` . "Ekonomia e Shqipërisë shënon rritje gjatë vitit 2017" - TV SHENJA

“Ekonomia e Shqipërisë shënon rritje gjatë vitit 2017”

Ekonomia e Shqipërisë ka shënuar rritje në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, sipas të dhënave të raportit të fundit të prezantuar sot nga Banka e Shqipërisë, ku sipas këtij institucioni rritja ekonomike u përshpejtua me ritme më të larta nga sa parashikohej, duke arritur në 3.9 për qind në tremujorin e parë të vitit 2017, transmeton Anadolu Agency (AA).
Banka Qendrore e Shqipërisë ka prezantuar sot raportin tremujor të politikës monetare 2017, ku theksohet se zhvillimet ekonomike e financiare në vend janë pozitive dhe konfirmojnë trendin rritës të ekonomisë.
“Aktiviteti ekonomik vlerësohet të jetë zgjeruar me norma të larta rritjeje gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2017, por inflacioni është shfaqur i luhatshëm. Prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 3.9 për qind në nivel vjetor, i mbështetur nga rritja e prodhimit në të gjithë sektorët e ekonomisë. Zhvillimet ekonomike në ambientin e huaj kanë qenë pozitive, duke mbështetur rritjen e eksporteve dhe aktivitetin turistik”, thuhet në këtë raport.
Sipas Bankës së Shqipërisë, nga ana e prodhimit, zgjerimi i rritjes reale të ekonomisë, u mbështet kryesisht nga aktiviteti ndërtues dhe ai i shërbimeve.
Ndërkohë, theksohet se zgjerimi i aktivitetit në industri dhe në bujqësi ka ndikuar gjithashtu në ecurinë ekonomike.
Sipas raportit, ekonomia e Shqipërisë pritet të ndjekë trajektore rritëse të qëndrueshme për periudhën në vazhdim.

Postime të Ngjajshme