim e dyta, sepse e para është bërë në Prishtinë në Universitetin ‘Iliria’. Kjo javë që ishte për këtë ceremoni kaloi shumë mirë”, deklaroi Omer Kaleshi, Piktor.

Mbi veprimtarinë dhe arritjet botërore të Kaleshit në fushën e tij, foli akademiku, Luan Starova. Duke e cilësuar këtë eveniment si historik, Starova njëherit tha se edhe pse janë botuar monografi, vepra dhe studime të shumta për veprën e këtij piktorit  bota pikturale e Omer Kaleshit ka edhe horizonte të reja të zbulimit.

“Mendoj se Omer Kaleshi e ka mbrrirë zenitin në artet figurative, jo vetëm në rajonin ballkanik por edhe më gjerë. Pra, ai ka një aspekt evropian, një aspekt të Azisë në veprën e tij dhe mund të thuhet se bëhet fjalë për një vepër mjaft komplekse dhe e rrallë në viset tona”, tha Luan Starova, Akademik.

Ndërsa, drejtori i ITKSH-së, Skender Asani, theksoi se vepra gjysmëshekullore e Kaleshit ka bërë krenar shqiptarët dhe shtetin e Maqedonisë.

“Veprimtaria e Omer Kaleshit gati gjysmëshekullore është vizion, është shembull, është mostër se një institucion, një artist dhe ai që mirret me kulturë duhet ta ketë si primarë për ta arritur suksesin në rangun e brendshëm dhe atë të jashtëm, rangun botëror”, ka deklaruar Skender Asani, ITKSH.

Këto 24 vepra javën e kaluar u ekspozuan në Galerinë Kombëtare, ndërsa së shpejti pritet të krijohet një galeri e veçantë në Universitetin “Nënë Tereza”, e cila do të mbajë emrin Omer Kaleshi. Në kuadër të kësaj, sot u nënshkrua edhe një marrëveshje mirëkuptimi.

Teuta Buçi /SHENJA/


Ekspozitë e piktorit Omer Kaleshi në ITKSH by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme