` . Ekskluziviteti i inteligjencës - TV-SHENJA

Ekskluziviteti i inteligjencës

Një hierarki e ndërtuar keq është kataklizma e shoqërisë. Shoqëria gjithmonë do të jetë në gjendje trazimi. Madje, mbërrin në një pikë ku trazimi kthehet në nevojë jetike. Pa trazime s’ka zhvillim. S’ka progres. S’ka çuarje përpara të shoqërisë. Shoqëria mbahet në gjendje tensioni.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Teoritë barazitare nuk i shërbejnë aspak përmirësimit të shoqërisë. Ato janë karrem për ta zhytur shoqërinë në konflikt. Janë çengelë ku qëndron varur e ardhmja e ndritur, që shtjellohet në faqet e librave dedikuar po këtyre teorive. Janë maska që përdorin syresh që duan të mbajnë më shumë se ç’kanë takat. Janë botoksi, që përdoret për t’i dhënë shkëlqim të rënëve nga vakti qysh në lindje.

Pse këto teori janë joshëse? Masiviteti i përkrahjes së tyre është realitet. Pjesëtarë të çdo shtrese mund t’i gjesh të korkolepsur me këto teori. I hapin dyert për çdokënd, duke u ushqyer shpresën se të gjithë mund t’ia dalin të ngjiten atje lart, nëse të gjithë e mbështetin të gjithë. Ky tip solidariteti është veç një mufkë. Realiteti e ka treguar se aty ku janë zbatuar teoritë barazitare, disa janë më të barabartë se të barabartët, ose të parët mes të barabartëve. Nisen për të vënë vetulla dhe nxjerrin edhe sytë.

Hierarkia është tipari themelor i natyrshmërisë. Barazitizmi kërkon të turbullojë ujërat e natyrshmërisë për të nxjerrë në krye planktonët, që kërkon të na i shesë për perla. Pasi ka shkaktuar mjaft turbullime, rrëmben fronin e superiorit dhe mpreh shpatën për të vendosur barazinë shoqërore. Natyrisht duke mënjanuar vetveten. Nuk mund të shmanget hierarkia, edhe pse në këtë rast është ndërtuar keqazi në kundërshtim të plotë me natyrshmërinë.

Një hierarki e ndërtuar keq është kataklizmi i shoqërisë. Shoqëria gjithmonë do të jetë në gjendje trazimi. Madje, mbërrin në një pikë ku trazimi kthehet në nevojë jetike. Pa trazime s’ka zhvillim. S’ka progres. S’ka çuarje përpara të shoqërisë. Shoqëria mbahet në gjendje tensioni. Propagandohet se kjo gjendje do të gjenerojë më të mirën për shoqërinë, duke i çuar anëtarët e saj drejt shkrirjes së energjive jetësore për zhvillimin e madh, që është duke pritur pikërisht më të mirët e vetë shoqërisë.

Qëmtimi kujdesshëm i kësaj hierarkie të ndërtuar keq dhe jo pa qëllim, na çon drejt bunkerit që mban në hyrje vulën ekskluziviteti i inteligjencës. Shoqëria është e barabartë, por inteligjenca është ekskluziviteti i atyre që teorizojnë mbi barazinë. Me kohë mbyllen në bunker, prej ku nxjerrin të ardhshmit inteligjentë që do të drejtojnë dhe udhëheqin çështjet shoqërore, kjo sepse janë më të mençurit, më të shkëlqyerit, më libërdashësit, më rezultativët në proceset nxënëse.

Nga buron ky ekskluzivitet? A është inteligjenca e këtyre syresh superiore si rrjedhim i natyrshmërisë me të cilën kanë lindur? A ka dëshmuar mjaftueshëm puna e kryer për ta zbuluar thellësinë e inteligjencës së tyre? Nëse inteligjenca e tyre qëndron tepër lart, cilat janë veprat konkrete që i kanë realizuar? A kanë origjinalitet dhe autenticitet veprat që paraqesin apo janë kopje të shëmtuara dhe të ngjitura keq në një rend ku spikat thellësia e inteligjencës? Apo, mos ndoshta janë vepra të grabitura nga tjetërkush dhe në një rend ku është vështirë të verifikosh autenticitetin dhe origjinalitetin, që paraqiten si produkt i një inteligjence superiore?

Më të barabartët se të barabartët dhe të parët mes të barabartëve certifikojnë trashëgiminë e inteligjencës. Ata krijojnë dinastitë në institucione ku gjallojnë pasardhësit e tyre në mënyrë ekskluzive. Ata vendosin barriera që vetëm inteligjentët superiorë, pasardhës të tyre, mund t’i kapërcejnë. A thua vallë kanë marrë në dorë çelësat e të panjohurës dhe tani u mbetet atyre të përcaktojnë se kush vlen dhe sa vlen. Çuditërisht, pse vetëm pasardhësit e tyre na shfaqen më inteligjentë? Do të thonë me siguri se dardha bie nën dardhë. Ç’të bëjmë? Gjenetika. Gjeni e bën të vetën. Gjeni, gjthsesesi, ka pjesën e vet. Por, kjo nuk mund të absolutizohet. A nuk ka dëshmuar historia njerëzore se njerëz të mëdhenj kanë rrjedhur prej prindërve krejt të panjohur dhe të parëndësishëm në shoqëri? A nuk ka dëshmuar historia se prej atyre që pretendojnë se i kanë prekur majat më të larta të shoqërisë kanë dalë pasardhës të rrënuar qysh në gjenezë? E meqenëse u pëlqen të mburrin dhe vetvetet dhe pasardhësit dhe paraardhësit, duke u fshehur pas gjenit, mirë do të bënin t’u përgjigjeshin këtyre pyetjeve: Nëse ia kanë dalë të ngjiten në një nivel të caktuar, a është ky nivel pasojë, rrjedhojë e një pune këmbëngulëse apo është dhuratë e nepotizmit?; A është dhuratë e patronazhit?; A është dhuratë e paternalizmit? A është dhuratë e të qenit yes – man?; Sa të zhveshur janë prej këtyre influencave?; Nëse do të jetonin në një shoqëri ku hierarkia natyrore të çon atje ku e meriton, a do të mundeshin të ngjiteshin aty ku janë?; Më inteligjentët?; Më të shkëlqyerit?; Më meritorët për të qëndruar në krye të shoqërisë?; Nëse janë vërtet të tillë, le t’i hedhin tunikat prej mëndafshi nomenklaturist dhe le të shfaqen me të gjithë hirin e inteligjencës superiore, të cilën ua ka ënda ta quajnë pronë të tyre.

Nëse janë kaq të ndershëm intelektualist, le ta nisin edhe njëherë garën prej startit. Në kushte të barabarta sociale më ata që i kanë dënuar me defiçencë intelekti. A janë të gatshëm për sfidën?

Inteligjenca as nuk ka qenë dhe as nuk ka për të qenë ekskluzivitet i një shtrese të caktuar shoqërore. Ose, të është dhënë ose nuk të është dhënë. Njeriut i mbetet detyrë ta zbulojë përmes punës dhe ta dëshmojë më vepra atë që pretendon, i pandikuar nga nepotizmi, patronazhi, paternalizmi dhe të qenit yes – man. Nëse ia del të ngjitet i pandikuar nga këta simulantë, ai duhet nderuar dhe respektuar maksimalisht. Nëse ndodh e kundërta, nuk duhet marrë seriozisht.