` . Eksperti i BE: Maqedonia do t’i nis negociatat në tetor, Shqipëria vështirë - TV-SHENJA

Eksperti i BE: Maqedonia do t’i nis negociatat në tetor, Shqipëria vështirë

“Shqipërisë nuk ka të ngjarë t’i hapen negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian as në tetor”. Ky është paralajmërimi i ekspertit të njohur europian për Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber sipas të cilit skenari më i mundshëm është që në tetor negociatat të hapen vetëm me Maqedoninë e Veriut

Në një intervistë me Gazetën Si, eksperti me origjinë nga Luksemburgu shprehet se kriza aktuale politike në vendin tonë po shërben si një argument për vende kritike si Franca dhe Holanda dhe po errëson përpektivën europiane të Shqipërisë.

Bieber është një nga ekspertët me të njohur europianë për Ballkanin Perëndimor dhe është autor i dhjetëra librave dhe artikujve që lidhen me rajonin. Aktualisht Bieber është Koordinator i Grupit Këshillimor të Politikave për Ballkanin në Europë dhe Drejtor i Qendrës për Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, në Austri.

Eksperti fajëson për gjendjen në të cilën ndodhet vendi të gjitha palët politike, duke i thënë Gazetës Si se qeveria nuk ka ditur si ta trajtojë krizën në vend, ndërkohë që sipas tij opozita ka treguar se është e gatshme të rrezikojë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Eksperti europian ka folur me Gazetën Si edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe skenarin për shhkëmbimin e territoreve të cilin e konsideron si ide të tmerrshme.
Gazeta Si –Në qershor, Bashkimi Evropian shtyu sërish hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. A mendoni se vendet anëtare do t’i japin dritë jeshile Shkupit dhe Tiranës në tetor, pavarësisht kundërshtimit të vendeve skeptike si Franca dhe Hollanda?

Florian Bieber: Unë mendoj se dhënia e dritës jeshile për Maqedoninë e Veriut është mjaft e mundur, por jam skeptik për Shqipërinë, pasi rezistenca ndaj Shqipërisë është më e madhe në Francë dhe ne vendet e tjera. Për më tepër, qeveria nuk e ka trajtuar mirë krizën e muajve të fundit, krizë që dëmtoi shpresat europiane për Shqipërinë. Ndërkohë, në fund, edhe qëndrimi i opozitës ka qenë destruktiv, duke treguar se ishte e gatshme të minonte perspektivën europiane të Shqipërisë për hir të turpërimit dhe largimit të qeverisë.
Gazeta Si: Pse ka të ngjarë që negociatat do të hapen vetëm me Maqedoninë Veriore? Dhe çfarë këshillash do t’u jepnit politikanëve shqiptarë për të shmangur një skenar të tillë?

Florian Bieber: Skenari më i mundshëm është që negociatat hapen vetëm me Maqedoninë e Veriut. Shpresojmë që ky do të jetë një mesazh i qartë për qeverinë dhe opozitën shqiptare për të mos rrezikuar pranimin në BE për shkak të përplasjeve të brendshme. Ndërkohë që është e vërtetë që kundërshtimi i hapjes së bisedimeve të pranimit në vende si Franca dhe Holanda është në një farë mase i padrejtë dhe i njëanshëm, mënyra më e mirë për t’u përballur me ta është që kritikët të mos japin asnjë arsye për të kundërshtuar ecurinë e vendit. Sidoqoftë, kriza politike në Shqipëri thjesht konfirmoi të gjitha stereotipet negative të këtyre vendeve. Kam frikë se për mungesën e përparimit qeveria do të fajësojë opozitën dhe anasjelltas, opozita do fajësojë qeverinë.